Ndërlidhjet

Departamenti Amerikan i Shtetit: Të drejtat e njeriut në botë


Logo e Departamentit Amerikan të Shtetit
Logo e Departamentit Amerikan të Shtetit

Departamenti amerikan i Shtetit ka publikuar raportin vjetor mbi të drejtat e njeriut në më shumë se 190 vende në mbarë botën. Në të, administrata e presidentit George Bush ka nënvizuar problemet e vazhdueshme gjatë vitit 2007, në vendet ku pushteti është i koncentruar në duart e njerëzve të paktë. Në mesin e këtyre vendeve, më e përmendura është Rusia.


Janë disa vende në botë, ku një numër i vogël liderësh mbajnë në duar gjithë pushtetin. Emrat e këtyre vendeve tashmë janë të njohur: Kina, Pakistani, Korea e Veriut, Siria dhe në fund vjen Rusia. Raporti i Departamentit amerikan të Shtetit, në fakt, e ka veçuar Rusinë; në të thuhet se nën presidentin Vladimir Putin, Qeveria ruse nuk ka qenë e përgjegjshme në raport me popullin. Në raport, vëmendje i është kushtuar pushtetit të madh që i është dhënë presidentit rus nga Parlamenti rus, Duma. Ndërkohë, thuhet në raport, edhe sundimi i ligjit është komprometuar nga korrupsioni dhe bindja selektive.

Jonathan Farrar, zyrtar në Departamentin amerikan të Shtetit, shpjegon se si i sheh Qeveria amerikane problemet në Rusi.

"Një shembull i profilit të lartë, në të cilin shtypen të drejtat e njeriut, është Rusia, ku me centralizimin e pushtetit në nivelet ekzekutive, me një parlament të pajtueshëm ndaj çdo gjëje, me korrupsion dhe përzgjedhje në zbatimin e ligjit, me kritere të rënda për regjistrimin e organizatave joqeveritare, me keqtrajtim ndaj këtyre organizatave, me kufizime të mediave, vazhdon të zbehet përgjegjësia e qeverisë në raport me qytetarët", ka thënë zoti Farrar.

Megjithatë, Rusia nuk është e vetmja në kategorinë e vendeve që janë cituar për koncentrim pushteti. Raporti i Departamentit amerikan të Shtetit vlerëson se ky problem nuk është i kufizuar vetëm tek një rajon apo kulturë specifike, por është i shfaqur kudo.

Zoti Farrar në këtë kuadër ka përmendur vende nga Evropa, Azia Qendrore, Lindja e Mesme dhe Azia Lindore.

"Vendet ku pushteti është i koncentruar në duart e sunduesve të papërgjegjshëm, vazhdojnë të jenë shkelësit më sistematikë të të drejtave të njeriut. Këtu do të citonim Korenë e veriut, Burman, Iranin, Zimbabvenë, Kuban, Bellorusinë, Uzbekistanin, Eritrenë dhe Sudanin", ka thënë zoti Farrar.

Raporti gjithashtu vlerëson se probleme të këtilla ka edhe në shumicën e vendeve të ish-Bashkimit Sovjetik dhe në disa vende të cilat janë rreshtuar me Moskën para rënies së Perdes së Hekurt. Këto vende thuhet se synojnë të zbatojnë abuzime policore, kushte jonjerëzore nëpër burgje, korrupsion në gjyqësi, zgjedhje jo të drejta dhe diskriminim kundër pakicave kombëtare.

Megjithatë, raporti gjithashtu vlerëson se ka shpresë për ndryshime të vërteta demokratike. Në vlerësimet e saj gjatë prezantimit të raportit, Sekretarja amerikane e Shtetit, Condoleezza Rice, e ka nënvizuar këtë optimizëm.

"Ndryshimet vërtet mund të marrin kohë, por ato do të vijnë. Përderisa qytetarët në mbarë botën mbrojnë vlerat universale të të drejtave të njeriut, atëherë shpresa ekziston. Dhe, ne në Shtetet e Bashkuara vazhdojmë të besojmë se është detyrë e jona t'i mbështesim këta burra dhe këto gra guximtare", ka thënë zonja Rice.

Raporti nuk i ka anashkaluar as çështjet që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut në Shtetet e Bashkuara. Disa e kanë akuzuar administratën e zotit Bush për zbatimin e standardeve të dyfishta, duke kritikuar në njërën anë vendet tjera, por duke injoruar, në anën tjetër, të drejtat e të dyshuarve, të cilët mbahen në Guantanamo Bay të Kubas.

Në këtë kuadër, Jonathan Farrar kishte këtë përgjigje.

"Në kohën kur ne prezantojmë këto raporte, Departamenti Amerikan i shtetit është i vetëdijshëm mbi kriticizmin vendor dhe ndërkombëtar për të drejtat e njeriut në Shtetet e Bashkuara. Ne i marrim të gjitha zotimet tona mbi këtë çështje seriozisht. Qeveria amerikane do të vazhdojë të përgjigjet drejtpërsëdrejti në të gjitha shqetësimet mbi praktikat tona, përfshirë këtu edhe për veprimet që i kemi marrë në mbrojtje të vendit tonë nga terrorizmi global", ka thënë zoti Farrar.
XS
SM
MD
LG