Ndërlidhjet

Dhuna në Mitrovicë - pasojë e konfuzionit mbi kompetencat


Protestuesit serbë para gjykatës në Mitrovicë
Protestuesit serbë para gjykatës në Mitrovicë

Serbët në veriun e Mitrovicës po tentojnë të mos lejojnë asnjë lloj pushteti civil në këtë pjesë dhe hyrja me dhunë e disa serbëve në gjykatë, është tentim i Serbisë që të shtrijë sovranitetin në territorin e Kosovës, thonë ekspertët e sigurisë dhe analistët.


Hyrja me dhunë e serbëve në ndërtesën e Gjykatës Komunale dhe të Qarkut në Mitrovicë, si dhe acarimi i situatës së sigurisë atje, është pasojë e mosdefinimit të kompetencave mbi sigurinë në mes të UNMIK-ut, EULEX-it dhe Qeverisë së Kosovës.

Kështu vlerësojnë ekspertët e sigurisë dhe analistët në Kosovë.

Blerim Kuçi, ekspert për siguri, thotë se ngjarjet e sotme në Mitrovicë janë pjesë e planeve të veprimit të serbëve për destabilizimin e shtetit të Kosovës dhe ndarjen e një pjese të saj.

“Për serbët është me rëndësi shumë të madhe që mos të ketë asnjë lloj pushteti civil në atë pjesë, të mos jetë as UNMIK-u, as EULEX-i, e as institucionet tona. Atyre nuk u bën problem çështja e prezencës së KFOR-it, sepse KFOR-i në fakt është NATO dhe NATO ka edhe në Gjermani, në Itali dhe në shumë vende të botës. Ata po duan të na sjellin para një argumenti të kryer, në kuptimin e asaj se toka është e atij që ka pushtet”, thotë Kuçi.

Ndërkaq, analisti Driton Lajçi thotë se ngjarjet e sotme në Mitrovicë janë konflikt brenda një territori, që vijnë si pasojë e garës për pushtet në mes të UNMIK-ut, EULEX-it, Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Serbisë.

“Kjo është si pasojë e marrëveshjes politike, duke filluar që nga Këshilli i Sigurimit. Kjo mosmarrëveshje është duke reflektuar në terrenin e Kosovës. Prandaj, serbët janë duke u përpjekur që ta shtrijnë territorin e vet, ta shtrijnë autoritetin e vet në territorin e Kosovës, ta shtrijnë sovranitetin e vet në territorin e Kosovës, duke bërë këta hapa, siç ka ndodhur në rastin e sotëm. Qeveria e Kosovës, Misioni i Kombeve të Bashkuara, duhet të ndërmarrin masat e nevojshme adekuate për ta rikthyer autoritetin e vet në veriun e Mitrovicës”, tha Lajçi.

Edhe zoti Kuçi shpreh mendimin se institucionet ndërkombëtare dhe vendore në Kosovë duhet të ndërmarrin veprime energjike për rikthimin e situatës në rrjedha normale.

“Unë mendoj se duhet të jenë më energjikë në kalimin e kompetencave prej UNMIK-ut në institucionet tona. E para, ne kemi pasur një marrëveshje të dikurshme, që kompetencat e UNMIK-ut të kalojnë në institucionet tona e pastaj në EULEX. Ky proces duhet të kalohet më shpejt, në mënyrë që të dihet saktë se e kujt është përgjegjësia. UNMIK-u është në bartje, në transferim. Ka dëshirë të kalojë pa probleme dhe këtë vakuum, serbët përpiqen ta shfrytëzojnë sa më mirë. Do të thotë, nevojitet që sa më shpejt të barten kompetencat te EULEX-i dhe ajo të implementojë mandatin që e ka”, tha Kuçi.

Ndryshe, zoti Lajçi thotë se ngjarjet e sotme në Mitrovicë do ta tensionojnë edhe më tej veriun e Mitrovicës, me tendencë që Kosovën ta paraqesin si shtet jofunksional, si dhe duke krijuar situata të pakëndshme për faktorët relevantë në Kosovë.

“Qëllimi tendencioz i Serbisë në këtë rast është që ta paraqesë Kosovën si shtet jofunksional dhe të pengojë njohjen e mëtejme të shteteve, të cilat kanë planifikuar që ta njohin Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. Forcat e sigurisë, filluar nga KFOR-i, duhet t’i përdorin të gjitha mjetet e nevojshme, duke filluar prej negociatave në radhë të parë. Nëse shteren të gjitha mundësitë demokratike dhe paqësore, atëherë duhet t’i ndërmarrin masat e nevojshme që ta mbrojnë popullatën e veriut të Mitrovicës”, tha Lajçi.
XS
SM
MD
LG