Ndërlidhjet

BE: S'ka zgjidhje tjetër për Serbinë, pos Evropës


Takimi i ministrave të Jashtëm të BE-së

Takimi i ministrave të Jashtëm të BE-së

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian shpresojnë se në zgjedhjet e ardhshme në Serbi do të fitojnë forcat pro Bashkimit Evropian. David Miliband theksoi se kah Serbia duhet t'i "zgjasim duart e miqësisë".


Zyrtarë të Bashkimit Evropian thanë se ata besojnë që votuesit në Serbi, në zgjedhjet e parakohshme do t'i mbështesin partitë pro BE-së, pasi koalicioni aktual qeverisës u shkatërrua për shkak të pavarësisë së Kosovës.

Dmitrij Rupel, ministër i Jashtëm i Sllovenisë, që e kryeson presidencën e radhës së Bashkimit Evropian, tha sot se "shpreson se në këto zgjedhje do të fitojnë partitë pro evropiane.

"Tash kur zgjedhjet po vijnë, shpresoj se forcat pro BE-së do të fitojnë dhe për këtë kam parë shenja inkurajuese", tha zoti Rupel, para fillimit të takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

Sipas tij, "nuk ekziston tjetër mundësi për Serbinë, pos Bashkimit Evropian" dhe shtroi pyetjen se "kah mund të shkojnë ata".

Ministri i Jashtëm i Francës, Bernard Kouchenr, tha se disa ministra të vendeve anëtare të BE-së kanë treguar vullnet për mundësinë për ta vizituar Serbinë, por u është thënë në mënyrë "shumë brutale" se vizitat e këtilla nuk janë të mirëseardhura. Ai nuk komentoi më gjerë lidhur me këtë çështje.

Ministri i Jashtëm britanik, David Miliband, tha se BE-ja duhet "t'i zgjasë duart e miqësisë" ndaj Serbisë, ndërsa komisionarja për marrëdhënie të jashtme, Benita Ferrero-Waldner, tha se është koha që Serbisë t'i ofrohen procedura më të lehta për viza dhe stimulime të tjera.

"Ajo që duhet të bëjmë është t'i tregojmë popullit të Serbisë se ne i duam ata në Bashkimin Evropian", tha zonja Ferrero-Waldner.
XS
SM
MD
LG