Ndërlidhjet

UNMIK-u s’e pengon funksionimin e shtetit të Kosovës


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë

Misioni i UNMIK-ut duhet të jetë në Kosovë, derisa Organizata e Kombeve të Bashkuara e sheh këtë të arsyeshme, thonë analistët politikë.


Mosnxjerrja e një rezolute të re nga Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, ka bërë që të ketë paqartësi rreth ndarjes së përgjegjësive në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë dhe vetë funksionimi të misionit të UNMIKU-ut, thonë analistët politikë.

Ilir Dugolli, analist, vlerëson se kjo situatë e len mundësinë e dhënies fund të misionit të UNMIK-ut

“Kjo nuk e vë në pyetje ekzistimin e shtetit të Kosovës, mirëpo thjesht është një komplikim, i cili duhet të merret parasysh dhe i cili i len pak hapësirë OKB-së që shprehimisht t’i japë fund misionit të vet. Dhënia fund misionit të vet do të vijë në mënyrë të heshtur, aty-këtu ndoshta edhe duke u thirrur në Rezolutën 1244 ose vazhdimin e një pranie nominale. Në një formë ose në një tjetër, kjo do të zbehet ose hiqet sa më shpejt që është e mundur, por jo edhe aq shpejt sa do të dëshironim të gjithë ne”, tha Dugolli.

Ai ka shpjeguar se moskoordinimi i OKB-së dhe BE-së do të ketë ndikim negativ në funksionimin e shtetit të Kosovës dhe, sipas tij, shpallja e pavarësisë së Kosovës është dashur t’i sqarojë shumë gjera.

“Është një hap, një episod, që besoj se do të kalohet kështu, me pasoja sa më të vogla. Pasojat që kanë ardhur nga ky moskoordinim, në radhë të parë nga strukturat ndërkombëtare, të Bashkësisë Evropiane dhe të OKB-së, duhet bërë përpjekje që të neutralizohen sa më tepër që është e munduar gjatë këtyre muajve në vijim”, tha Dugolli.

Ndërsa, sipas analistit tjetër politik, Ramush Tahiri, vazhdimi i misionit të UNMIK-ut nuk mund të paraqesë ndonjë problem në funksionimin e shtetit të Kosovës. Ai konsideron se Republika e Kosovës duhet ta zbatojë pakon e Ahtisaarit.

“Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, por e ka pakon e Ahtisaarit, e cila duhet të implementohet në përpikëri. Kosova nuk ka qasje në misionin evropian, as në misionin ndërkombëtar. Unë nuk shoh ndonjë shqetësim se në një pjesë do të jetë misioni i UNMIK-ut ende, deri në fazën e përfundimit në qershor, apo të themi në vazhdimin edhe tre muaj pas qershorit. Gjithashtu nuk e shoh telashe edhe misionin e EULEX-it, sepse janë misione që ndihmojnë në bartjen e përgjegjësive dhe detyrave te organet e Kosovës. Është me rendësi gjithashtu ruajtja e kufijve të Kosovës dhe tërësia territoriale dhe në këtë punë ata nuk kanë konfrontime”, tha Tahiri.

Ai ka shtuar se misioni i UNMIK-ut duhet të jetë prezent në Kosovë deri atëherë sa vlerëson Organizata e Kombeve të Bashkuara.

“UNMIK-u do të punojë në Kosovë për aq sa vlerëson Këshilli i Sigurimit se është e nevojshme të punojë dhe në cilat pjesë duhet të punojë, edhe pse në pakon e Ahtisaarit është paraparë vija ndarëse, të themi 120 ditëshe, e tranzicionit dhe e kalimit të kompetencave nga UNMIK-u në misionin evropian EULEX”, tha Tahiri.

Mbetja në fuqi e Rezolutës 1244 e mban në Kosovë UNMIK-un, duke e vënë në pikëpyetje realizimin e tranzicionit sipas pakos së Ahtisaarit, thonë analistët politikë.
XS
SM
MD
LG