Ndërlidhjet

Çfarë përbën prioritet pas fazës së tranzicionit?


Pamje në Prishtinë

Pamje në Prishtinë

Pas periudhës së tranzicionit në Kosovë, çështjet më me prioritet, me të cilat duhet të merren institucionet e Kosovës, janë aprovimi i Kushtetutës së Kosovës dhe nxjerrja e ligjeve që dalin nga pakoja e Ahtisaarit, thonë profesorë të Universitetit të Prishtinës dhe analistë politikë.


Miratimi i Kushtetutës si dhe disa ligjeve që dalin nga pakoja e Ahtisaarit, por edhe nxjerrja e pasaportave të shtetit të Kosovës, janë disa nga çështjet, të cilat pas fazës tranzitore 120 ditësh, pritet të jenë të përfunduara.

Sabri Kiçmari, ligjërues në Universitetin e Prishtinës, thotë se përveç këtyre çështjeve, pas përfundimit të fazës tranzitore duhet të jenë të bartura edhe përgjegjësitë për politikën e jashtme.

Kiçmari thotë se janë edhe disa fusha të tjera, në të cilat nëse jo plotësisht, atëherë të paktën pjesërisht duhet bartur përgjegjësitë te institucionet e Kosovës.

“Në mënyrë të veçantë duhet të bëhet bartja e kompetencave në fushën e politikës së jashtme, në mënyrë graduale në fushën e sigurisë dhe në mënyrë po ashtu diçka më të ngadalshme në politikën e mbrojtjes. Shumë e rëndësishme për Kosovën dhe qytetarët e saj është po ashtu edhe bartja e arkivit. Është krijuar një bazë e mirë arkivore gjatë kësaj periudhe. Kjo periudhë arkivore duhet t’i bartet institucioneve të Kosovës, meqë mbi bazën e këtyre të dhënave arkivore drejtohen edhe linjat institucionale të pushtetit në Kosovë”, thotë Kiçmari.

Por, pavarësisht bartjes së disa përgjegjësive dhe miratimit të legjislacionit që del nga pakoja e Ahtisaarit, sipas analistëve, jeta e përditshme e qytetarëve nuk do të përmirësohet menjëherë.

Kiçmari thotë se ndikimi pozitiv, ulja e varfërisë dhe zhvillimi ekonomik, mund të vërehen vetëm në planin afatgjatë.

“Në jetën e rëndomtë të qytetarit, në momentin e parë të kompetencave, nuk ndryshon shumë në afat të shkurtër. Ndërsa, në afat të gjatë mund të ndryshojë shumë. Kompetencat për ndërtimin dhe zhvillimin ekonomik do t’i kenë institucionet e Kosovës dhe mundësitë për të ndërmarrë hapa të kontratave me institucionet ndërkombëtare do të jenë kompetencë e institucioneve të Kosovës. Vetë ky fakt krijon mundësinë, ta zëmë, për marrjen e kredive nga organizata financiare ndërkombëtare”, thotë Kiçmari.

Edhe analisti politik, Driton Lajçi, thotë se pas fazës së tranzicionit, vëmendja e institucioneve të Kosovës duhet të fokusohet në anëtarësimin e shpejtë në organizatat ndërkombëtare financiare, në mënyrë që të ketë zhvillim më të madh ekonomik.

“Vendosja e politikave të qarta të zhvillimit ekonomik; fillimi i aplikimit të Kosovës për t’u anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare financiare, ekonomike, kulturore dhe sportive; krijimi i ambasadave nëpër të cilat do të përfaqësohet diplomacia e Kosovës”, thotë Lajçi.

Në fund të periudhës tranzitore 120 ditëshe, pritet që në Kosovë të vendoset plotësisht zyra ndërkombëtare civile, ashtu edhe misioni i EULEX-it.

Ndërkaq, deputetëve të Kuvendit të Kosovës u mbetet që në këtë fazë të miratojnë një sërë ligjesh - ata që kanë të bëjnë me shtetësinë, por edhe ligjet tjera që parashihen në pakon e Ahtisaarit.


  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG