Ndërlidhjet

Biden: "Kroacia, Shqipëria dhe Maqedonia të ftohen në NATO"


Joseph Biden
Joseph Biden

“Ftoj Maqedoninë dhe Greqinë që sa më parë të gjejnë kompromis për emrin e Maqedonisë. Nëse këtë nuk arrijnë ta bëjnë deri në fillim të Samitit në Bukuresht, kjo nuk do të duhej të ndikojë vendimin për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë", ka thënë senatori Joseph Biden, kryetar i Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë.


"Aleanca e NATO-s dhe efektet e zgjerimit" ishte debati që është zhvilluar në Komisionin e Senatit Amerikan për Marrëdhënie me Jashtë, ndërsa porosia që doli nga ky takim thotë: "NATO-ja duhet të pranojë në radhët e veta Shqipërinë, Kroacinë dhe Maqedoninë, në Samitin që mbahet në fillim të prillit në Bukuresht".

Gjatë seancës, kryetari i Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, Joseph Biden, tha se NATO-ja duhet t'ia hapë dyert çdo vendi që përmbush kriteret e anëtarësimit.

"Vështruar nga aspekti strategjik, anëtarësimi i Kroacisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë në NATO do ta sillte Ballkanin më pranë Evropës dhe kjo do të forconte sigurinë rajonale", ka thënë senatori Joseph Biden, për të shtuar se kjo nuk do të thotë se të trija vendet duhet të hyjnë në NATO në bllok.

"Për secilin vend duhet vlerësuar mbi faktin se si i ka përmbushur kriteriumet e përcaktuara. Ftoj Maqedoninë dhe Greqinë që sa më parë të gjejnë kompromis për emrin e Maqedonisë, që është pengesë për pranimin e këtij vendi në NATO. Nëse këtë nuk arrijnë ta bëjnë deri në fillim të Samitit në Bukuresht, kjo nuk do të duhej të ndikojë vendimin për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë", ka thënë senatori Biden.

Senatori Richard Lugar, gjatë takimit, ka thënë se pavarësia e Kosovës, pastaj deklaratat e presidentit rus Vladimir Putin, sipas të cilit ka filluar gara e re në armatim dhe kërcënimet ruse drejtuar Çekisë, Polonisë dhe Ukrainës, kërkojnë lidership strategjik të Shteteve të Bashkuara dhe bashkëpunim të ngushtë me aleatët në NATO.

"Besoj se në Samitin e Bukureshtit duhet të ftohen për anëtarësim Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia dhe kjo do të ishte përgjigjja më e mirë kujtdo që do të synonte destabilizimin e Ballkanit", ka thënë senatori Lugar.

Në këtë debat ka marrë pjesë edhe zyrtari i lartë i Stejt Departamentit, Daniel Fried, që ka thënë se "administrata fuqishëm mbështet synimet e Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë që t'i bashkohen NATO-s."

"Nga përvoja e dimë se vendet që i bashkohen NATO-s, vazhdojnë me zbatimin e reformave", ka thënë Daniel Fried.
XS
SM
MD
LG