Ndërlidhjet

Shqipëri: Shpërthen depoja e municionit


Të plagosurit sillen në qendrat spitalore
Të plagosurit sillen në qendrat spitalore

Pesë persona kanë vdekur dhe të paktën 200 të tjerë janë plagosur nga një varg shpërthimesh në një depo municionesh në fshatin Gërdec të Vorës, në afërsi të Tiranës.


Zhurmë, dridhje të fuqishme dhe re të mëdha tymi tronditën kryeqytetin shqiptar, pak minuta pas mesditës.

Shpërthimi ndodhi në depot e armatimit dhe predhave, në fshatin Gërdec, afro 16 kilometra larg kryeqytetit.

Deri në orët e vona bëhet fjalë për 5 viktima dhe afro 200 të plagosur, mes të cilëve gra e fëmijë, ku ka dhe të lënduar në gjendje të rëndë.

Incidenti mendohet të ketë ndodhur gjatë një operacioni çmontimi të armatimeve, nga një firmë e huaj. Dëshmitarë pranë vendngjarjes kanë dhënë dëshmi rrëqethëse si dhe theksuan faktin për humbje të kontakteve me të afërmit e tyre, si dhe për shkatërrimet masive të banesave dhe automjeteve.

Shpërthimet vijuan njëra pas tjetrës, duke sjellë një atmosferë lufte në zonë, ndërkohë që Tirana u përfshi nga një gjendje alarmi të ambulancave, zjarrfikësve dhe mjeteve të tjera të ekipeve të shpëtimit.

Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se numri i të vdekurve është i konsiderueshëm, dhe ka urdhëruar ngritjen e disa shtabeve të emergjencës. Ai e cilesoi ngjarjen një tragjedi të përmasave të jashtëzakonshme. Berisha tha se depot e armatimit përbëjnë një rrezik kombëtar për vendin.

Presidenti Bamir Topi bëri thirrje për vetëkontroll dhe mbështetje ndaj bluzave të bardha.

Spitalet e Tiranës, gjatë gjithë ditës, patën dyndje të ambulancave që transportonin të plagosurit. Politikanë dhe autoritete të larta të shtetit vizituan të lënduarit si dhe dhuruan gjak, së bashku me mijëra banorë nga e gjithë Shqipëria.

Ndërkohë, gjatë gjithë ditës, në media janë përcjellë thirrje për ndihmë nga disa banorë që kanë mbetur të izoluar në fshatrat pranë depove të armatimit.

Ekspertët e armatimeve thonë se nuk priten shpërthime të tjera, ndërkohë që ende nuk ka informacion të saktë për viktimat, të plagosurit, apo dëmet që janë shkaktuar brenda zonës së shpërthimit.

Forcat e KFOR-it në Kosovë kanë dërguar me qindra qese gjaku dhe mjete ndihmëse për mbrojtjen shqiptare.

Ministria e Mbrojtjes tha se disa shtete, si Turqia dhe Maqedonia, kanë treguar gatishmëri për t'u gjendur pranë me logjistikë dhe burime njerëzore pranë ekipeve të shpëtimit.

Forcat speciale të policisë njoftuan se janë duke e mbaruar evakuuimin e zonës ku gjendet depoja e armatimit në Gërdec, mirëpo ekpiet e mbrojtjes ende nuk kanë hyrë në zonën e depos ku ka ndodhur shpërthimi.

Shpërthimi ka qenë aq i fuqishëm sa është dëgjuar edhe 100 kilometra më larg në Maqedoni. Zëdhënësi i policisë, Ivica Kotevski, ka thënë se në shumë shtëpi janë dridhur dritaret.

"Shumë njerëz na raportuan për shpërthime të fuqishme, por nuk është regjistruar asnjë incident", ka thënë Kotevski.

Kryeministri Berisha ka marrë një telefonatë nga presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, i cili shprehu të gjithë mbështetjen dhe keqardhjen e tij të thellë dhe të qytetarëve të Kosovës për këtë ngjarje tragjike dhe solidaritetin me Qeverinë shqiptare dhe gjithë Shqipërinë.

Kryeministri Berisha dhe presidenti Topi kanë pasur gjithashtu mesazhe ngushëllimi dhe solidariteti nga presidenti francez, Sarkozi, ministri i Jashtëm, Kushner, dhe personalitete të tjera të BE-së.

Shqipëria është duke e asgjësuar arsenalin e saj dhe po modernizon ushtrinë e saj, me qëllim që të marrë ftesë për NATO, muajin e ardhshëm, në Samitin e Bukureshtit.
XS
SM
MD
LG