Ndërlidhjet

Çmimet e larta, pagat e ulëta


Pagat e ulëta dhe çmimet e larta të artikujve ushqimorë në tregun kosovar, vazhdimisht po përkeqësojnë standardin jetësor të qytetarëve kosovarë.

Zyrtarë në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë pohojnë se prej vitit të kaluar është vërejtur një rritje e madhe e çmimeve të artikujve ushqimorë.

Vetëm çmimi i miellit dhe produkteve të tij është rritur qind për qind në krahasim me vitin e kaluar, thotë Izer Arifi, shef i departamentit të tregtisë dhe industrisë. Ai pohon se arsye e ngritjes se çmimeve në tregun kosovar, është rritja e çmimeve në bursën ndërkombëtare.

“Janë ngritur çmimet e grurit, çmimet e karburanteve dhe të artikujve tjerë ushqimorë. Por, ka qenë një ngritje shumë e shpejtë e çmimit të miellit. Ne e kemi përcjellë vazhdimisht me shqetësim, se në këtë rast edhe Kosova është pjesë e një tregu global, çka nuk ka mundur të jetë si përjashtim nga kjo”, thotë Arifi.

Ngritja e çmimeve të produkteve ushqimore vështirëson shumë jetën e qytetarëve, për shkak se pagat janë shumë të ulëta, thotë Arifi.

“Këto janë momente të vështira, qytetari kosovar me një pagë prej 200 eurosh, është shqetësuese me të vërtetë. Por, ne e dimë se jemi në fazën e parë të krijimit të shtetit dhe qeveria është duke punuar vazhdimisht në funksion të krijimit të një mirëqenieje për të gjithë qytetarët”, shprehet Arifi.

Paga mesatare e punëtorëve që punojnë në institucionet publike është 206 euro, thotë Muharrem Shahini, nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave.

“Sa i përket shportës së konsumit, për vitin 2005, sipas statistikave që i kemi, për një familje prej 6.5 anëtarësh, shpenzimet e shportës vjetore duhet të jenë 5683 euro, që në muaj i bien 488 euro”, thotë Shahini.

Ndryshe, institucionet e Republikës së Kosovës tashmë janë duke përgatitur masa preventive, në rast të ngritjes së çmimeve, thotë Arifi, duke shtuar se Qeveria e Kosovës duhet të krijojë fondin rezervë shtetëror me artikuj elementarë.

Ndërkaq, situata rreth çmimeve, sipas tij, është një situatë që nuk kontrollohet nga institucionet.

“Qeveria është duke përgatitur një projekt, i cili do të gjendet në formë, ose do të prezantohet në Konferencën e donatorëve, që t’i krijojë rezervat e shtetit dhe herë pas here, me artikuj elementarë, që kanë drejtpërdrejt ndikim në standardin e shtresave të gjera, të intervenojë me ato rezerva”, tha Arifi.

Ndryshe, ngritje e fundit që është paralajmëruar, është rritja e çmimit të energjisë elektrike për 15 për qind.

Në anën tjetër, varfëria në Kosovë vazhdon të jetë shumë e lartë. Raporti i fundit i Bankës Botërore thotë se 37 për qind e popullatës së Kosovës jetojnë me më pak se 1.42 euro në ditë, ndërkaq, 15 për qind jetojnë me më pak se 93 centë në ditë.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG