Ndërlidhjet

Moore: "Dehja" me Kosovën ndihmon Nikoliqin dhe Koshtunicën


Patrick Moore

Patrick Moore

“Gjithnjë, përderisa votuesit do të logjikojnë si të "dehur" rreth Kosovës, Nikoliqi e Koshtunica kanë gjasa të mira. Por, votuesit, përmes Kosovës, s'mund të sigurojnë zgjidhjen e problemeve ekonomike”, thotë analisti i Radios Evropa e Lirë, Patrick Moore.


RADIO EVROPA E LIRË
"Serbia shumë shpejt duhet të bëjë zgjedhje historike, ose të niset drejt një të ardhmeje më të mirë si pjesë e Bashkimit Evropian, ose drejt izolimit", ka vënë në pah këtë javë "New York Times". Nga është drejtuar, sipas jush, Serbia?

PATRICK MOORE
Nuk është e qartë. Në zgjedhjet presidenciale, Tadiqi fitoi me epërsi të vogël dhe rrjedhimisht Nikoliqi dhe miqtë e tij mund të fitojnë shumicën në Parlament. Kjo do të bëhet më e lehtë nëse Koshtunica u bashkohet radikalëve, me të cilët është më i afërt në aspektin ideologjik.

Nuk duhet harruar as faktin se politika, në të shumtën e rasteve, bëhet në çështjet lokale. Njerëzit votojnë të prirë nga çështjet jetike dhe jo të "mëdha". Megjithatë, besoj se votuesit do të votojnë për opsionin e Bashkimit Evropian, sepse kjo për ta do të thotë udhëtim pa viza dhe avantazhe tjera.

Sidoqoftë, duhet pritur. Pas përvojës jo të mirë me Rumaninë dhe Bullgarinë, Bashkimit Evropian nuk i ngutet të pranojë vende tjera nga Ballkani. Kroacia dhe vendet tjera ballkanike tash janë duke e paguar çmimin e pranimit të Rumanisë dhe Bullgarisë, që nuk ishin të përgatitura.

RADIO EVROPA E LIRË
Votuesit serbë, në zgjedhjet e janarit mbështetën Boris Tadiqin. A mendoni se pavarësimi i Kosovës do ta fuqizojë këtë pozicion të Tadiqit apo do t’i forcojë pozicionet e ultra-nacionalistëve?

PATRICK MOORE
Kjo është një pyetje shumë e mirë. Gjithnjë, përderisa votuesit do të logjikojnë si të "dehur" rreth Kosovës, Nikoliqi dhe Koshtunica kanë gjasa të mira. Por, votuesit përmes Kosovës nuk mund të sigurojnë zgjidhjen e problemeve ekonomike që prekin të gjithë serbët.

Nëse Tadiqi do të jetë i mençur, ai do të shmanget së foluri për Kosovën dhe do t'u ofrojë atyre përparësitë ekonomike nëse zgjedhin Bashkimin Evropian. A do ta bëjë ai një gjë të tillë, është dilemë e madhe.

RADIO EVROPA E LIRË
Në prill mbahet Samiti i NATO-s. A mendoni se zgjerimi do të ketë ndonjë ndikim në zhvillimet në Serbi, duke pasur parasysh faktin se Beogradi do të gjendet i rrethuar me vendet anëtare të NATO-s?

PATRICK MOORE
Serbët e dinë se janë në radhën e fundit sa i përket NATO-s dhe se e vetmja që ka mbetur me ta, është Bosnja, por kjo nuk është diç e re.

Një pjesë e madhe e serbëve e identifikojnë NATO-n me fushatën e bombardimeve dhe rrjedhimisht refuzojnë t'i bashkohen.

Në vitin 2002, në Pragë, ishte mbajtur Samiti i NATO-s. Me këtë rast, në selinë e Radios Evropa e Lirë ishin ftuar studentë nga vendet ballkanike, që nuk pranoheshin në Aleancën Veri-atlantike. Të pranishëm ishin presidentët e Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë. Studentët nga Beogradi atëbotë patën lënë përshtypje shumë të keqe, sepse ishin të zemëruar ndaj gjithkujt. Por, ku ishte shkaku i këtij zemërimi? Mendoj se ata ishin të zemëruar nga fakti që shqiptarët, kroatët dhe maqedonasit ishin nisur në trenin që po linte stacionin. Gjashtë vjet më parë, ata e kishin kuptuar se ishin lënë për të pritur në platformë.
XS
SM
MD
LG