Ndërlidhjet

NYT/CSM/Times: Tentim për copëtimin e Kosovës



"New York Times", "Christian Science Monitor", "Times"


E përditshmja amerikane "New York Times" shkruan se përshkallëzimi i dhunës në pjesën veriore të Kosovës, të dominuar me shumicë serbe, është shndërruar në një sfidë për vendosmërinë e autoriteteve ndërkombëtare për ta ruajtur shtetin e ri. Gazeta shkruan se zhvillimet në veri gjithashtu paraqesin vështirësitë, me të cilat përballet aleanca e NATO-s dhe 16 mijë trupat e saj në Kosovë, të cilat kanë mandat për të garantuar sigurinë, por të cilat njëkohësisht duhet të jenë të kujdesshme në raport me gjakderdhjen dhe të zënit kurth në një konflikt gjithnjë të mbërthyer nga politika.

"New York Times" citon një zyrtar të lartë të NATO-s në Bruksel, i cili në kushte anonimiteti ka thënë se ekziston një hendek i rrëshqitshëm midis çështjeve politike dhe atyre të sigurisë. Gazeta shkruan se shumë zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian, privatisht e pranojnë se nëse serbët vazhdojnë të angazhohen për ndarjen e territorit të Kosovës, Bashkimi Evropian nuk mund të bëjë shumë për ta ndalur këtë gjë.

Në këtë kuadër, e përditshmja tjetër "Christian Science Monitor" citon burime të larta të Kombeve të Bashkuara në Prishtinë, të kenë thënë se episodi i fundit në Mitrovicë shihet si një hap tjetër drejt ndarjes së veriut të Kosovës dhe në këtë kuadër shënon sfidë të madhe për misionin e ardhshëm evropian në Kosovë. Gazeta shkruan se incidenti gjithashtu mund të jetë hapi i parë në kuadër të strategjisë nacionaliste për radikalët, që të fitojnë pushtetin gjatë zgjedhjeve të muajit maj në Serbi.

"Radikalët duan probleme në terren; kjo e ndihmon synimin e tyre dhe në këtë mënyrë secili në Serbi arrin të shqetësohet", citon "Christian Science Monitor" një zyrtar të lartë të Kombeve të Bashkuara në Prishtinë.

E përditshmja "Times" shkruan se vala e fundit e dhunës në Kosovë nxit shqetësime për konflikte të reja në Ballkan dhe shënon përshkallëzimin më të dhunshëm që prej trazirave të marsit para katër vjetësh. Situata në Mitrovicë ka goditur rëndë edhe shpresat e evropianëve, se kriza rreth pavarësisë së Kosovës tashmë është tejkaluar. Si e tillë rrezikon nxitjen e trazirave të reja në veri të Kosovës, por njëkohësisht e afron edhe më shumë prospektin e ndarjes etnike të territorit.

Megjithatë, gazeta shkruan se Brukseli është ai që duhet të ketë një qëndrim më të prerë. Brukseli duhet t'u ofrojë serbëve zgjidhje të vërteta, midis një përgjigjeje të ashpër ushtarake, nëse Beogradi vazhdon të nxisë protesta të tjera, dhe një pakoje zemërgjerë të ndihmave për ekonominë e Serbisë, nëse Beogradi përpiqet t’i qetësojë pasionet në rajon, shkruan e përditshmja "Times".
XS
SM
MD
LG