Ndërlidhjet

Crvenkovski, Gashparoviq: Pavarësia me rreziqe


Presidentët e Maqedonisë dhe Sllovakisë, Branko Cërvenkovski dhe Ivan Gashparoviç, janë dakorduar se pavarësia e Kosovës sjell rreziqe.

"Maqedonia i sheh rreziqet nga pavarësimi i Kosovës por është e bindur se ka mjaft kapacitet demokratik për të zgjidhur problemin e pakicës shqiptare të saj", tha pas takimit Cërvenkovski, transmeton agjencia sllovake SITA.

Cërvenkovski ka thënë se Maqedonia ende nuk ka qëndrim definitiv lidhur me njohjen e Kosovës dhe do të ndjekë se çka do të ndodhë në BE rreth Kosovës, por ka shtuar se vendimi për njohjen ose jo do të merret në pajtim me interesat e Maqedonisë.

Gashparoviç është dakorduar me vlerësimin për rrezikun që sjell pavarësia e Kosovës, dhe ka shtuar se Sllovakisë ndoshta do t'i duhen vite që të njohë Kosovën.

Presidenti sllovak gjithashtu ka mbështetur Maqedoninë në kontestin për emrin me Greqinë, dhe u bëri thirrje dy palëve që të merren vesh.

Gjatë vizitës dy ditëshe, e cila filloi sot, presidenti i Maqedonisë do të takohet edhe me kryeministrin e Sllovakisë, Robert Fico.
XS
SM
MD
LG