Ndërlidhjet

“Himni i Republikës, pa tekst?”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
KOHA DITORE
Qytetarët e Republikës së Kosovës së shpejti mund të rrinë gatitu teksa intonohet himni, por pa thënë as një fjalë, pasi që ky himn mund të mos përmbajë tekst. Kështu së paku del nga konkursi që e ka hartuar Qeveria e Kosovës, një kopje të të cilit posedon “Koha Ditore”. “Ky konkurs ka të bëjë kryesisht me kompozimin e muzikës, e jo tekstin e himnit. Megjithatë, tekstet mund të përfshihen në aplikacion, në cilëndo gjuhë zyrtare të Republikës së Kosovës”, thuhet në arsyetimin e konkursit, në paragrafin e parë. Mundësinë e përzgjedhjes së himnit shtetëror pa tekst nuk e kanë përjashtuar as zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës. “Ka gjasa qe himni të jetë pa tekst”, ka thënë shkurt një zyrtar i lartë i Qeverisë së Kosovës...

NACIONAL
Zyra e Auditorit të Përgjithshëm në Kosovë ka kryer auditimin e pasqyrave financiare të Kuvendit të Kosovës për periudhën 1 janar deri më 31 dhjetor të vitit 2006. Në këtë raport bëhet e ditur se ka mosplanifikim të duhur të buxhetit, në veçanti tek shpenzimet kapitale, për arsye se janë planifikuar 1.840.633 euro, ndërsa janë shpenzuar 38.743 euro dhe këto mjete janë bartur si suficit nga buxheti i mëparshëm. Ndërsa, vetëm shpenzimet e pagave për vitin 2006 kanë qenë në shumë prej 2.273.346 euro, ku kjo përfshin mbi 1 milion euro për kompensimet shtesë, të cilat janë miratuar nga ana e Kuvendit. Pasqyrat financiare, sipas Auditorit, nuk janë plotësisht të përgatitura në përputhshmëri me standardet ndërkombëtare...

EXPRESS
Agim Çeku: Kosova është e pavarur vetëm që tri javë, por ne tashmë ballafaqohemi me ndoshta sfidën tonë më të madhe. Javën e kaluar, në Prishtinë dhe në Prekaz, ne kujtuam familjen legjendare Jashari dhe sakrificën e tyre për Kosovën më 1998. Ne kujtojmë të gjithë martirët tanë. Simboli i TMK-së, forcës sonë humanitare dhe emergjente, na kujton luftën tonë dhe rindërtimin. Tash, dhjetë vjet pasi forcat serbe rrethuan Prekazin dhe rrafshuan shtëpinë e Jasharëve, forcat e jotolerancës sërish po provojnë të sjellin ndarje dhe dhunë në vendin tonë. Ne të gjithë e dinim se Beogradi do të provojë të na provokojë pasi ne arritëm pavarësinë. Askush nuk është i befasuar që Serbia po vepron kundër dëshirave të BE-së. Askush nuk është i befasuar se politikanët po sfidojnë institucionet e Kombeve të Bashkuara...

EPOKA E RE
Mund të quhet një fat i madh, ose më saktë një vendim i zgjuar strategjik i bashkësisë euroatlantike, shpallja e pavarësisë së Kosovës para zgjedhjeve presidenciale në Rusi dhe zgjedhjeve presidenciale në SHBA. Ishte një vendim që qetësoi ujërat në raportet intrigrante rajonale, por kryesorja, që largoi nga agjenda e tratativave dhe pazareve të mëdha ndërkombëtare një problem të mprehtë. Nëse Kosova nuk do ta kishte shpallur pavarësinë, ajo do të vazhdonte të ishte problem i Këshillit të Sigurimit të OKB-së, problem i Grupit të Kontaktit, problem i G-8-ës së vendeve më të industrializuara të botës, problem i bisedimeve SHBA-Rusi dhe BE-Rusi etj. Tani Kosova e pavarur është fakt i kryer për të gjithë...

LAJM
Një deklaratë e kryesuesit të Misionit të OSBE-së në Kosovë, Tim Guldimann, e perifrazuar nga një televizion lokal në Shtërpcë, ka nxitur reagime. Duke iu referuar televizionit lokal “Tv Herc”, ambasadori Guldimann ka deklaruar më 6 mars të këtij viti se Shtërpca me rrethinë do të mund të fitonte statusin e qytetit të Brçkos në Bosnjë dhe Hercegovinë. KMDLNJ ka reaguar kundër kësaj deklarate. Sipas kësaj organizate, kjo deklaratë nënkupton një pavarësi të brendshme të entitetit serb në Republikën e Kosovës. KMDLNJ reagon ashpër ndaj qëndrimit të ambasadorit Guldimann aq më parë që misioni i OSBE-së dhe kryesuesi i tij duhet ta afirmojnë integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës, eliminimin e ndasive në baza etnike e jo proceset dezintegruese. Mirëpo, kjo deklaratë është mohuar kategorikisht nga zyrtarët e OSBE-së në Kosovë...

INFOPRESS
Pikërisht zgjedhjet serbe dhe tendenca për t’i organizuar ato edhe në Kosovë, do të jenë sfida e parë për institucionet shtetërore të Kosovës dhe bashkësinë ndërkombëtare. Analisti britanik, Tim Judah, ka thënë se tani pritet të shihet nëse zgjedhjet e Serbisë do të mund të mbahen edhe në vendbanimet serbe në Kosovë pas shpalljes së pavarëisë, kur dihet edhe më parë që udhëheqësit e Kosovës nuk kanë dashur që votimet serbë të zhvillohen edhe në territorin e Kosovës. “A do të interpretohet kjo si një sfidë e vërtetë për sovranitetin e shtetit të ri, nëse po, si do të zgjidhet kjo çështje? Mendoj se ky do të jetë një problem i ndërlikuar”, tha ai. Shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker, i pyetur për mundësitë e reflektimit të zgjedhjeve në Serbi në situatën në Kosovë, ka thënë se “duhet të shohim çka po ndodh aktualisht në Beograd, e pastaj të shohim, të vlerësojmë se çfarë ndikimi mund të kenë ato në Kosovë”...

KOSOVA SOT
Serbët kanë hyrë në binishin e historisë së tyre të pafat, që për emërues vazhdon të ketë ende Kosovën, por tash jo si krahinën apo provincën e dikurshme, por si një shtet që ka gjetur një njohje cilësore nga bota demokratike. Perëndimi, aty ku serbët, si çdo popull tjetër ballkanas, joshen për të qenë pjesë e tij, është adresa e vetme e shpëtimit. Por, gjithsesi ka një rrugë të dytë. Territori kosovar, për jetë të jetëve, do t’i mundojë radikalët e Serbisë. Të përçarë pas shpalljes së pavarësisë nga shqiptarët, politikanët e Beogradit kanë vendosur t’u drejtohen kutive të votimit, aty ku më së miri flet sovrani. Partitë pro perëndimore, si ajo e presidentit Boris Tadiq, kanë një mundësi të mirë për ta fituar besimin e votuesve, të lodhur me diskursin absurd për çështjen kosovare...

BOTA SOT
Shefi i Zyrës belge, Vilm Peteers dhe ai i Zyrës turke, Mustafa Sarnic kanë deklaruar të hënën se qeveritë e tyre janë të gatshme të ndihmojnë Kosovën në ndërtimin dhe zhvillimin e shtetit, duke shprehur kështu gatishmërinë për investime në favor të zhvillimit ekonomik. Shefi i Zyrës belge, pas takimit që pati me nënkryetarin e AAK-së, Ahmet Isufin, ka thënë se Belgjika është shprehur e gatshme të ndihmojë shtetin e ri të Kosovës për forcimin e shtyllave kryesore të tij dhe ka premtuar se do të ketë lehtësime për marrjen e vizave për shtetasit e Kosovës që dëshirojnë të udhëtojnë në Belgjikë. Ndërkaq, shefi i Zyrës turke në Prishtinë, ka deklaruar se shumë investitorë nga Turqia janë të gatshëm që të investojnë në Kosovë, në fushën e edukimit, shëndetësisë dhe në fusha të tjera me interes të veçantë...

ZËRI
Alush Gashi, ministër i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, ka suspenduar dje Ilir Tolajn nga detyra e sekretarit permanent të Ministrisë së Shëndetësisë. Ndërkohë që sipas vendimit, të cilin dje e ka marrë ministri Gashi, Tolaj suspendohet me pagesë deri në marrjen e vendimit definitiv nga ana e Këshillit për Emërime të Larta Publike, Ilir Tolaj ka thënë dje se do ta kundërshtojë këtë vendim, i cili, sipas Tolajt, është i paligjshëm... “Rekomandojmë Këshillin për Emërime të Larta Publike, duke marrë parasysh rekomandimin tonë, të bëjë shkarkimin e të njëjtit (Ilir Tolajt) nga kjo detyrë”, thuhet në vendimin e ministrit të Shëndetësisë, Alush Gashi...
XS
SM
MD
LG