Ekipet ushtarake të kërkim-shpëtimit kanë vazhduar edhe sot kërkimin për të mbijetuarit e shpërthimeve masive në një depo armatimi afër Tiranës, nga të cilat u vranë të paktën shtatëmbëdhjetë persona, u lënduan rreth 300 të tjerë dhe u shkatërruan qindra shtëpi.
Nëntë persona vazhdojnë të llogariten si të zhdukur nga shpërthimet, të cilat filluan të shtunën dhe vazhduan 14 orë rresht, deri në mëngjesin e hershëm të së dielës, në fshatin Gërdec, rreth 10 km larg Tiranës.
Ekipet gjithashtu kanë bërë përpjekje të spastrojnë rajonin prej 10 km2, të mbushur ende me mjete të pashpërthyera. Shpërthimi ka shkatërruar më shumë se 300 shtëpi dhe ka dëmtuar rreth 2000 shtëpi të tjera dhe biznese të ndryshme.
Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë ka bërë të ditur se operacioni do të vazhdojë për aq sa të jetë e nevojshme, por shpëtimtarët, të ndihmuar nga ekspertët ushtarakë amerikanë, janë penguar nga sasitë e mëdha të predhave të pashpërthyera artilerike.
Igli Hasani, zëdhënës në Ministrinë e Mbrojtjes, ka thënë se shpërthimet e së dielës kanë shpërndarë municionin nga depot në një rajon prej 1000 hektarësh.
Ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, ka thënë se 298 persona janë lënduar, përfshirë këtu edhe fëmijët dhe më shumë se 50 prej tyre gjenden në spital për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.
Fshati Gërdec është shpallur zonë emergjente dhe kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka premtuar ndihmë për fshatarët që kanë humbur shtëpitë e tyre.
Vetë shpërthimi, ndërkaq, ka krijuar një krater të madh në vendin ku ka qenë e vendosur depoja.
Autoritetet kanë evakuuar rreth 4000 banorë nga tri fshatrat përreth, duke mos i lënë ata të kthehen në shtëpitë e tyre as ditën e hënë, për shkak të rrezikut nga municioni i pashpërthyer. Pjesa më e madhe e municionit në Gërdec ka qenë prodhim rus dhe kinez, i cili në Shqipëri ka hyrë gjatë viteve të 60-ta, në kohën kur vendi ishte nën pushtetin komunist.
Ndërkaq, sot, ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Fatmir Mediu, i ka dorëzuar dorëheqjen e tij kryeministrit Sali Berisha. "Dorëheqja është akt i ndjenjës së përgjegjësisë", ka vënë në pah Fatmir Mediu, i cili me këtë rast ka shtuar se do të asistojë në gjithë procesin e hetimeve rreth zbardhjes së kësaj tragjedie.
Ndryshe, policia e Tiranës njoftoi arrestimin e 4 personave të akuzuar për tragjedinë e shpërthimit në depot e Gërdecit. Sipas njoftimit zyrtar, mes të arrestuarve është edhe administratori i firmës shqiptare të çminimit, Mihal Delijorgji.
Nga ana tjetër, Ambasada Amerikane, në një njoftim për mediat, bën të ditur se firma amerikane private që kishte kontratën për çmontimin e armatimit, nuk financohej nga Qeveria amerikane.