Ndërlidhjet

Gjykata në Mitrovicë vazhdon të mbahet nga protestuesit serbë


Pamje nga protesta e djeshme e serbëve, para gjykatës në Mitrovicë.
Pamje nga protesta e djeshme e serbëve, para gjykatës në Mitrovicë.

Në oborrin e këtij institucioni aktualisht konsiderohet të jenë rreth 50 protestues, por nuk dihet numri i protestuesve që mund të jenë brenda ndërtesës, thotë Besim Hoti, zëdhënës i SHPK-së. Policia ende nuk ka reaguar për t'i larguar protestuesit.


Protestuesit serbë në Mitrovicë kanë qëndruar gjatë gjithë natës dhe vazhdojnë të jenë prezentë në oborrin e gjykatës, duke pretenduar ta mbajnë nën kontroll ketë institucion.

Sipas zëdhënësit të Shërbimit Policor të Kosovës, Besim Hoti, në oborrin e këtij institucioni, aktualisht konsiderohet të jenë rreth 50 protestues.

“Në bazë të informacioneve të fundit që kemi, besohet të jenë 40-50 persona, të cilët vazhdojnë të qëndrojnë në oborrin e këtyre dy gjykatave. Udhëheqësit e strukturës komanduese të Policisë së UNMIK-ut në Mitrovicë tashmë kanë përfunduar një takim me udhëheqësit politikë të komunitetit serb në veri, lidhur më lirimin e këtyre objekteve, para se policia të detyrohet të ndërmarrë forma të tjera të zgjidhjes së këtij problemi, si teori e fundit”, tha Hoti.

Se policia rajonale e UNMIK-ut, gjatë ditës, ka pasur një takim me ish-punëtorët e gjykatave, të cilët po qëndrojnë në oborrin e këtij institucioni, e ka konfirmuar edhe Nebojsha Joviq, nga Këshilli Nacional Serb, që, sipas tij, nuk ka pasur ndonjë rezultat. Ai tha se përfaqësuesit e Policisë së UNMIK-ut kanë kërkuar që protestuesit të largohen nga ndërtesa.

“Ata kanë dalë me një qëndrim. Kanë dhënë afat që gjykata të zbrazet deri në orën 12. Kërkojnë me ultimatum që deri në orën 12, të gjithë punëtorët e gjykatës t’i braktisin hapësirat e saj, në mënyrë që, siç thuhet, t’i japin rast UNMIK-ut që të fillojë bisedimet, si dhe ekipit negociues, para gjykatës”, tha Joviq.

Sido që të jetë, protestuesit nuk kanë përfillur ultimatumet e policisë ndërkombëtare dhe ata po vazhdojnë të qëndrojnë në ndërtesën e gjykatës.

Sipas Milan Bigoviqit, ish-punëtor i Gjykatës së Qarkut, protestuesit janë të bindur për të protestuar deri në realizimin e kërkesave të tyre.

“Punëtorët e gjykatave do të qëndrojnë 24 orë në ndërtesë, deri në realizimin e kërkesave. Le të na largojnë me dhunë”, tha Bigovq.

Zyrtarët e Republikës së Kosovës, pas incidentit të djeshëm, i cili ka ndodhur në veri të Mitrovicës, ku disa protestues serbë kanë hyrë me dhunë në ndërtesën e gjykatës, thanë se nuk do të lejojnë në asnjë mënyrë cenimin e institucioneve të Kosovës.

Ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, thotë se banorët serbë të veriut të Mitrovicës janë të manipuluar dhe, sipas tij, ata janë duke bërë provokime të rënda në drejtim të institucioneve kosovare.

“Me shqetësim i kemi përcjellë informatat që kanë ardhur nga Mitrovica. Me shqetësim, për shkak se një numër i qytetarëve të manipuluar ka hyrë në objektet shtetërore të Kosovës, në gjykata dhe kanë provokuar rëndë, kanë cenuar rendin, integritetin e institucioneve tona. Kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me Policinë e UNMIK-ut dhe kemi qenë të interesuar që sa më shpejt të merren masat dhe të kemi një situatë të qetë atje”, tha ministri Pajaziti.

Sipas tij, situata në veri vazhdon të jetë e qetë dhe nën kontroll. Zoti Pajaziti tha se institucionet e Kosovës po u bëjnë thirrje banorëve serbë që të mos bëjnë provokime të tilla, pasi që, sipas tij, ato bartin rreziqe. Po ashtu, ai tha se duke vërejtur frustrimet e banorëve serbë, institucionet ndërkombëtare dhe vendore do të veprojnë në mënyrë të matur.

“Institucionet tona dhe ato ndërkombëtare janë të përkushtuara që të reagojnë në mënyrën më të mirë, për shkak se, siç e dini, një grup i caktuar i qytetarëve janë shumë të manipuluar, shumë të frustruar dhe ne po dëshirojmë që konfliktet e tilla, ngjarjet e tilla t’i evitojmë pa ndonjë pasojë të rëndë. Duhet ta dini po ashtu se ne po vazhdojmë t’i kuptojmë ata, por, ndërkohë, mesazhi ynë është i qartë, nuk do të lejomë cenimin e institucioneve tona“, u shpreh Pajaziti.

Po ashtu, edhe sot në veri të Mitrovicës ka vazhduar protesta tjetër e zakonshme e banorëve serbë, të cilët e kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës. Policia njofton se protesta ka filluar në orën 12:44 dhe ka përfunduar e qetë.

XS
SM
MD
LG