Ndërlidhjet

Muaji i parë i pavarësisë


Obeliski i pavarësisë në Prishtinë

Obeliski i pavarësisë në Prishtinë

Qeveria dhe opozita në Prishtinë ndajnë mendime të ndryshme lidhur me funksionimin e Kosovës si shtet, në muajin e parë të pavarësisë së saj. Ndërsa qeveria e vlerëson të suksesshëm muajin e parë dhe kalimin nëpër sfidat që ka sjellë shpallja, njohja dhe gjendja e përgjithshme e sigurisë, opozita konsideron se qeveria po merret vetëm me simbolika dhe i ka lënë anash çështjet që preokupojnë qytetarët në jetën e tyre të përditshme.


Kosova e ka kaluar me sukses muajin e parë të pavarësisë së saj, duke u përgatitur që të kalojë tani në fazën e funksionimit me kapacitete të plota, thonë në Qeverinë e Kosovës.

Ndërkohë, opozita kritikon qeverinë se ende po merret me simbolika dhe me efektet politike të shpalljes së pavarësisë, por nuk po tregohet e aftë që të funksionojë në shtetin e pavarur të Kosovës.

Ndërkaq, si vlerësim i përbashkët është se pjesa veriore ka qenë dhe mbetet sfidë e vazhdueshme për Kosovën.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se pas shpalljes së pavarësisë, sfida e parë u përballua me sukses, dhe ajo është njohja ndërkombëtare në njërën anë dhe ruajtja e paqes dhe e sigurisë së brendshme në anën tjetër.

“Qeveria e Kosovës konsideron se muaji i parë i pavarësimit të Kosovës ka qenë i suksesshëm, në kuptimin e asaj që Republika e Kosovës ka gëzuar mbështetjen ndërkombëtare nga shtetet më me ndikim në botë. Ne kemi një mbështetje edhe të njohjes, edhe të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me shtetet më me ndikim në kuptimin ekonomik, politik dhe të sigurisë në botë, por edhe me shtetet që mundësojnë zhvillimin edhe të demokracisë dhe liberalizmit në tërësi”, thotë Kuçi.

Por, për dallim nga zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, opozita vlerëson se qeveria po ecën shumë ngadalë në çështjet tjera që kanë të bëjnë me funksionimin e Kosovës si shtet. Ardian Gjini, shef i Grupit Parlamentar të AAK-së, thotë se qeveria po merret vetëm me simbolika, duke u treguar e paaftë që të përballet edhe me çështjet e ndjeshme.

“Mendoj se në Kosovë po vazhdon jeta ashtu si ka qenë edhe para shpalljes së pavarësisë. Sfidat, si po shohim, janë kryesisht në veri të Kosovës, për mos t’i përmendur sfidat e vazhdueshme, që janë mungesa e energjisë elektrike, papunësia etj. Detyrat që i kemi pasur para vetes, i kemi kaluar, kurse sa i përket qeverisjes, mendoj se shumë pak po ndodh, për të mos thënë asgjë”, thekson Gjini.

Nga shpallja e pavarësisë deri te fuqizimi i Kushtetutës dhe ligjeve që mundësojnë funksionimin e Kosovës si shtet, pakoja e Ahtisaarit parasheh kalimin e katër muajve të tranzicionit. Ndonëse për shkak të mbetjes në fuqi të Rezolutës 12 44, tranzicioni nuk është sqaruar deri në fund dhe askush në Prishtinë nuk mund ta thotë me siguri se UNMIK-u do të largohet apo mbetet edhe pas qershorit në Kosovë dhe në çfarë përbërjeje qeveria pret që të mos ketë pengesa në funksionimin e saj.

Gjatë kësaj periudhe, zëvendëskryeministri Kuçi thotë se përveç përgatitjes së anës ligjore e kushtetuese, po bëhen edhe përgatitjet për formimin e ministrive të reja dhe ndërtimin e kapaciteteve humane. Ndërkaq,në aspektin e sigurisë, Kuçi, ndonëse i sheh si një sfidë më vete reagimet e komunitetit serb dhe gjendjen e vazhdueshme jo të qetë në veri të Kosovës, konsideron se gjendja është e përballueshme dhe nën kontroll të plotë të autoriteteve ndërkombëtare dhe atyre vendore.

“Ka tensione të theksuara ndoshta në ndonjë pjesë të Kosovës, por ato nuk e lëndojnë funksionimin e plotë të shtetit të Kosovës. Çdo ditë, Qeveria e Kosovës, në bashkëpunim të plotë me bashkësinë ndërkombëtare, po merr hapat e domosdoshëm për ta qeverisur në kuptimin e plotë tërë territorin e saj”, thotë Kuçi.

Ndërkohë, Ardian Gjini thotë se pavarësisht që Kosova, sipas tij, ka një qeveri jo efikase, ajo, megjithatë, nuk do të dështojë dhe do të ecë përpara. Por, ai tërheq vërejtjen se kapacitetet e reja, që parashihet të ndërtohen, qoftë në politikën e jashtme apo atë të mbrojtjes, ndonëse e kanë rëndësinë e vet, nuk do t’i zbusin krizat sociale dhe as ato energjetike, si dhe çështje tjera që preokupojnë qytetarët e Kosovës.

“Çështja e energjisë, çështja e zhvillimit ekonomik, çështja e arsimit janë esenciale dhe aty është vështirë të gjendet simbolika, por duhet të merren me çështje të vështira. Të gjithë e dimë se janë të vështira, por të paktën duhet të fillohet të punohet në këto drejtime”, vlerëson Gjini.

Ndërsa qeveria dhe opozita ndajnë mendime të ndryshme lidhur me punët dhe angazhimet që po bëhen për funksionimin dhe funksionalitetin e shtetit të Kosovës, në anën tjetër, paralajmërohet që së shpejti, në Bruksel, të organizohet një konferencë donatorësh për Kosovën.

Qeveritarët kosovarë e parashohin atë si momentin më të mirë për të përfituar mbështetje financiare për projektet që, sipas tyre, do të ndihmojnë në fillimin e rimëkëmbjes ekonomike të Kosovës, përderisa opozita e sheh edhe këtë konferencë si një zhvillim që nuk do t’i sjellë aq shumë përfitime Kosovës, si parasheh qeveria.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG