Ndërlidhjet

Bajrami: Kushtetuta materializon Deklaratën e Pavarësisë


Arsim Bajrami
Arsim Bajrami

"Kushtetuta e Republikës së Kosovës është shkruar në kontekstin e statusit final. Ajo siguron themelimin e Republikës së Kosovës si shtet sovran, të pavarur, unik e të pandashëm", thotë Arsim Bajrami, anëtar i Komisionit Kushtetues.


RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Bajrami, tashmë ka përfunduar debati publik mbi draftin e Kushtetutës së Kosovës. Çfarë e bën të veçantë këtë Kushtetutë dhe sa do të jetë e mundur që në fakt të zbatohet në praktikë?

ARSIM BAJRAMI
Kushtetuta e Republikës së Kosovës është shkruar në kontekstin e statusit final dhe ajo ka përcjellë zhvillimet politike rreth statusit final.

E veçanta e kësaj kushtetute është se ajo do ta materializojë deklaratën e pavarësisë, të miratuar më 17 shkurt. Pastaj, do të sigurojë themelimin e Republikës së Kosovës si shtet sovran, të pavarur, unik dhe të pandashëm.

Gjithashtu, Kushtetuta do të implementojë pakon e Ahtisaarit, sidomos pjesë të pakos që kanë refleksione kushtetuese dhe do të promovojë një frymë evropiane të shtetit të Kosovës, i cili pretendon të ecë drejt integrimeve euroatlantike.

E veçanta tjetër e kësaj Kushtetute është se ajo nuk ka qenë një proces thjesht juridik i shkrimit të një kushtetute si akt më i lartë, por ka qenë edhe një dokument politik, me të cilin është negociuar me bashkësinë ndërkombëtare.

Bashkësia ndërkombëtare ka qenë pjesëmarrëse në shkrimin e Kushtetutës. Ne i kemi harmonizuar të gjitha çështjet me bashkësinë ndërkombëtare, sa i përket pranimit të Kushtetutës nga prezenca civile ndërkombëtare, në mënyrë që Kushtetuta të zyrtarizohet ditën e votimit, ditën e miratimit dhe pastaj të mundësohet edhe implementimi i ligjeve që dalin nga pakoja e Ahtisaarit dhe kompletimi i strukturës legale të Republikës së Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Si definohet populli i Kosovës në Kushtetutë?

ARSIM BAJRAMI
Kjo është çështje që është dëgjuar shumë në debatin kushtetues. Preambula në fillim thirret në popullin e Kosovës. Por, duke qenë se ne kemi dalë nga një luftë, bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar që mos të përdoret shumë një gjuhë kombëtare dhe etnike në Kushtetutë. Dhe, përkundër faktit që edhe zoti Ahtisaari ka favorizuar një koncept shumetnik të shtetit, kemi arritur që në fakt ta vendosim qytetarin dhe shtetasin e Republikës në epiqendër dhe ai është aktiv.

Pra, Republika e Kosovës është shtet i shtetasve të saj. Shtetas të Republikës së Kosovës janë ata që e pranojnë Republikën e Kosovës dhe realisht shtetas të Republikës së Kosovës janë 90 për qind shqiptarët, të cilët në fakt e përbëjnë edhe popullin apo kombin shqiptar. Kështu që ne nuk kemi operuar me nocione etnike.

Shumë më tepër jemi munduar ta fusim frymën liberal-demokratike dhe qytetarin dhe shtetasin. Kjo, shumë njerëz i ka bërë të pakënaqur, për shkak se njerëzit kanë pak emocione, por ne duhet ta ndjekim edhe një kurs evropian të kushtetutës.

Nuk dëshirojmë që Kushtetuta jonë të jetë një akt i konsumit të brendshëm, por dëshirojmë që Kushtetua jonë të jetë e pranueshme, e përkrahur fuqimisht, sepse kushtetuta është çelës i zhvillimit ekonomik, çelës i ndihmave ekonomike që i marrim, çelës i bashkëpunimit të mirë, i integrimeve.

Nëse do të kemi probleme dhe tensione rreth kushtetutës, ato do të reflektohen edhe në kursin tonë politik me bashkësinë ndërkombëtare dhe do ta zbehte përkrahjen e fuqishme ndërkombëtare që ka marrë pavarësia e Kosovës, me procesin e njohjes ndërkombëtare dhe me proceset e zhvillimit ekonomik që do të rifillojnë me Konferencën e donatorëve, që do të mbahet në qershor të këtij viti.

RADIO EVROPA E LIRË
Gjatë debateve publike mbi draft-kushtetutën e Kosovës, ka pasur vërejtje për kohën e shkurtër që është ofruar për të debatuar për projekt-kushtetutën. Sidoqoftë, çfarë do të përfshini nga vërejtjet apo sugjerimet në draftin final?

ARSIM BAJRAMI
Është e vërtetë që koha e debateve kushtetuese ka qenë e limituar. Unë thashë që edhe debati kushtetues ka qenë sui-generis, ka qenë pak a shumë i lidhur me dinamikën e procesit. Ne kemi zhvilluar, megjithatë, një debat në dy faza; faza e parë, njoftimi për kushtetutën dhe faza e dytë, debati konkret, dhe kemi marrë mjaft sugjerime konstruktive të qytetarëve.

Këto ditë, këto sugjerime do të diskutohen një nga një dhe jam i sigurt se disa do të hyjnë edhe brenda kushtetutës.

Disa çështje kanë qenë kërkesa kryesore të qytetarëve. Ne kemi pasur një kërkesë që Republika e Kosovës të jetë në të gjitha segmentet funksionale, të evitohen bllokimet eventuale në vendimmarrje në Parlament, në Qeveri, në institucione tjera.

Një çështje tjetër është mënyra e zgjedhjes së presidentit. Ka pasur kërkesa të theksuara që presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli. Kërkesat që lidhen me preambulë kanë qenë mjaft të theksuara dhe një varg propozimesh të tjera që kanë qenë jashtëzakonisht konstruktive. Kemi marrë edhe amendamente me shkrim.

Dhe, në javën e ardhshme, komisioni redaktues dhe për harmonizim do të punojë intensivisht, do t’i përfshijë ato sugjerime brenda tekstit të Kushtetutës. Pastaj, mendoj se në fund të marsit, Kushtetuta do t’i dorëzohet presidentit dhe të përcillet në Parlament. Po shpresojmë të gjithë që fundi i marsit apo fillimi i prillit do ta bëjë Kosovën me Kushtetutë të miratuar.

RADIO EVROPA E LIRË
Meqë e përmendët zgjedhjen e presidentit, a do të zgjidhet ai direkt nga populli, meqë me Kushtetutë presidentit i janë shtuar kompetencat?

ARSIM BAJRAMI
Po. Ju e keni të saktë, domethënë e keni vërejtur shumë mirë; kompetencat e presidentit janë dukshëm të shtuara. Ka kompetenca efektive në politikën e brendshme, por sidomos në politikën e jashtme, që tejkalojnë modelet e presidentëve parlamentarë dhe shkojnë kah presidentët gjysmë-presidencialë apo të pastër presidencialë.

Meqenëse kompetencat janë të fuqishme, ne do ta diskutojmë edhe mënyrën e zgjedhjes. Do të ishte mirë për Republikën e Kosovës që mos të problematizohet zgjedhja e presidentit përmes Parlamentit. Dhe, ne, si Komision redaktues, do ta shqyrtojmë këtë çështje dhe do t’i referojmë Parlamentit që ta arrijë një konsensus politik.

Më pak është me rëndësi mënyra se si zgjidhet presidenti, sesa kompetencat dhe fuqia kushtetuese e presidentit. Meqenëse fuqia kushtetuese është avancuar, atëherë edhe një zgjedhje e drejtpërdrejtë e presidentit do të ishte shumë më e mirë, që të evitohen krizat eventuale rreth zgjedhjes së presidentit.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Bajrami, në debatet publike ka pasur kritika për dispozitat e pakos së Martti Ahtisaarit. Edhe pse është debatuar për to, thuhet se ato nuk do të ndryshohen...

ARSIM BAJRAMI
Pakoja e Ahtisaarit ka qenë një bazë politike për pavarësimin e Kosovës. Ka qenë pjesë e marrëveshjes ndërkombëtare që pavarësia të njihet mbi bazën e zotimit për implementimin e pakos.

Republika e Kosovës nuk do t’i zhgënjejë miqtë tanë ndërkombëtarë, që tani të bëjë probleme në implementimin e pakos. Kuvendi i Kosovës e ka miratuar pakon dhe ajo do të implementohet në tri mënyra; e para, përmes Kushtetutës; e dyta, përmes legjislacionit dhe e treta, përmes reformës së pushtetit lokal.

Shumë provizione të pakos së Ahtisaarit i kemi futur në Kushtetutë, jo si dogma, por si koncepte, si frymë dhe ne do ta zbatojmë plotësisht atë obligim ndërkombëtar që kemi marrë.

Pas një kohe, me siguri se ato kufizime do të tërhiqen, sepse Republika e Kosovës do të arrijë standardet e integrimeve evropiane.

Ne kemi paraparë edhe mënyrën e ndryshimit të Kushtetutës, në mënyrë të veçantë në kaptinën e fundit, që e kemi quajtur dispozitat tranzicionale. Ne e kemi paraparë që ato do të fuqizohen të tërat, pas një faze të caktuar, ku arrihen efektet e një lloj mbikëqyrjeje ndërkombëtare që do ta kemi edhe pas pavarësisë.

RADIO EVROPA E LIRË
A do të ketë të përfshirë në Kushtetutën e Kosovës ndonjë pjesë nga reforma e pushtetit lokal, përkatësisht decentralizimit?

ARSIM BAJRAMI
Sa i përket decentralizimit, Kushtetuta ka vetëm dispozita parimore që përcaktojnë që vetëm komuna është njësi territoriale.

Kemi caktuar për qytetin e Prishtinës një pozitë të veçantë dhe kemi paraparë pjesëmarrje në përfaqësimin adekuat të pakicave brenda pushtetit lokal.

Komplet pakoja e decentralizimit do të përfundohet me pesë ligjet e pushtetit lokal, që janë miratuar këto ditë nga Kuvendi i Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Si do të definohet sovraniteti i Kosovës, kur dihet se për sigurinë do të jenë përgjegjëse forcat e NATO-s?

ARSIM BAJRAMI
Republika e Kosovës është shtet sovran dhe i pavarur dhe sovraniteti do të shtrihet në tërë territorin. Por, të gjitha shtetet e reja, sidomos ato të tranzicionit, sa i përket tranzicionit, kanë lënë mundësinë që në pjesën e sigurisë të bëhet një lloj bartjeje e sovranitetit, edhe pas pavarësisë, edhe në proces të pavarësisë.

Ne kemi paraparë që disa segmente të sovranitetit, sa i përket sigurisë së Republikës së Kosovës, do të mund të barten te mekanizmat ndërkombëtarë. Aktualisht, me Rezolutën 1244 është vazhduar mandati i KFOR-it për të garantuar sovranitetin, por edhe Kushtetuta ka paraparë që me një vendim prej dy të tretave të Kuvendit të Kosovës të bartet sovraniteti te mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë.

Kjo është një fat për Republikën e Kosovës që ajo po ndërtohet dhe po jetësohet në kohën kur garantimin e kufijve dhe të sovranitetit territorial po e bën NATO-ja dhe KFOR-i, derisa ne të adaptohemi dhe të përgatisim një forcë respektive të sigurisë, e cila në proces do të aftësohet për të marrë edhe kompetencën e ruajtjes së sovranitetit territorial.

Natyrisht, përveç bartjes së sovranitetit, sa i përket sigurisë, ne kemi paraparë që edhe në segmentet tjera, Kuvendi i Kosovës të delegojë sovranitet te Bashkimi Evropian.

Qysh tash e kemi deleguar sovranitetin financiar te Euro, duke e pranuar Euro-n si pjesë të vetme të pagesës.

Natyrisht do të pranojmë edhe juridiksionin e gjykatës evropiane të drejtësisë dhe do të bëhemi pjesë e aderuar e shumë konventave ndërkombëtare.

Ky është një delegim sovraniteti. Sot në Ballkan dhe në Evropën Juglindore nuk ka shtete hermetikisht të mbyllura, që janë të mjaftueshme për veten, por kushtetutat e hapin atë rrugën e integrimeve rajonale dhe të integrimeve të gjera globale të këtyre shteteve.

RADIO EVROPA LIRË
Zoti Bajrami, komuniteti serb i Kosovës që nga shpallja e pavarësisë ka bojkotuar institucionet e Kosovës. Sa e rrezikon zbatimin e Kushtetutës në praktikë një qasje e tillë e komunitetit serb ndaj institucioneve të Kosovës?

ARSIM BAJRAMI
Veprimi i komunitetit serb dhe i përfaqësuesve të tyre politikë ende është skenar i Serbisë, domethënë ata veprojnë me instruksione të Qeverisë së Serbisë dhe kjo është një fatkeqësi për ta, sepse po përdorën fatkeqësisht për luftëra politike. Po luftohet për një lloj demagogjie politike dhe po shpresojmë shumë shpejt që të kemi një ndryshim substancial në rezonimin politik dhe ata t’i rikthehen vetes, mbrojtjes së të drejtave kushtetuese.

Kushtetuta e re ofron mbrojtje mbi standarde evropiane sa u përket pakicave, ofron heqjen e të gjitha shqetësimeve, nuk rrezikohet kultura, gjuha, tradita, historia, shkollimi i tyre; të gjitha këto janë të mbrojtura. Ne e kemi dhënë ofertën shumë të mirë kushtetuese.

Bojkoti aktual i serbëve nuk e rrezikon funksionimin e shtetit. Ne po miratojmë ligje çdo ditë. Kemi miratuar Deklaratën e Pavarësisë. Edhe Kushtetua e Republikës së Kosovës gjatë miratimit nuk kërkon shumicën e dyfishtë; ajo do të votohet vetëm me dy të tretat e votave.

Mirëpo, në një proces të mëvonshëm, nëse serbët duan të jenë aktivë për t’i mbrojtur të drejtat e veta, ata do të kenë mundësi në Parlament të shtrojnë shumicën e dyfishtë, votimin e dyfishtë dhe do të mund të mbrohen nga një majorizim klasik, i cili edhe ashtu-kështu nuk do të ndodhë nga shumica...

RADIO EVROPA E LIRË
...në cilat raste zoti Bajrami?

ARSIM BAJRAMI
Janë pesë ligje që do të miratohen me shumicën e dyfishtë, duke përfshirë edhe ndryshimet e Kushtetutës.

Pakoja e Ahtisaarit ka paraparë që për ndryshimin e këtyre ligjeve që prekin interesat vitale të pakicave, të aplikohet shumica e dyfishtë, si një instrument për mbrojtjen e pakicës serbe nga majorizimi i shumicës.

RADIO EVROPA E LIRË
Pra, për çdo amendament të Kushtetues duhet shumica e dyfishtë?

ARSIM BAJRAMI
Po, edhe amendamenti i Kushtetutës do të duhej të siguronte shumicën e pakicave, sidomos në pjesët që prekin interesat vitale të pakicave.

Mirëpo, Republika e Kosovës nuk është shumë e disponuar pas pavarësisë dhe pas disa viteve që t’i ulë këto standarde sa i përket komuniteteve dhe nuk do të ketë nevojë ta bllokojë kushtetutën, sepse ne dëshirojmë që krahas këtyre në Bashkimin Evropian t’i kemi këto standarde.

Jemi të vetëdijshëm se kemi shkuar mbi standarde, kemi shkuar mbi demokraci të avancuar, por për një shtet të ri që po themelohet tani, një pozitë më e avancuar e pakicave nuk e dëmton imazhin dhe funksionalitetin e tij.

XS
SM
MD
LG