Ndërlidhjet

Pas tranzicionit, Kosova me pasaporta të reja


Dokumenti i udhëtimit i UNMIK-ut dhe pasaporta e ish-Jugosllavisë
Dokumenti i udhëtimit i UNMIK-ut dhe pasaporta e ish-Jugosllavisë

Ministria e Punëve të Brendshme është duke i bërë të gjitha përgatitjet që pas fazës së tranzicionit, të jetë e gatshme për lëshimin e dokumenteve të para të Republikës së Kosovës.


Dokumentet e udhëtimit, të lëshuara nga UNMIK-u, në Kosovë do të jenë valide deri në përfundim të fazës së tranzicionit, thonë zyrtarë të Qeverisë së Kosovës.

Ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, thotë se qytetarët e Kosovës do të kenë mundësi që të aplikojnë për dokumentet e udhëtimit pas përfundimit të veprimeve të nevojshme administrative, të cilat do t’i kryejë kjo ministri.

“Është njëfarë procedure për të kaluar në prodhimin e dokumenteve të reja, që varet prej shumë faktorëve. E para është procedura administrative; e dyta, janë çështje tjera teknike, për të cilat ne duhet të marrim së shpejti vendime, se a do të vazhdojmë me kompanitë ekzistuese që veç janë të kyçura në Kosovë për prodhimin e dokumenteve. Jemi nën presion të kohës. Ka shumë pak kohë; qytetarët do të kërkojnë që sa më shpejt t’i kenë dokumentet e udhëtimit”, thotë Pajaziti.

Ministri Pajaziti konsideron se pas periudhës kohore prej katër apo pesë muajsh, do të fillojë dhënia e dokumenteve të reja.

“Jemi duke bërë konsultimet e nevojshme, sidomos për çështjen e kohës. Unë mendoj se pas mbarimit të fazës së UNMIK-ut, ose kur UNMIK-u do të pushojë së dhëni dokumente të udhëtimit, ne menjëherë do t’i kemi dokumentet tona”, thotë Pajaziti.

Nga ana tjetër, edhe qytetarët thonë se çështja e dokumenteve të udhëtimit duhet të përshpejtohet në institucionet kosovare.

Hasim Loshi thotë se pasaportës së tij, të lëshuar nga UNMIK-u, i ka kaluar validiteti dhe pret pasaportën e re të Kosovës.

“Tani, pasi që Kosova është shpallur republikë, shtet i pavarur, qytetarët janë të interesuar që në dokumentin e udhëtimit, në pasaportat e tyre t’u shkruajë edhe Republika e Kosovës. Pasaporta ime ka skaduar, mirëpo unë po pres ta marr këtë të Republikës së Kosovës së pavarur dhe sovrane”, thotë Hasim Loshi.

Edhe Ramadan Ferizi thotë se sa më shpejt, qytetarët duhet të pajisen me dokumente të reja të udhëtimit.

“Tash, pasi që kemi fituar pavarësinë, duhet të dalin pasaportat e reja. Me siguri edhe tre apo katër muaj. Shumë ngadalë janë duke punuar”, shprehet Ferizi.

Ndërsa, Sabiha Ramaxhiku thotë se deri te posedimi i pasaportave të reja, duhet të kalojë një kohë dhe gjatë kësaj kohe, sipas saj, do të jenë të vlefshme dokumentet e udhëtimit të lëshuara nga UNMIK-u.

“Nuk do të mungojnë angazhimet, ndoshta edhe nën presionin e opinionit që Kosova t’i ketë dokumentet shtetërore. Unë jam optimiste; edhe pse merr kohë, do t’i kemi brenda një afati të shkurtër”, thotë zonja Ramaxhiku.

Ndryshe, ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, ka theksuar se në ato shtete që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, çështja e udhëtimit me dokumente të Kosovës do të jetë e vështirë.

“Nëse ndonjë vend nuk do t’i pranojë pasaportat tona, kjo do të jetë e vështirë. Por, një gjë është e sigurt, se shtetet kryesore ose shtetet evropiane do t’i pranojnë pasaportat tona”, tha ministri Pajaziti.

Identiteti i dokumenteve të lëshuara nga Ministria e Punëve të Brendshme do t’i përmbajë simbolet e reja të Republikës së Kosovës.

Gjithashtu, me rëndësi të veçantë do të jenë edhe elementet e sigurisë, të inkorporuara në dokumentet civile të lëshuara nga MPB-ja. Për këtë arsye, Ministria e Punëve të Brendshme është në procesin e shikimit të mundësive teknike më të mira për prodhimin e këtyre dokumenteve.
XS
SM
MD
LG