Ndërlidhjet

Scheffer: KFOR-i garanton siguri dhe stabilitet


Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jaap De Hoop Scheffer tha se 16 mijë pjesëtarët e KFOR-it në Kosovë ndodhen atje për të mbrojtur shumicën shqiptare dhe pakicën serbe, si dhe për të garantuar klimën e sigurisë dhe të stabilitetit.

Ai i bëri këto komente në Varshavë, ku tha se samiti i NATO-s në Rumani duhet të japë sinjal të qartë se dyert e aleancës janë hapur për Ukrainën dhe Gjeorgjinë.

"Presidenti Putin ka thënë se do të marrë pjesë në samitin. Kuptohet, askush nuk pret që ai të heshtë për çështjet siç janë Kosova, Traktati i Forcave Konvencionale apo zgjërimi i NATO-s. Por ne nuk duhet lejuar që dallimet tona ta fshehin progresin që NATO dhe Rusia e kanë bërë mbi një numër çështjesh tjera", tha Scheffer.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s gjithashtu e porositi Beogradin se e ardhmja e Serbisë është në integrimin euroatlantik.

"Nuk kam asnjë dyshim se e ardhmja afatgjate e Serbisë shtrihet në integrimin euroatlantik. Ne duhet t'ia bëjmë të qartë Beogradit dhe popullit të Serbisë se nuk ka të ardhme të qëndrueshme në përqafimin e nacionalizmit të inatosur", tha Jaap de Hoop Scheffer.
XS
SM
MD
LG