Ndërlidhjet

Gërdec: Shtohet numri i viktimave


Të plagosurit sillen në qendrat spitalore
Të plagosurit sillen në qendrat spitalore

Përderisa operacionet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë, ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, thotë se numri i të vdekurve mund të jetë më i lartë se ai që është kumtuar gjatë ditës. Ndërkohë, nga Tirana, në qendrat spitalore të Greqisë dhe Italisë, është bartur një numër i konsiderueshëm i të plagosurve.



Tirana ka kaluar një natë të rëndë dhe me emocione ka përcjellë, moment pas momenti, fatin e qindra banorëve të fshatit Gërdec.

Ndërkohë që sot, rreth orës 11, ka ndodhur edhe një shpërthim i fuqishëm në Gërdec.

Nëntë të vdekur, mes të cilëve një grua dhe dy të tjerë janë ende të paidentifikuar, është deri më tani bilanci zyrtar i viktimave, konfirmuar edhe nga kryeministri Berisha, në një konferencë për shtyp.

242 është shifra e të plagosurve, ku 12 prej tyre, mes të cilëve edhe fëmijë, janë në gjendje rreziku për jetën. Por, një pjesë e tyre u dërguan herët në mëngjes në Janinë të Greqisë dhe pjesa tjetër në Itali.

Ndërkohë, autoritet e rendit bëjnë të ditur se vazhdojnë kërkimet për të zhdukurit nga forcat e ndërhyrjes së shpejtë nga toka dhe ajri. Helikopterë të KFOR-it në Kosovë, me aparate mjekësore dhe ekip të posaçëm mjekësh, kanë mbërritur në aeroportin “Nënë Tereza”, ku kanë zbritur dhe 2 avionë mjekësorë, një nga Italia dhe një nga Greqia.

Afro 100 të plagosur kanë kaluar natën në spitalin ushtarak dhe civil të Tiranës dhe të Durrësit. Sipas mjekëve, bëhet fjalë për plagë kalimtare të pacientëve.

Shpërthime dhe zjarre të vogla kanë vazhduar deri në orët e para të mëngjesit, ndërkohë që forcat e ndërhyrjes së shpejtë të policisë dhe ushtrisë po vijojnë që herët në mëngjes operacionet e shpëtimit të banorëve, që janë ngujuar në tunelet apo banesat e zonës.

Kryeministri Berisha, një pjesë e anëtarëve të Qeverisë dhe deputetë janë mbledhur këtë mëngjes në shtabin e emergjencës, ngritur në Bashkinë e Vorës.

Kryetari i Bashkisë së Vorës, Shyqyri Ismaili, tha në fjalën e tij, ndër të tjera, se ka qindra banesa të dëmtuara në disa fshatra përreth, mes të cilave shumë të pabanueshme.

Në konferëncën e mbrëmshme për mediat, kryeministri Berisha tha se "asgjësimi i municioneve kryhej nga një kompani profesioniste, e cila kishte trajnuar stafin civil të punonjësve". Kryeministri garantoi se do të bëhet një hetinm i zgjeruar dhe do të zbardhen të gjitha përgjegjësitë.

Kryeministri Berisha tha se Shqipëria posedon një arsenal prej 100 mijë ton municionesh, prej të cilave një e dhjeta është asgjësuar falë bashkëpunimit të një projekti të Qeverisë amerikane, me vlerë 30 milionë dollarë. ”Por, rreziku i municioneve është potencial për vendin", tha kryeministri.
XS
SM
MD
LG