Ndërlidhjet

CSM: E ndarë rreth Kosovës, Serbia para zgjedhjeve të jashtëzakonshme



"Christian Science Monitor"

Vetëm para disa javësh, me një fitore të ngushtë, Serbia zgjodhi presidentin e saj, Boris Tadiq, por kjo ka ndodhur para shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Në maj, elektorati i lodhur tashmë sërish do të dalë në votime, për të zgjedhur midis vizionit radikal pro-rus dhe atij pro-perëndimor. Por, kësaj radhe, ata nuk do të zgjedhin vetëm presidentin, i cili ka fuqi vetëm t'i japë kahje të caktuara Parlamentit, por gjithë qeverisë.

Diplomatët amerikanë dhe evropianë janë të shqetësuar se Partia ultra-nacionaliste Radikale mund të shfrytëzojë çështjen shumë të ndjeshme të Kosovës për të fituar, duke nxitur kësisoj jostabilitet në Ballkan.

Dejan Anastasijeviq ka thënë se "kryeministri serb, Vojisllav Koshtunica, është ndier se nuk ka pasur zgjidhje tjetër”. “Qeveria - thotë ai - ka qenë e ndarë në çdo çështje, jo vetëm mbi Kosovën".

Liberalët serbë në Beograd, të cilët votuan Tadiqin, duke synuar integrimin në Bashkimin Evropian, kanë ndjenja të përziera mbi këto zhvillime. Disa e shohin rënien e qeverisë si shans për mobilizimin e forcave demokratike dhe për sforcimin e vendosmërisë së tyre. Por të tjerët, janë pesimistë, për shkak të momentit kritik dhe shfrytëzimit të mundshëm të çështjes së Kosovës si letër për të kundërshtuar Bashkimin Evropian.

Marshall Harris, ish-diplomat amerikan dhe ekspert mbi Ballkanin, thotë se Koshtunica është duke shfrytëzuar letrën e nacionalizmit. "Duke nxitur zemërim tek populli serb mbi humbjen e Kosovës, Koshtunica tani është duke mëtuar arritjen e një avantazhi personal politik, për të shtuar letrat nacionaliste në duart e tij dhe të liderëve tjerë nacionalistë”. “Shtetet e Bashkuara dhe Evropa - ka thënë zoti Harris - mund të llogarisin se ai do të shfrytëzojë çdo mundësi për të vënë bllokadë midis Serbisë dhe Perëndimit".

Një qytetar serb nga Mitrovica, Branislav Kostiq, ka thënë se “Koshtunica nuk është dashur të hyjë fare në koalicionin e mëparshëm, meqë nuk ka qenë në gjendje ta mbrojë Kosovën. Populli dëshiron tani një koalicion të ri me radikalët”.

Alex Anderson, nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave, tërheq vërejtjen se durimi i shqiptarëve është duke u zbehur gjithnjë e më shumë. "Ata ende nuk kanë hyrë në kurth për t'iu kundërvënë serbëve të Kosovës, por këto zgjedhje do t’i sforcojnë edhe më shumë strukturat paralele, të cilat nuk i binden institucioneve në Kosovë", ka thënë zoti Anderson.

Në këtë kuadër, rikujtohet edhe deklarata e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, se nuk do të tolerohet asnjë institucion paralel në territorin e Kosovës.
XS
SM
MD
LG