Ndërlidhjet

logo-print

Berman: Pavarësia krijon siguri dhe stabilitet në Ballkan


Howard L. Berman

Howard L. Berman

Në Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë të Kongresit të Shteteve të Bashkuara është mbajtur një dëgjim për politikën amerikane në Ballkan, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe për zgjerimin e mëtutjeshëm të aleancës veriatlantike. Gjatë diskutimeve, ligjvënësit amerikanë janë pajtuar se pavarësia e Kosoëvs nuk ka pasur alternativë tjetër.


Në këtë dëgjim, zyrtari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Daniel Fried, tha se "Kosova nuk paraqet precedent".

Por, anëtari i Kongresit, republikani Ted Poe, e vuri në pikëpyetje autoritetin e administratës së presidentit amerikan, George Bush, për të zgjedhur se a ka të drejtë apo jo një grup për ta pasur shtetin e vet.

Vendimi i administratës amerikane për njohjen e pavarësisë së Kosovës u mbështet nga anëtari i Kongresit, demokrati Eliot Engel, i cili tha se nuk kishte alternativa më të mira.

"As kontrolli i Kombeve të Bashkuara e as kontrolli i Serbisë ndaj Kosovës nuk ishin alternativa të mundshme", tha ai.

Zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit, Daniel Fried, u pajtua me këto konstatime, duke thënë se Serbia e humbi kontrollin mbi Kosovën që në vitin 1999.

"Përpjekjet tona në Ballkan janë të bazuara në një objektiv gjithëpërfshirës: integrimi i rajonit në institucionet euro-atlantike", tha zoti Fried, duke shtuar se që "prej shpalljes së pavarësisë, kosovarët kanë lëvizur shpejt për t'i respektuar dhe, para së gjithash, për t'i mbrojtur minoritetet, e veçanërisht serbët".

Kongresmeni republikan, Dan Burton, megjithatë, iu bashkua zotit Poe në kundërshtimin e lëvizjes së Shteteve të Bashkuara në raport me Kosovën, duke thënë se kjo "mund të çojë në konflikte të tjera".

Por, kryesuesi i Komitetit, demokrati Howard L.Berman, e lavdëroi administratën e presidentit Bush për njohjen e shtetit të ri dhe tha se ai "beson se ky hap do të krijojë siguri dhe stabilitet në Ballkan".

"Janë ngritur shqetësime në disa sektorë të komunitetit ndërkombëtar mbi ligjshmërinë e deklaratës për pavarësinë e Kosovës dhe për njohjen që i ka bërë Amerika shtetit të ri", ka thënë kongresisti Berman.

Në këtë kuadër, ai shprehu mbështetjen e tij për qëndrimin e administratës amerikane dhe të aleatëve kyçë evropianë, se situata në Kosovë është e veçantë, duke marrë parasysh historinë e spastrimit etnik dhe përfshirjen e paprecedent të Kombeve të Bashkuara dhe të NATO-s në Kosovë.

Duke rikujtuar vizitën që i ka bërë Kosovës para një viti së bashku me senatorin John McCain, kryesuesi i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë tha se është përballur me domosdoshmërinë e madhe të Kosovës për zhvillim ekonomik.

"Tani, me zgjidhjen e statusit politik të Kosovës, liderët e saj duhet të përqendrohen në ndërtimin e një ekonomie të fuqishme, të shëndoshë dhe të vetëqëndrueshme", ka thënë zoti Berman.

Sipas tij, sfidat në këtë drejtim janë të mëdha, por të tilla janë edhe pasuritë që Kosova ka, burimet minerale, popullatë të re dhe vendosmëri për të ecur përpara.

"Mbi të gjitha, udhëheqësit në Kosovë përballen me përgjegjësinë më të madhe për të siguruar se ky shtet i ri do të mbetet një shtëpi e sigurt dhe nikoqire për të gjithë qytetarët, përfshirë këtu edhe pakicën serbe", ka thënë zoti Berman, duke mirëpritur në këtë drejtim përpjekjet për t’i zbatuar të gjitha rekomandimet që dalin nga pakoja e Martti Ahtisaarit.

Duke folur ndërkaq për zhvillimet në Serbi, kongresisti Howard Berman tha se "me gjithë faktin se Rusia është prezantuar si mike e mirë për Serbinë dhe për mbështetjen që ka dhënë është shpërblyer shumë, me 51 për qind të aksioneve të kompanisë shtetërore të naftës në Serbi, populli serb duhet ta dijë se e ardhmja e tyre është tek Perëndimi dhe jo Lindja".
XS
SM
MD
LG