Ndërlidhjet

logo-print

Khalilzad: Kosova nuk krahasohet me Abkhazinë


Shtetet e Bashkuara kanë shprehur keqardhje për vendimin e Rusisë që t'u japë fund sanksioneve kundër rajonit të Abkhazisë, i cili kërkon të shkëputet nga Gjeorgjia.

"Gjëja më alarmuese është se tërheqja e Rusisë nga sanksionet mund të shpiejë në transferin e armëve në duart e separatistëve", tha ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara, Zalmay Khalilzad.

"Ne nuk shohim si mund t'i kontribuojë kjo stabilitetit në Kaukazin jugor, zgjidhjes së konfliktit në Abkhazi apo përmirësimit të marrëdhënieve ruso-gjeorgjiane", tha Khalilzad.

Moska njoftoi në fillim të marsit se do të heqë kufizimet formale tregtare ndaj Abkhazisë, gjë të cilën analistët e shohin si hap simbolik që sinjalizon mbështetjen për separatistët.

Sot, ambasadori rus në NATO Dmitry Rogozin shkoi edhe më larg kur i tha agjencisë Reuters se anëtarësimi i Gjeorgjisë në NATO mund të nxitë shkëputjen e Abkhazisë dhe rajonit tjetër të Osetisë Jugore.

Diplomatët perëndimorë në Kombet e Bashkuara thonë se qëndrimi i Rusisë ndaj Abkhazisë është hakmarrje e Moskës për mbështetjen që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët evropianë i dhanë pavarësisë së Kosovës.

Por ambasadori amerikan Khalilzad tha se Kosova ishte rast i veçantë, dhe shtoi se dy çështjet nuk janë të ndërlidhura.
XS
SM
MD
LG