Ndërlidhjet

KFOR-i, UNMIK-u dënojnë dhunën në Mitrovicë


Zëvendësi i parë i shefit të administratës së Kombeve të Bashkuara, Larry Rossin, dhe komandanti i forcave paqeruajtëse, gjenerali Xavier De Marnhac, e kanë dënuar sot shfrytëzimin e dhunës vdekjeprurëse, duke përfshirë këtu zjarrin e drejtpërdrejtë nga një bandë protestuesish në veri të Mitrovicës.

Në një komunikatë të përbashkët për opinion, të dy përfaqësuesit e lartë ndërkombëtarë kanë nënvizuar se dhuna e shfrytëzuar drejt Policisë së UNMIK-ut dhe pjesëtarëve të KFOR-it, të cilët sot rikthyen kontrollin mbi gjykatën në Mitrovicë, është shkelje flagrante e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit. Ata kanë ftuar të gjitha komunitetet për qetësi.

Duke thënë gjithashtu se çdo përdorim tjetër i dhunës kalon vijën e kuqe, e cila qartësisht i është artikuluar udhëheqësve të serbëve të Kosovës në veri dhe zyrtarëve në Beograd, dy përfaqësuesit e lartë ndërkombëtarë kanë nënvizuar se UNMIK-u dhe KFOR-i do të kthejnë kontrollin mbi veriun e Mitrovicës.

Si masë e përkohshme, Policia e UNMIK-ut është duke u zhvendosur nga veriu i Mitrovicës, derisa KFOR-i të rivendosë kontrollin. Policia e UNMIK-ut, e mbështetur nga KFOR-i, vazhdon të jetë në kontroll të vendkalimeve kufitare në veri dhe në disa pjesë të tjera të rajonit të Mitrovicës.

Operacioni i Policisë së UNMIK-ut dhe i KFOR-it për të rivendosur sundimin e ligjit në veriun e Mitrovicës, duke e rikthyer kontrollin mbi gjykatën e UNMIK-ut, ka filluar rreth orës 5:30 të mëngjesit të sotëm. Gjykata është okupuar dhunshëm nga një bandë të premten, më 14 mars, thuhet në komunikatën e përbashkët të UNMIK-ut dhe KFOR-it.
XS
SM
MD
LG