Ndërlidhjet

logo-print

Qeveria e Kosovës ende pa program


Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës

Ndonëse kanë kaluar tre muaj nga formimi i Qeverisë së Kosovës, ajo ende nuk ka përgatitur programin qeveritar. Ekspertët e ekonomisë thonë se kjo do të paraqesë vështirësi për anëtarësimin e Kosovës në institucionet monetare ndërkombëtare.


Edhe pas tre muajve të formimit të qeverisë së re, ajo ende nuk ka program qeveritar.

Mungesa e një programi të tillë po ndikon në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik, thonë ekspertë për çështje ekonomike. Ata pohojnë se tashmë, pas shpalljes së pavarësisë, Kosova po përgatitet për anëtarësim në institucionet financiare ndërkombëtare dhe për Konferencën e donatorëve, ndërkaq programi qeveritar është i domosdoshëm.

Safet Gërxhaliu, zyrtar për marrëdhënie me jashtë në Odën Ekonomike të Kosovës, thotë se mungesa e programit qeveritar do të paraqesë vështirësi të mëdha në anëtarësimin e Kosovës në Bankën Botërore dhe në Fondin Monetar Ndërkombëtar.

“Ajo çka është më shqetësuese, është fakti se bisedohet për Konferencën e donatorëve, bisedohet për Konferencë të investitorëve të huaj, bisedohet për ngritje të atraktivitetit të Kosovës; premtohen miliarda euro investime, apo mjete nga Konferenca e donatorëve, por lind pyetja se si do të absorbohen ato mjete, në qoftë se nuk kemi vizion të qartë, nuk kemi projekte konkrete dhe kjo e përcjell Kosovën tetë vjet pas lufte”, thotë Gërxhaliu.

Sipas Gërxhaliut, Qeveria e Kosovës më tepër po merret me gjëra periferike, sesa po ballafaqohet me problemet apo me gjërat që tashmë, pas zgjidhjes së statusit, janë të nevojshme për Kosovën.

“Është utopike të mendohet se do të kemi zgjidhje të problemit, pa ballafaqim me problemin. Është më e rrugës të ulemi të kemi vizon të qartë. Thuhet se qeveria ka ekspertë, ka grumbulluar ekspertë, së paku është proklamuar nëpërmes mediave se është një elitë e ekspertëve. Por, tash është koha kur duhet një gjë e tillë, sepse nëse mungon një vizon i qartë, edhe anëtarësimi në këto institucione do të jetë më i vështirë”, thotë Gërxhaliu.

Agim Shahini, udhëheqës i Aleancës Kosovare të Biznesit, thotë se Qeveria e Kosovës duhet sa më shpejt të hartojë programin qeveritar dhe në atë program të përfshihen politika që nxisin zhvillimin ekonomik.

“Duhet të fokusohet në hartimin e politikave zhvillimore dhe këto politika zhvillimore do të jenë të orientuara në prodhimtari vendore, por njëkohësisht edhe në hapjen e perspektivave dhe thithjes së investimeve nga jashtë, të cilat do të çojnë drejt eksportit”, thekson Shahini.

Ndryshe, zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, thotë se qeveria ka program dhe gjatë javës së ardhshme do ta dërgojë në Kuvendin e Kosovës.

“Arsyeja ka qenë ndryshimi i statusit final të Kosovës; ka rritur kompetencat dhe përgjegjësitë e qeverisë dhe Konferenca e donatorëve do të përputhet me prioritet e tyre. Ne do ta dërgojmë (programin qeveritar) në Kuvend, javën e ardhshme, e pastaj ata e procedojnë”, tha Kuçi.

Sidoqoftë, dy partnerët e koalicionet, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, gjatë fushatës zgjedhore, kanë prezantuar programet e tyre partiake, por si duket ato ende nuk kanë arritur që t’i përmbledhin në një program unik qeveritar.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG