Ndërlidhjet

Haziri: UNMIK-u e ka përfunduar misionin në Kosovë


 Lutfi Haziri

Lutfi Haziri

"Misioni i UNMIK-ut në Kosovë ka përfunduar dhe faza e tranzicionit duhet të qartësohet. Në të kundërtën, nëse në Kosovë do të vazhdojë praktika e funksionimit të katër qeverive, vendi mund të zhytet në paqartësi", thotë Lutfi Haziri, nënkryetar i LDK-së.



RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haziri, fillimisht, si i vlerësoni zhvillimet në pjesën veriore të Kosovës dhe a prisni hapa tjerë shtesë nga ana e mekanizmave ndërkombëtarë dhe e Qeverisë së Kosovës, për stabilizimin e gjendjes atje?

LUTFI HAZIRI
Në radhë të parë, vendimet paralele që janë të ndikuara nga Qeveria e Serbisë, janë të papranueshme. Nën hije shihet që është një skenar i përgatitur shumë më herët dhe një skenar që është pretenduar të imponohet në negociata për statusin e Kosovës.

Është e njëjta platformë që është provuar në negociata dhe që nuk është mbështetur. Ai skenar për vendosjen e paralelizmave dhe forcimin e atyre organeve në Kosovë, është i rrezikshëm për funksionalitetin e Kosovës si shtet, në të ardhmen e afërt.

Incidentet e izoluara, reagimi pas statusit dhe menaxhimi i kësaj situate nga institucionet e Kosovës, por edhe ndërkombëtare, ka qenë i efektshëm. Por, tendenca me hekurudha, me organet e gjyqësisë, tendencat që të organizohen zgjedhje për pushtet vendor dhe për komuna në Kosovë, janë të papranueshme, janë të rrezikshme dhe do ta dëmtojnë funksionalitetin e Kosovës.

Vetë fakti që në kontinuitet po vazhdohet, tregon qartë se nuk ka tendenca të stopimit apo të ndaljes së këtyre masave.

Unë besoj se reagimi duhet të jetë i menjëhershëm, duhet të jetë adekuat dhe mos të lejohet që brenda territorit të Kosovës të ndërhyjë në sovranitet Serbia apo dikush tjetër.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa konsideroni se pakoja e Ahtisaarit është e mjaftueshme për zgjidhjen e problemit serb në Kosovë, apo duhet të ketë masa shtesë në këtë drejtim?

LUTFI HAZIRI
Absolutisht e mjaftueshme. Pakoja dhe mekanizmat që duhet të ndërtohen për mbrojtjen e komunitetit serb dhe pakicave tjera në Kosovë, janë mjaft unike dhe tejkalojnë shpeshherë edhe standardet tjera, janë masa te negociuara dhe të mbështetura ndërkombëtarisht. Kemi të bëjmë me kompetenca, me të drejta, me privilegje të shtuara.

Ajo që duhet të ndodhë tash pas miratimit të pakos dhe të kushtetutës, që pritet të ndodhë brenda këtij muaji, do të jetë implementimi. Implementimi urgjent, i domosdoshëm, në mënyrë që qytetari i zakonshëm ta shohë dhe ta ketë mbrojtjen adekuate nga institucionet e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë, a ndihmon apo pengon, kushtimisht thënë, prania e UNMIK-ut edhe pas tranzicionit në Kosovë, përkatësisht dyfishimi i misioneve ndërkombëtare dhe kompetencat jo të plota të institucioneve të Kosovës në anën tjetër, që të zgjidhen përfundimisht problemet që preokupojnë komunitetin serb në Kosovë?

LUTFI HAZIRI
Kosova këto tetë vjet ka eksperiencën e vet pozitive dhe eksperienca të tjera sa i përket administratës së UNMIK-ut në Kosovë.

Përfundimisht, roli, mandati dhe misioni i UNMIK-ut në Kosovë ka përfunduar më 17 shkurt. Faza e tranzicionit duhet të qartësohet dhe të përfundojë, në mënyrë që organet tjera, institucionet tjera ndërkombëtare, si ICO dhe EULEX, të marrin dhe të ushtrojnë mandatin e tyre.

Në të kundërtën, Kosova do të vazhdojë të jetë me të njëjtat probleme sfiduese, edhe më tutje të jenë katër qeveri që veprojnë brenda një territori, pa kompetenca të definuara, pa misione të qarta dhe qytetari i Kosovës do të vazhdojë të jetojë në konfuzion të plotë. Do të ketë pengesa sigurisht në këtë fazë, nëse nuk arrihet të definohet qartë.

Besoj se Qeveria e Kosovës duhet ta ushtrojë përgjegjësinë dhe duhet ta ushtrojë autoritetin e vet në gjithë territorin e Kosovës, sipas të drejtës së saj, ndërsa EULEX-i është me mandat për ta ndihmuar, për ta monitoruar dhe për ta mbështetur Qeverinë e Kosovës; ndërkaq, ICO-ja është për të monitoruar një pjesë të kompetencave që dalin si mekanizëm, i cili ka mandat ndërkombëtar.

UNMIK-u do të mbetet pa detyra realisht dhe ashtu siç ka hyrë në Kosovë me mision të qartë, ashtu duhet gradualisht të tërhiqet nga Kosova, përfundimisht për ta përmbyllë kaptinën e administrimit brenda kësaj faze, që e ka kaluar tashmë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haziri, e përmendët miratimin e kushtetutës. Kur konsideroni se duhet të hyjë në fuqi kushtetuta si dhe ligjet që mundësojnë funksionimin e Kosovës si shtet? Gjatë qershorit, kur konsiderohet se përmbyllet faza e tranzicionit, apo më herët?

LUTFI HAZIRI
Miratimi i kushtetutës besoj se do të ndodhë gjatë muajit mars ose në javën e parë të muajit prill. Hyrja në fuqi është e lidhur me tranzicionin, që lidhet kryesisht me mandatin dhe rolin e UNMIK-ut. Sa më shpejt që ndodh kjo, aq më mirë për të gjithë ne që jetojmë në Kosovë.

Kushtetuta si organi më i lartë në shtet dhe ushtrimi i përgjegjësive kushtetuese nga institucionet e Kosovës, do të ndihmojnë që Kosova të zhvillohet pozitivisht, të funksionalizohet si shtet i ri dhe të hyjë në rrugën e gjatë të integrimeve evropiane, e cila është rrugë njëdrejtimëshe për të gjithë ne.

Nëse vazhdohet me amulli dhe me paqartësi, sigurisht që do të shkaktoheshin defekte të pariparueshme për të ardhmen e Kosovës.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG