Ndërlidhjet

logo-print

“Beogradi – prodhues i dhunës”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

INFOPRESS
Shtizat e shqiptarëve dhe serbëve pas pavarësimit të Kosovës do të thyhen pikërisht në Mitrovicë. Ky ka qenë një vlerësim i analistëve para shpalljes së pavarësisë së Kosovës, i cili sot, megjithëse jo tërësisht, pjesërisht ka zënë vend në pjesën më të ndjeshme të Ballkanit, në Mitrovicë. Në fakt, shtizat nuk janë thyer mes shqiptarëve dhe serbëve, por mes forcave ndërkombëtare dhe rebelëve serbë, të cilët këmbëngulin me kryeneçësinë e tyre që mos ta njohin realitetin e krijuar tash e nëntë vjet pas luftës, dhe të kurorëzuar më 17 shkurt të këtij viti me shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Ndërmjet shqiptarëve e serbëve, shtizat janë thyer qëmoti dhe vlerësimi se në Mitrovicë do të thyhen sërish, duket i pakuptimtë, kur kihet parasysh fakti që shqiptarët e Kosovës ende nuk kanë asgjë në dorë sa i përket ruajtjes së sovranitetit dhe territorialitetit të Kosovës së pavarur dhe të njohur nga një numër i konsideruar shtetesh të fuqishme...

KOSOVA SOT
Njëri nga ish-kryeministrat e Kosovës, në një bisedë të rastësishme në korridoret e Qeverisë, disa muaj pas trazirave të marsit 2004, shprehte bindjen e tij se këto ngjarje, pavarësisht nga pasojat e rënda, e kishin kthjellur botën. Bilanci i katër vjetëve më parë, ishte padyshim më i rëndi pas vitit 1999, në njerëz dhe në dëme materiale. Miliona euro që duhej të dedikoheshin për arsim, shëndetësi, rrugë, ujësjellës, iu deleguan ndërtimit të kishave ortodokse. Marsi 2007 rrëzoi pritjet e bashkësisë ndërkombëtare për eksperimentin kosovar, ndërsa status quo-ja dhe frytet e saj negative me shpërthimin e pakënaqësisë popullore, e cila edhe u manipulua pas vdekjes tragjike të tre fëmijëve në fshatin Çabër. Katër vjet pas kësaj dhune të pashoqe, Kosova është shtet i pavarur, por dhuna nuk është ndalur. Të zemëruar me shumicën shqiptare, pakica serbe, e mbështetur nga Beogradi, po lufton dhëmbë për dhëmbë me KFOR-in dhe Policinë e UNMIK-ut, për të demonstruar mospajtimin e saj me shtetin kosovar...

ZËRI
Megjithëse Koshtunica dhe ndihmësit e tij, si anëtarë të Qeverisë së Serbisë, janë në dorëheqje e sipër, ata, siç po shihet ditëve të fundit, vetëm sa kanë fituar në fuqi dhe në kompetenca në synimin e tyre për ta bërë rrëmujë gjendjen e sigurisë në Kosovë. Zyrtarët e Paktit NATO nuk e kanë pasur aspak të vështirë që ta drejtojnë gishtin e fajit në drejtim të Beogradit zyrtar, për sulmet e rrezikshme, edhe me armë zjarri, ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe policëve të UNMIK-ut, në veri të Mitrovicës, teksa këta përpiqeshin ta përmbushnin mandatin që del nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. S’ka dyshim që dyshja Koshtunica-Samarxhiq është autor i politikës së konfrontimit total, me të gjitha mjetet, me autoritetet e Kosovës, me shqiptarët e Kosovës, me faktorët ndërkombëtarë në Kosovë. Stabiliteti i Kosovës nuk ka qenë kurrë më i rrezikuar në katër vjetët e fundit, sesa në këto ditët e fundit, kur ekstremistët serbë me dhunë morën në duar gjykatat e Mitrovicës, dhe tani, kur ata iu kundërvunë UNMIK-ut dhe KFOR-it me të gjitha mjetet e mundshme...

KOHA DITORE
Administrata ndërkombëtare në Kosovë është e bindur se trazirat e së hënës në Mitrovicë, janë tërësisht të orkestruara, dhe beson se me intervenimin e policisë dhe forcave paqeruajtëse është penguar përpjekja e parë e Beogradit për ndarjen e Kosovës, pas pavarësimit të saj, më 17 shkurt. Burime nga UNMIK-u dhe zyrtarë evropianë i kanë thënë Kohës Ditore, se ata janë të bindur që trazirat kanë pasur për qëllim që përfundimisht ta ndajnë veriun e Kosovës nga pjesa tjetër dhe u shprehën të kënaqur që një gjë e tillë u parandalua. Burimet shtojnë se njohuri të tilla kanë ndikuar në shtimin e vendosmërisë së zyrtarëve më të lartë të UNMIK-ut, të cilët kanë pasur edhe përkrahjen e plotë të përfaqësuesve të Quintit...

EXPRESS
Me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, statusi i Kosovës ishte lënë plotësisht i hapur, ka thënë zëvendës-ndihmës sekretarja amerikane e Shtetit, Rosemary DiCarlo, në një intervistë për agjencinë ruse Interfax. Zyrtarja e lartë amerikane, e cila ka qenë ngushtë e përfshirë në bisedimet për statusin e Kosovës, ka thënë se SHBA-të pajtohen se 1244 mbetet në fuqi. “Por, ne e shohim 1244 si një thirrje për një proces politik. Ne e shikojmë se statusi i Kosovës ishte lënë plotësisht hapur dhe ajo nuk përcaktoi se Kosova duhet bërë e pavarur ose nuk duhet bërë e pavarur. Rezoluta bën thirrje për prezenca ndërkombëtare për të ndihmuar Kosovën në zhvillimet e saj”, ka deklaruar DiCarlo. Ajo ka shtuar se “SHBA-të dhe Rusia mund të kenë interpretime të ndryshme të Rezolutës 1244...”

EPOKA E RE
Pa kaluar dy javë nga heqja e Flamurit Kombëtar nga ndërtesa e Qeverisë së Republikës së Kosovës, këtë shembull e ka ndjekur edhe Shtabi i Përgjithshëm i Trupave Mbrojtëse të Kosovës, i cili të hënën, rreth orës 8:00, ka marrë vendim që Flamurin Kombëtar ta zëvendësojë me flamurin shtetëror të Kosovës. Shemsi Syla, zëdhënës i TMK-së, ka thënë për Epokën e Re se edhe TMK-ja si institucionet e tjera të Republikës së Kosovës, ka vepruar njësoj për përdorimin e flamurit shtetëror të Kosovës, duke shtuar se me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, në të njëjtën kohë është shpalosur edhe flamuri që do ta përfaqësojë Kosovën...

LAJM
Veprimi i përfaqësuesve të Qeverisë në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës tregon qartë se partia më e madhe në vend, Partia Demokratike e Kosovës, insiston të qeverisë çdo institucion. Procedimi i raportit të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik për tenderët e vitit të kaluar e detyroi zëvendëskryeministrin Hajredin Kuçi t’i “urdhërojë” deputetët të mos e votojnë pa e shqyrtuar mirë, ngase, sipas tij, edhe sikur të votohet, ligji do të jetë ai që do ta ndalojë atë raport... Ardian Gjini (AAK) thotë se veprimet e së premtes në Kuvend tregojnë shenjat e para të ndërtimit të regjimit nga Qeveria. Edhe Ibrahim Makolli (AKR) vlerëson se Qeveria duhet të bashkëpunojë, por jo të ndërhyjë në punët e Kuvendit. Por, Kuçi thotë se PDK-ja është partia që i ka fituar zgjedhjet dhe se ajo nuk e ka bërë Qeverinë më shtatë për qind...

XS
SM
MD
LG