Ndërlidhjet

"A do t'i mbajë Serbia zgjedhjet edhe në Kosovë?"


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

EXPRESS
Mbledhja e fundit e Këshillit të Sigurimit kushtuar Kosovës, e ftuar me kërkesën e Serbisë dhe Rusisë, tregoi se tash janë përmbysur raportet rreth çështjes së Kosovës. Beogradi dhe Moska tani kërkojnë riafirmimin e rezolutës 1244 dhe vazhdimin e bisedave, ndërkaq që fuqitë perëndimore injorojnë dhe bllokojnë këto nisma, duke insistuar që pikënisja të jetë realiteti i ri i krijuar në Kosovë. Ky, kuptohet, është një pat pozicion sa i përket vendimmarrjes në Këshillin e Sigurimit, por, për Serbinë, e edhe Rusinë, nuk ka më gjasa reale që iniciativa të kalojë në anën e tyre. Për më shumë se bjë vit e gjysmë, Serbia luante me durimin e faktorëve ndërkombëtarë, duke shpikur referendume dhe zgjedhje në mënyrë që të prolongohet ajo që ishte e paevitueshme – shpallja e pavarësisë së Kosovës...

EPOKA E RE
Ish i dërguari i posaçëm i OKB-së për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, i ka thënë BBC-së së bashkësia ndërkombëtare nuk do të lejojë që në Kosovë të krijohen struktura që bien ndesh me planin e tij. Ai thotë se shpreson që tashmë statusi i Kosovës është qartësuar, të gjithë në rajon do të sillen me përgjegjësi. Ish-presidenti finlandez, pash shpalljes së pavarësisë së Kosovës, deklaroi se nuk ka më kthim në të kaluarën dhe se të gjithë në rajonin e Ballkanit duhet të sillen me përgjegjësi. “Jam shumë i kënaqur me atë se ku ndodhemi tani. Isha shumë i zhgënjyer se nuk mund ta bënim nëpërmjet Këshillit të Sigurimit, që ishte përparësi për të gjithë ata që tashmë e kanë pranuar Kosovën...”, ka thënë ndër të tjera Ahtisaari...

LAJM
Ka ndërruar statusi i Kosovës dhe kanë hyrë në fuqi shumë ligje të miratuara në Kuvend dhe të nënshkruara nga PSSP-ja, por rregulloret e UNMIK-ut, që të gjitha, ende janë në fuqi. Bazuar në funksionimin juridik, tërë infrastruktura ligjore e UNMIK-ut pothuajse i ngjan vitit 1999, ndonëse gjërat kanë evoluar. Administrata e UNMIK-ut ende nuk mund të sqarojë se kur do të fillojë shfuqizimi i pjesës legjislative të saj. “Aktualisht nuk ka rregullore që janë shfuqizuar dhe ju e dini se struktura e tashme ligjore, e përcaktuar në Kornizën Kushtetuese, mbetet në fuqi ende. Ne kemi thënë më parë se PSSP-ja nuk do të ndërhyjë në punët e Kuvendit të Kosovës. Po ashtu, UNMIK-u nuk do të nxjerrë më ndonjë rregullore që nuk është në përputhje me strukturën aktuale ligjore”, tha për “Lajm” zëdhënësi i UNMIK-ut, Russell Geekie...

INFOPRESS
Protestat e dhunshme serbe, kërcënimet e politikës së Beogradit dhe përpjekjet ruse për të influencuar vendimin e shteteve tjera për mosnjohjen e pavarësisë, nuk kanë ndikuar aspak në qëndrimin e Bashkimit Evropian karshi Kosovës. Madje, protestat e dhunshme të zhvilluara në enklavat serbe në Kosovë dhe në Beograd, tentimet e forcave rezerviste të ushtrisë serbe për të kaluar kufirin dhe kërcënimet e vazhdueshme verbale, sipas analistëve politikë dhe njohësve të situatës, tregojnë hiç më shumë faktin se “serbët janë nxitës të dhunës dhe provokues të destabilitetit në Ballkan”. “Është koha kur një pjesë e pjesëtarëve të SHPK-së të komunitetit serb janë jashtë institucioneve, prandaj duhet të apelohet që ata të mos kyçen në strukturat paralele”, thotë Nuredin Ibishi, ekspert në fushën e sigurisë...

KOSOVA SOT
Deputetët e Kuvendit të Kosovës nga komuniteti serb, pasi e kanë ngrirë përkohësisht pjesëmarrjen e tyre në Kuvend dhe në Qeverinë e Kosovës, pas datës 17 shkurt, të mërkurën janë treguar të gatshëm që pas një marrëveshjeje të re për koalicion të ri brendapërbrenda subjekteve politike serbe dhe një marrëveshjeje tjetër për përfaqësim në Qeveri, ata të rikthehen në jetën institucionale për mbrojtjen e interesave të komunitetit të tyre, pavarësisht statusit të vendit. Sllavisha Petkoviq, deputet nga Partia Demokratike Serbe e Kosovës, tha se që nga 17 shkurti e këndej, qytetarët serbë të Kosovës kanë mbetur pa përkujdesje të mirëfilltë institucionale, prandaj një pozitë e tillë nuk shkon në favor as për jetë normale dhe sigurinë e tyre...

BOTA SOT
Qëndrimet shtetërore dhe qeveritare të disa vendeve ballkanike lidhur me Kosovën, po relativizojnë haptas qëndrimet e tyre të deklaruara zyrtarisht si pro evropiane dhe atlantike. Derisa ata kanë aplikuar të anëtarësohen në të gjitha instancat euroatlantike, kur u del Kosova parasysh, nuk lëvizin vendin të ndryshojnë botëkuptimin dhe qëndrimin e tyre historik kontinuel dhe ky botëkuptim i vjetër politik, në një mënyrë shumë të haptë, konservon situatë destabilizimi të mundshëm, pamundësi të përmirësimit të marrëdhënieve fqinjësore, politike etj. Derisa shtetet më të fuqishme të botës janë deklaruar për pavarësinë e Kosovës, disa vende të Ballkanit hezitojnë të bëjnë një kthesë të fortë historike, të largohen nga e kaluara... Në ç’mënyrë pengohet kjo kthesë e fortë politike progresive drejt sistemit demokratik dhe integrues në Ballkan?...

ZËRI
Presidenti Fatmir Sejdiu ka përmendur të drejtën e serbëve të Kosovës për dyshtetësi, në bazë të propozimit të Martti Ahtisaarit. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se “Qeveria do të marrë një vendim racional dhe do të jemi në koordinim edhe me faktorin ndërkombëtar”. Shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker, këtë javë, do të diskutojë me përfaqësuesit e Grupit të kontaktit për një vendim rreth mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës... Presidenti i Kosovës e ka lënë të hapur mundësinë që serbët e Kosovës të votojnë në zgjedhjet për Parlament të Serbisë, që do të mbahen pas dy muajsh...

KOHA DITORE

”Kjo do të jetë hera e fundit që dikush do të pretendojë të fitojë vota nga Serbia, sepse të gjithë qytetarët do të votojnë në Kosovën sovrane, të pavarur dhe demokratike”, ka thënë Hashim Thaçi. Kjo sprovë pritet, por edhe tashmë ka filluar praktikisht të dominojë edhe në takimet që prijësit kosovarë kanë me ambasadorët apo zyrtarë të lartë ndërkombëtarë. Rreth çështje së dhënies apo jo të lejes që Serbia sërish të mbajë zgjedhjet në Kosovë, pritet të vlerësohet edhe nga aspekti i sigurisë dhe i stabilitetit të përgjithshën në Kosovë, nga pakti veri-atlantik, i kanë thënë gazetës burime perëndimore. Të premten, këtë qasje personalisht do ta shtrojë sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, gjatë një vizite të shkurtër në Prishtinën zyrtare...

NACIONAL
Pak më shumë se një orë i është dashur Kuvendit të republikës së Kosovës që t’i miratojë edhe 10 projekt-ligje të tjera që dalin si obligim nga pakoja e Ahtisaarit. Kryeministri Hashim Thaçi, duke paraqitur ekspozeun e projektligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme, i cili qe tërhequr nga procedurat e miratimit me kërkesë të qeverisë, një çështje që nuk është zbardhur ende deri në fund, theksoi se ky projektligj rregullon themelimin e një institucioni të ri që është i rëndësishëm për këtë periudhë të realitetit të ri në Kosovë. Thaçi u shpreh se ky projektligj organizon krijimin e shërbimit diplomatik në vende të tjera dhe në organizatat e ndryshme ndërkombëtare. Gjithashtu, kryeministri paraqiti para deputetëve edhe ekspoezenë e projektligjit për Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës...
XS
SM
MD
LG