Ndërlidhjet

Thaçi e Feith mbështesin UNMIK-un në kthimin e normalitetit në Mitrovicë


Mitrovica

Mitrovica

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Peter Feith, i kanë dhënë sot mbëshjtetje UNMIK-ut në përpjekjet që të kthejë normalitetin në Mitrovicë.


Mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë, bashkë me institucionet e Kosovës, do ta mbajnë gjendjen nën kontroll në gjithë territorin e Kosovës, përfshirë edhe veriun, ka thënë sot kryeministri Hashim Thaçi.

Këto komente, Thaçi i bëri pas një takimi që zhvilloi me shefin e Zyrës Civile Ndërkombëtare, Peter Feith.

Të dy bashkëbiseduesit i dhanë mbështetje UNMIK-ut në vazhdimin e zbatimit të kompetencave për ta kthyer gjendjen në Mitrovicë dhe pjesët tjera ku ka nevojë, nën administrimin e institucioneve legale.

Kryeministri Thaçi tha se reagimet e vendorëve dhe ndërkombëtarëve në situata të tilla, si ajo në Mitrovicë, do të jenë të matura dhe nuk do të ketë reagime që do të dëmtojnë imazhin e Kosovës si një shtet që po mbush një muaj të funksionimit.

“Fuqia ime dhe institucioneve shtetërore nuk matet me fuqinë e përdorimit të forcës, por me fuqinë e veprimit të arsyes. Ndërkohë që nuk do të lejojmë që institucionet e Kosovës të bien në provokimin e ndonjë tendence të caktuar për ta destabilizuar Kosovën. Veprimet tona të arsyeshme e kanë përkrahjen e botës demokratike dhe do të ngadhënjejnë ndaj çdo veprimi huligan të kujtdo qoftë”, tha Hashim Thaçi.

Në anën tjetër, Peter Feith është thirrur sërish në deklaratën e Bashkimit Evropian, me të cilën dënohet sjellja e pjesëtarëve të komunitetit serb, që hyri me dhunë në objektet e gjykatës në Mitrovicë.

Feith tha se pret që Kombet e Bashkuara t’i vënë nën kontroll të gjitha institucionet shtetërore të Kosovës. Ai edhe këtë herë ka thënë se UNMIK-u do ta vazhdojë mandatin e vet që ka në Kosovë siç kishte edhe më parë, duke mos potencuar ndonjë rol që EULEX-i mund të marrë në veri të Kosovës.

“Kryeministri dhe unë shpresojmë dhe besojmë se UNMIK-u do t’i ndërmarrë masat e nevojshme për ta vënë gjendjen nën kontroll në bazë të mandatit që ka”, tha Feith.

Kosova është ende në fazën kur UNMIK-u vazhdon t’i ushtrojë kompetencat, sipas Rezolutës 1244.

Feith në asnjë moment nuk e tha se dyfishimi i misioneve ndërkombëtare mund të reflektohet negativisht apo pozitivisht në funksionimin e Kosovës dhe institucioneve të saj.

Ngjashëm me të, edhe kryeministri Thaçi tha se prania e UNMIK-ut edhe në Kosovën e pavarur, nuk duhet shikuar si pengesë, pasi që, sipas tij, UNMIK-u bashkë me KFOR-in e kanë ndihmuar aq shumë Kosovën këto vitet e fundit.

“Roli i komunitetit ndërkombëtar është ndihmues dhe është në interesin tonë, është në interesin e paqes dhe stabilitetit në rajon, është në interesin e investimit të SHBA-ve dhe BE-së. Ne nuk jemi vend i izoluar, por, përkundrazi, i hapur dhe me pretendime për t’u integruar shpejt në NATO dhe në BE”, tha kryeministri Thaçi.

Kryeministri Thaçi tha po ashtu se zhvillimet e fundit në veri të Kosovës nuk do të ndikojnë në njohjen e Kosovës si shtet, pasi që, sipas tij, shumë shpejt, Kosova do të njihet nga një numër shumë i madh i vendeve botërore.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG