Ndërlidhjet

Rishikohen skemat sociale



Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka filluar rishikimin e skemës sociale dhe kontrollimin e listave të përfituesve të mundshëm. Sipas udhëheqësve të kësaj ministrie, rishikimi i skemës sociale pason parregullsitë dhe keqmenaxhimet që janë bërë nga, siç thonë ata, qeveria e kaluar.

Zëvendësministri Gjergj Dedaj thotë se në listat e skemës sociale është vërejtur një numër i madh i përfituesve, që nuk i plotësojnë kriteret për ndihmë.

“Parregullsitë janë vërejtur; familja ose individi nuk ka nevojë për asistencë sociale, sepse kemi gjetur raste kur ata kanë makinë, e në anën tjetër, ata janë në listën e asistencës sociale. Por, ka raste kur nuk ka asnjë burim në familje dhe nuk gjendet në skemën sociale. Ka raste edhe të çështja e pensioneve; për shembull, individi merr pensionin nga bota e jashtme 1000 euro, por, në anën tjetër, e shfrytëzon pensionin edhe në Kosovë prej 40 eurosh”, thotë Dedaj.

Çdo instalim i politikës se re në institucione është vetëm përpjekje për të krijuar përshtypjen se po punohet. Kështu thotë ish-ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ibrahim Selmanaj, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Ai nuk e përjashton mundësinë e ndonjë parregullsie eventuale, por një kontrollim i listave të përfituesve është bërë vitin e kaluar, thotë Selmanaj, sipas të cilit, që prej atij kontrolli, buxheti i Kosovës ka përfituar 3 milionë euro. Një veprim aq i shpejtë është i panevojshëm, thotë ai, duke shtuar se në këtë rast ka më shumë fjalë se punë konkrete.

“E vërteta është se është i njëjti staf në administratë që punon dhe është në kuadër të punës që ka filluar nga viti i kaluar dhe në këto masa prapë do të vazhdojë, sepse është një politikë e instaluar brenda Ministrisë së Punës dhe është një staf shumë profesional që e njeh natyrën e punës mjaft mirë. Ndërkaq, sa i përket stafit politik, do të ngelet me kohën, por është një staf që nuk e kupton rolin e punës”, thotë Selmanaj.

Megjithatë, zëvendësministri Gjergj Dedaj pohon se argumentet për keqmenaxhim nga qeveria e kaluar janë të mjaftueshme dhe për këtë, thotë ai, është marrë ky veprim, në mënyrë që të eliminohen parregullsitë e deritashme.

“Kemi argumente dhe fakte që ka pasur në këtë drejtim parregullsi. Insistimi ynë është jo për të denoncuar dikë, por për të përmirësuar kualitetin dhe cilësinë e asistencës sociale për këto kategori”, shprehet Dedaj.

Ndryshe, 127 milionë euro është buxheti i Ministrisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale, ndërkaq 90 për qind prej kësaj shume shpenzohet për rastet sociale.

Kjo ministri ndan nga 40 euro në muaj për pensionistët, 35 deri në 75 euro për familjet në gjendje të rëndë sociale dhe deri mbi 100 euro për invalidët e luftës, varësisht nga shkalla e invaliditetit.
XS
SM
MD
LG