Ndërlidhjet

Cërvenkovski: Ende s’kemi qëndrim për njohjen e Kosovës

  • Blagoje Kuzmanovski

Branko Cërvenkovski

Branko Cërvenkovski

“Ne me vëmendje po e ndjekim situatën, ende nuk e kemi përcaktuar qëndrimin tonë përfundimtar për këtë çështje, edhe pse e kemi të qartë se, herët apo vonë, ky moment do të vijë”, ka thënë presidenti i Maqedonisë, Branko Cërvenkovski, në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë.


RADIO EVROPA E LIRË
Pas daljes së PDSH-së nga Qeveria, sërish po futemi në një periudhë të tensionuar në Maqedoni. Keni thënë se për këtë keni disa ide. Si mund të dilet më së miri nga kjo situatë?

BRANKO CËRVENKOVSKI
Padyshim se dalja e PDSH-së nga koalicioni qeveritar ka shkaktuar një krizë serioze, edhe atë në një periudhë shumë të rëndë për Maqedoninë, vetëm 15 ditë para Samitit të NATO-s në Bukuresht, ku ne presim një vendim shumë të rëndësishëm për ne, se a do të marrim ftesën për anëtarësim të plotë në Aleancën Veri-atlantike.

Por, gjithashtu, nuk duhet të harrojmë se ndodhemi në fazën më delikate të bisedimeve me Greqinë për çështjen e emrit dhe kjo është një periudhë, kur më së paku kemi nevojë për një situatë të tillë.

Shpresoj se kjo situatë shpejt mund të kapërcehet dhe me këtë rast dëshiroj të rikujtoj se idetë që ishin promovuar në opinion, siç janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare apo koalicioni i gjerë, janë tema legjitime, por për ndonjë kohë tjetër, pasi duke marrë parasysh kohën e shkurtër deri në Samitin e Bukureshtit, thjesht mendoj se ato janë të papërdorshme, madje do të thosha edhe kundër-produktive.

Mendoj se çdo hapje e këtyre temave, më shumë do të shkaktonte dëme, sesa ndonjë dobi. Neve na presin vendime të mëdha dhe të rëndësishme, që të mund të përballemi me vendime të tilla pa marrë parasysh se në çfarë drejtimi do të ishin. Ne na nevojiten institucione me kapacitete të plota, pra qeveri me legjitimitet të plotë.

Unë shpresoj se nëse ka vullnet të mirë nga të gjitha partitë kryesore politike dhe kuptohet nëse ka edhe ndjenjë të përgjegjësisë, mund të gjejmë zgjidhje që të paktën në një afat sa më të shkurtër të mund të arrijmë qëllimin, të kemi Qeveri me kredibilitet të plotë, e gatshme të përballet me sfidat dhe të sjellë vendime.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa këto zhvillime të brendshme reflektohen në pozicionin e jashtëm të Maqedonisë?

BRANKO CËRVENKOVSKI
Padyshim se kanë një ndikim negativ në pozicionin tonë. Jemi në një periudhë, kur më së tepërmi kishim nevojë për stabilitet politik të brendshëm, pastaj konsensus të gjerë politik, etnik apo konsensus të plotë për këto çështje të rëndësishme.

Padyshim se ngjarjet e këtilla vetëm se e ulin kapacitetin e këtillë, andaj them se ne kemi nevojë për sanimin e shpejtë të situatës, jo me debate të gjëra, por për një apo dy ditë duhet ta kthejmë gjendjen në kuadër të normales.

RADIO EVROPA E LIRË

Deri në Samitin e NATO-s kemi angazhim të shtuar të Uashingtonit dhe me këtë edhe rritje të presionit ndaj Shkupit dhe Athinës. Përmendet vijën e kuqe, ku ndodhet dhe çfarë do të thotë ajo?

BRANKO CËRVENKOVSKI
Së pari, do të dëshiroja të përshëndes angazhimin e SHBA-ve që në këtë fazë japin kontributin e tyre, pasi është më se e qartë se i tërë procesi i negociatave ka ardhur në fazën e bllokimit, ku të dyja palët mbeten në pozicionet e tyre, nga të cilat nuk heqin dorë, kurse ndërmjetësi Nimic, përkundër angazhimit, nuk po mund të arrijë përparim.

Duke marrë parasysh kredibilitetin e SHBA-ve në Maqedoni dhe Greqi, por edhe në botë, mendoj se angazhimi i tyre vetëm se mund ta ndihmojë këtë proces.

Është e vërtetë se ne kemi disa vija të kuqe. Dua të rikujtoj se gjatë viteve të shkuara, në fakt, lufta për ruajtjen e emrit kushtetues ishte e motivuar me ruajtjen e identitetit tonë kombëtar; ekziston lidhje e fortë mes emrit të shtetit tonë, emrit të kombit tonë dhe identitetit tonë kombëtar. Kjo është më se legjitime, nga e cila nuk mund të heqim dorë.

Mendoj se ka formulë për këtë, ashtu siç ka pasur edhe në të kaluarën, formula që nuk prekin identitetin tonë kombëtar, por që më tepër kanë të bëjnë me një përshkrim plotësues të rregullimit shtetëror të Maqedonisë, që në fakt nënkupton edhe emrin republikë.

Për fat të keq, propozimet e këtilla që në fillim janë hedhur poshtë nga Greqia dhe kjo nënkupton se ajo nuk heq dorë nga pozicioni i saj. Mendoj se në periudhën e ardhshme, me angazhimin e ndërmjetësit, por edhe të SHBA-ve, megjithatë, do të hapen disa mundësi që kjo çështje të zgjidhet.

RADIO EVROPA E LIRË
Po a ka dallime në kreun shtetëror maqedonas, se si të vazhdohet me këtë proces?

BRANKO CËRVENKOVSKI
Mendoj se në tërë periudhën e kaluar, pa marrë parasysh se për disa çështje kemi paraqitur qëndrime të ndryshme, megjithatë për çështjen e emrit, për çështjen e Kosovës, pra për çështjet kyçe të politikës së jashtme, gjithmonë kemi arritur të kemi një qëndrim të harmonizuar.

Kuptohet se kemi pasur dallime për disa qasje teknike, por e përsëris, për strategjinë dhe qëllimet kryesore kemi harmonizime të plota.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur Maqedonia do ta njohë pavarësinë e Kosovës? Cilët faktorë ndikojnë në këtë dhe a mendoni se çështja e demarkacionit duhet të ndërlidhet me këtë proces?

BRANKO CËRVENKOVSKI
Shumë faktorë ndikojnë në këtë. Unë dua të rikujtoj se ne kemi mbështetur negociatat mes Prishtinës dhe Beogradit, dëshironim që të arrihet marrëveshje e pranueshme për të dyja palët, por kjo nuk ndodhi.

Ne mbështetëm planin e Martti Ahtisaarit për shumë arsye dhe njëra ndër to është se me atë plan shumë qartë është e përcaktuar se si duhet të kryhet procesi i demarkacionit të kufirit. Pra, ishin paraparë mekanizmat dhe afatet për realizimin e kësaj çështjeje.

Ne, me vëmendje, po e ndjekim situatën. Ende nuk e kemi përcaktuar qëndrimin tonë përfundimtar për këtë çështje, edhe pse e kemi të qartë se herët apo vonë ky moment do të vijë. Vendimin kuptohet se do ta marrim në përputhje me interesat shtetërore dhe kombëtare edhe atë në momentin më të volitshëm.

Dëshiroj të theksoj se përcaktimi jonë është që të ndërtojmë raporte të mira si me Beogradin, ashtu edhe me Prishtinën. Ne jemi fqinjë si me njërin, ashtu edhe me tjetrin dhe kjo është në interesin tonë kombëtar e shtetëror.

Se a do të vijë deri tek një gjë e tillë, nuk varet vetëm nga ne, varet edhe nga politikat që do të zhvillohen edhe në Beograd, edhe në Prishtinë. Unë shpresoj se do të gjejmë mundësi që ta mbajmë politikën e deritanishme, të ndërtojmë raporte të mira e të balancuara me të gjithë fqinjët tanë.

RADIO EVROPA E LIRË

Lidhur me këtë, a ka ndonjë presion ndaj Maqedonisë nga Beogradi apo ndoshta edhe nga Moska ?

BRANKO CËRVENKOVSKI
Jo. Vetëm nëse këtu nuk merret parasysh qëndrimi zyrtar i Beogradit në raport me të gjitha shtetet e botës që do ta njohin apo veç e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. E dimë se disa masa të caktuara ndaj atyre shteteve veç janë ndërmarrë, megjithatë, presion të drejtpërdrejtë ndaj Maqedonisë nuk ka apo nuk është ndier deri në këto momente.

Sa i përket Moskës, mendoj se gjatë periudhës së kaluar nuk ka pasur asnjë sinjal që do të na dekurajojë. Ne e kemi parasysh edhe politikën e Federatës Ruse, se Moska nuk e ka ndërmend ta njohë pavarësinë e Kosovës, pasi mendon se bëhet fjalë për presedan.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë pasojash mendoni se do të kishte për Maqedoninë ndarja e Kosovës në vija etnike?

BRANKO CËRVENKOVSKI
Ne, që më parë jemi deklaruar për këtë çështje, se kjo është një nga skenarët më të këqij të mundshëm. Ndarja e Kosovës në vija etnike vetvetiu do të ishte një motiv plotësues për strukturat radikale në gjithë rajonin, ndoshta edhe më gjerë, se kufijtë shtetëror duhet të ndryshohen dhe të përputhen me kufijtë etnikë.

Ne shumë herë e kemi thënë dhe këtë pozicion e kemi edhe tani, se ndarja e Kosovës do ishte sinjal i keq dhe duhet bërë gjithçka që kjo të mos ndodhë, pasi strukturat radikale i kemi gjithkund, përfshirë edhe Maqedoninë.
XS
SM
MD
LG