Ndërlidhjet

logo-print

Scheffer: Sulmi ndaj gjykatave në Mitrovicë, akt kundër OKB-së


Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, takoi presidentin Fatmir Sejdiu dhe kryeministrin Hashim Thaçi, 14.03.2007

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, takoi presidentin Fatmir Sejdiu dhe kryeministrin Hashim Thaçi, 14.03.2007

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, zhvillimet në Mitrovicë, me ç'rast një grup serbësh ka hyrë në Gjykatën e Qarkut dhe atë Komunale, i cilësoi si sulm ndaj Kombeve të Bashkuara dhe komunitetit ndërkombëtar në përgjithësi.


Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, u ka bërë thirrje sot liderëve të Kosovës që të vazhdojnë të mbajnë nën kontroll gjendjen dhe të udhëheqin me proceset politike, siç kanë bërë këto javët e fundit.

Ndërkohë që zhvillimet e sotme në Mitrovicë, me ç’rast një grup serbësh kishte hyrë në Gjykatën e Qarkut dhe atë Komunale, ai i cilësoi si sulm kundër UNMIK-ut dhe sulm kundër bashkësisë ndërkombëtare.

Scheffer tha se ka biseduar me autoritetet më të larta kosovare dhe ato të pranisë ndërkombëtare në Kosovë dhe se ishte bindur se askush nuk i kishte kërkuar KFOR-it për të qetësuar gjendjen e sotme në Mitrovicë, duke rikujtuar se situata të tilla i përkasin më shumë policisë.

“Kjo dëshmon se ky ishte një akt kundër Kombeve të Bashkuara, kundër UNMIK-ut dhe kundër komunitetit ndërkombëtar”, tha Scheffer.

Intervenimi për të qetësuar gjendjen në Mitrovicë, sipas tij, i ka takuar UNMIK-ut, përkatësisht policisë së Kosovës. Në vazhdim, sekretari i përgjithshëm i Aleancës Veri-atlantike tha se ishte i kënaqur që javët e fundit në Kosovë, kur kishte zhvillime të rëndësishme politike, nuk kishte parë ndonjë valë refugjatësh apo dhunë ndëretnike, siç paralajmëronin disa.

Ai tha se ka biseduar për zhvillimet politike edhe me presidentin Fatmir Sejdiu dhe kryeministrin Hashim Thaçi.

“Kosova nuk mund të fitojë asgjë me anë të provokimeve dhe mendoj se kryeministri e presidenti kanë treguar moderim, siç kanë treguar dhe po tregojnë shumë njerëz në Kosovë”, tha Scheffer.

Ndërsa kishte takuar udhëheqësit kosovarë dhe kishte vizituar një fshat në Komunën e Vushtrrisë, të banuar me serbë, Scheffer megjithatë nuk ka arritur të takojë liderët lokalë serbë në Mitrovicë. Ai tha se në këtë qytet, ishte pritur nga kryetari i komunës, Bajram Rexhepi, por serbët kishin refuzuar ta takojnë. Ky vendim i tyre, sipas Jaap de Hoop Scheffer, ishte për keqardhje, duke pasur parasysh se NATO-ja, përkatësisht KFOR-i, në vazhdimësi po kujdeset për sigurinë e pakicave, sidomos të serbëve.

Me këtë vizitë, Scheffer tha se ka dëshiruar që të rikonfirmojë edhe njëherë rolin e KFOR-it në Kosovë. Ky rol, shtoi ai, është brenda mandatit të Rezolutës 1244 siç ka qenë, siç është dhe siç do të jetë, për të garantuar paqe dhe stabilitet dhe për të mbrojtur secilin qytetar të Kosovës, qoftë ai i shumicës, apo i pakicave.

Edhe gjatë kësaj vizite, Scheffer e përjashtoi kategorikisht mundësinë e ndarjes së Kosovës, duke ritheksuar se KFOR-i është në Kosovë dhe do të veprojë sipas mandatit dhe rolit që ka.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG