Ndërlidhjet

“Maqedonia në krizë”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

EPOKA E RE
Kufijtë e Kosovës janë më të mbrojturit në botë, sepse ata janë të siguruar nga KFOR-i, SHPK-ja dhe policia e UNMIK-ut, ka thënë në një intervistë për Epokën e Re, gjeneralmajor Behar Selimi, asistent i komisarit për kufij... “Opinioni e di se kohëve të fundit, vendkalimet kufitare të Kosovës janë cenuar nga protestat, të cilat manifestuan pakënaqësinë e grupeve të caktuara nga Serbia, grupeve të qytetarëve që kanë protestuar në mënyrë agresive. Me gjithë përpjekjet e tyre për destabilizim, ne e kemi menaxhuar situatën mirë dhe këtyre ditëve vërehet një qetësi relative e njerëzve të pakënaqur nga ajo anë, kjo nuk do të thotë se kanë pushuar përpjekjet e tyre për ta cenuar integritetin territorial, por nuk mund ta konsiderojmë si cenim klasik nga grupe qytetarësh që kanë shfaqur pakënaqësi. Ne jemi republikë demokratike që i kuptojmë edhe pakënaqësitë e qytetarëve të shteteve fqinjë...”, thotë, pos tjerash, gjeneralmajor Selimi...

LAJM
Formimi i qeverisë së re pas zgjedhjeve të nëntorit të vitit të kaluar, si dhe çështja e statusit të Kosovës që më 17 shkurt rezultoi me shpalljen e pavarësisë, ka lënë nën hije çështjen e të zhdukurve gjatë luftës së fundit. Prej se është formuar qeveria e re, asnjëherë nuk është debatuar për këtë çështje, ndërkaq Komisioni qeveritar asnjëherë nuk është mbledhur. Zyrtarët e institucioneve, sa herë i mësyjnë ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, përballen me fotografitë e të zhdukurve, të varura në rrethojën e këtij objekti... Takimi me palën serbe, i paraparë të mbahet në shkurt, nuk është mbajtur me arsyetimin se deri të enjten, Komisioni qeveritar për të zhdukurit nuk ka pasur drejtues. Mbi 2000 të zhdukur, shumica e tyre shqiptarë, janë gjetur nëpër varrezat masive në Serbi, ndërsa llogaritet të jenë të humbur edhe rreth 2000 të tjerë...

INFOPRESS
Shtetasit e Kosovës, shumë shpejt, do të kenë në duart e tyre pasaportat e Republikës së Kosovës. Një gjë të tillë e ka konfirmuar të enjten, në Prishtinë, kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, gjatë mbledhjes së rregullt të kabinetit qeveritar. Me këtë rast, kabineti i ministrave, i kryesuar nga kryeministri Thaçi, ka miratuar në parim projektligjin për nxjerrjen sa më të shpejtë të dokumenteve të udhëtimit për shtetasit e Kosovës. “Shtetasit e Kosovës së shpejti mund të pajisen me pasaportat e Republikës së Kosovës që do të jenë me ngjyrë të kaltër të mbyllur dhe stemën e Republikës në mes”, ka konfirmuar Thaçi... Ndërsa, është diskutuar edhe lidhur me procesin e njohjes së shtetit të Kosovës, situatën e sigurisë, procesin e tranzicionit, marrëdhëniet aktuale me vendet në rajon dhe përgatitjet për Konferencën e donatorëve...

KOSOVA SOT
Shkupi ka marrë goditjen më të rëndë në një moment kritik të shtetit maqedonas që është afër anëtarësimit në NATO, krahas Kroacisë dhe Shqipërisë, por ka një konflikt të ashpër me Greqinë për shkak të emrit. Tërheqja e partive shqiptare, PDSH-së dhe PPD-së, e ka futur Maqedoninë në një krizë, nga e cila mund të dilet vetëm me zgjedhje të parakohshme. Nëse shohim gjashtë kërkesat e PDSH-së së Menduh Thaçit, të bie në sy që njëra prej tyre është edhe njohja e pavarësisë së Kosovës. Me tërë ata shqiptarë në vendin fqinj, Maqedonia, në vend që t’i printe listës rajonale të njohjes së Republikës së Kosovës, në fakt luajti një lojë tjetër. Deklaratat e udhëheqësve maqedonas, Gruevski dhe Cervenkovski, kohët e fundit, flasin edhe për gjoja një “rrezik” nga pavarësia e Kosovës. Kjo është skandaloze, nëse kemi parasysh se stabilitetit rajonal nuk i kontribuon vetëm paqja kosovare, por edhe situata përtej kufijve, sidomos kur është fjala për territorin fqinj, ku tensionet mund të shpërthejnë brenda pak orëve...

BOTA SOT
Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi, ka deklaruar se Kosova ka një bashkëpunim shumë të mirë me UNMIK-un dhe Misionin e BE-së në Kosovë dhe nëpërmjet kooperimit me ata që janë këtu në Kosovë, por edhe me qendrat e vendimmarrjes ndërkombëtare, do të bëhet zgjidhja më e mirë e mundshme. “Qeveria e vendit është e interesuar që të ketë bashkëpunim të ngushtë me faktorin ndërkombëtar, duke përfshirë Misionin e BE-së dhe UNMIK-un, por ajo kundërshton dualizmin politik për punë dhe përgjegjësi të njëjta”, ka thënë Kuçi... Ai ka thënë se institucionet e Kosovës dëshirojnë një bashkëpunim të plotë me bashkësinë ndërkombëtare me një qendër të vendimmarrjes. “Mendoj që UNMIK-u është në fazën e zbehjes, e jo të forcimit të rolit të tij”, ka thënë ai...

ZËRI
EULEX-i do të funksionojë në gjithë Kosovën. Këtë qëndrim kategorik e ka përsëritur sërish Iv de Kermabo, shefi i këtij misioni, ish-komandanti i KFOR-it. Realisht nuk mund të jetë ndryshe, veçmas kur dihet se cili është mandati i këtij misioni: Forcimi i rendit dhe i ligjit. Dhe duhet thënë troç, që UNMIK-u, deri tash, nuk kam mundur ta kalojë Ibrin dhe asnjëherë nuk ka arritur të vendosë rendin dhe ligjin në veri të Mitrovicës dhe të Kosovës. Një tjetër rend ka qenë dhe ka mbetur në fuqi atje: Ai i Serbisë. Dhe, gjithnjë ka qenë i njëjti, pa marrë parasysh se kush ishte në krye të pushtetit të Serbisë. Mbase, askush më mirë se Iv de Kermabo, kur flasim për përbërjen e tashme të ICO-së dhe EULEX-it, nuk e di se çfarë pasojash për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës ka pasur dykuptimësia e regjimit të UNMIK-ut në Kosovë...

KOHA DITORE
Kreu i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka kundërshtuar publikisht çfarëdo tentative të Serbisë që të zhvillojë zgjedhjet e veta në territorin e Kosovës. Për këtë punë, ai ka kërkuar nga misioni i OKB-së në Kosovë dhe ai i NATO-s që të zbatojnë mandatin e tyre, meqë nuk bëhet fjalë nëse duhet apo nuk duhet lejuar zgjedhjet e Serbisë të mbahen edhe në Kosovë, tani që ajo është pavarësuar. “Kjo pyetje nuk duhet të jetë, Kosova e ka shpallur pavarësinë, Kosova i ka kufijtë e vet dhe shpallja e pavarësisë e ka njohjen ndërkombëtare. Sigurisht se në Kosovë nuk do të duhej të mbaheshin zgjedhjet e ardhshme të një vendi tjetër dhe këtë përgjegjësi e ka UNMIK-u dhe KFOR-i dhe shpresojmë se ata do ta kryejnë detyrën dhe obligimet e tyre që i kanë marrë për Kosovën, për sigurinë në Kosovë, për sundimin e rendit dhe ligjit”, ka thënë ai...

NACIONAL
E enjtja ka qenë ditë me lëvizje në kampin e deputetëve serbë të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Dy deputetë nga radhët e grupimit parlamentar serb në legjislativin kosovar, janë larguar nga ky grupim, për t’iu bashkuar radhëve të deputetit dhe ish-ministrit për Komunitete dhe Kthim, Sllavisha Petkoviq. Deputetët janë larguar me pretekstin se kryetari i Partisë Liberale të Pavarur, Sllobodan Petroviq, nuk ka punuar për interesa të komunitetit të tyre. Dragisha Miriq, i Partisë Serbe për Kosovë e Metohi dhe Lubisha Zhiviq, kryetar i Lëvizjes së Social-demokratëve të Pavarur të Kosovës, janë deputetët që kanë dhënë dorëheqje të parevokueshme nga Grupi Parlamentar serb. Sipas tyre, GP i kryesuar nga PLP-ja, gjatë gjithë kohës ka punuar sipas interesave personale e jo për interesa të serbëve që jetojnë në Kosovë, kështu që dy deputetët serbë i kanë ofruar dorëheqjen kryeparlamentarit Krasniqi...

EXPRESS
Liderët kosovarë dhe ata serbë sërish duhet të përballen me njëri-tjetrin, për të diskutuar rreth raporteve të tyre në të ardhmen. Mirëpo, kjo aktualisht duket se është vetëm një vizion i ndonjë diplomati evropian, pasi që dy palët janë larg të bëjnë një gjë të tillë. Gati një muaj pas shpalljes së pavarësisë, tema që është duke dominuar në qarqet ndërkombëtare ka të bëjë me anëtarësimin e Kosovës në organizma të ndryshëm ndërkombëtarë. Serbia dhe Rusia janë duke kundërshtuar pavarësinë e Kosovës dhe ato mund të bllokojnë anëtarësimin e saj në OKB. Ministri i Jashtëm i Italisë, Massimo D’Alema, ka thënë se për të arritur anëtarësimin e Kosovës në OKB, duhet një marrëveshje mes Prishtinës e Beogradit... Liderët kosovarë thonë se vendi nuk do të hyjë në negociata me Serbinë për të arritur një marrëveshje që do të mundësonte anëtarësimin në OKB...
XS
SM
MD
LG