Ndërlidhjet

logo-print

Nga ekonomia ilegale, Kosova humb një miliard euro në vit


Ekonomia e paligjshme në Kosovë ka marrë përmasa shqetësuese dhe si e tillë po ndikon rëndë në buxhetin e konsoliduar të Kosovës. Ekspertë për çështje ekonomike pohojnë se 50 për qind e mallrave në Kosovë futen në mënyrë jo ligjore, ndërkaq, që afro nëntë vjet me radhë, autoritetet kompetente nuk kanë arritur që këtë dukuri ta vënë në kontroll.

Bedri Selmani, profesor në Fakultetin Viktoria, thotë se ky lloj i ekonomisë ka çrregulluar tregun kosovar, duke penguar madje edhe në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik. Por, Selmani thotë se në Kosovë, ekonomia e zezë është e ndërlidhur me interesa personale dhe klanore.

“Politikat ekonomike të të gjitha qeverive deri më tani, por edhe të administratës ndërkombëtare, nuk kanë dhënë rezultate. Arsyeja është shumë e thjeshtë, motivi i atyre që duhet të angazhohen në radhë të parë, e kam fjalën për personelin e doganave, policia kufitare, inspektoratet e ndryshme komunale dhe Ministria e Ekonomisë, që deri më tani nuk e kanë bërë atë që duhet bërë, me qëllim që të kontrollohet”, thotë Selmani.

Kur 50 për qind e mallit në tregun kosovar llogaritet si treg i zi, atëherë buxheti i Kosovës humb një miliard euro në vit, thotë Selmani, duke shtuar se Kosova nga ky fenomen humb një buxhet të tërë vjetor.

“Fjala është se nëse 50 për qind e qarkullimit të mallrave në mënyrë zyrtare kap shumën 1 miliard e 300 milionë euro, besohet se në mënyrë të rregullt duhet të jenë 2 miliardë e 500 milionë. Thjesht, 50 për qind është qarkullimi në ekonominë informale dhe kjo shumë është jashtëzakonisht e madhe, pra është 50 për qind. Sipas kësaj, buxheti i varfër i Kosovës humb një buxhet”, thotë Selmani.

Menaxhimi i dobët i kufijve me vendet e rajonit, e posaçërisht i kufirit verior në mes Kosovës dhe Serbisë, është arsye kryesore që ka ndikuar në qarkullimin e mallrave në mënyrë ilegale, pohon Selmani. Por, me shpalljen e pavarësisë, ai beson se mundësitë për të parandaluar futjen e mallit të paligjshëm janë më të mëdha.

“Unë besoj se më nuk do të lejohet në emër të enklavave, të minoriteteve, të diskriminimit pozitiv, që është lejuar nga administrata ndërkombëtare. Ky diskriminim pozitiv ka ndikuar shumë; më së shumti është bërë kriminaliteti në ekonomi, pasi u është ikur të gjitha taksave në qarkullimin e mallrave dhe shërbimeve dhe ka dëmtuar buxhetin”, thekson Selmani.

Për të ndalur ekonominë ilegale, Sejdi Rexhepi, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, thotë se institucionet vendore duhet të bëjnë çmos, që fillimisht të vendosin një kontroll më të rreptë në kufijtë e Kosovës me vendet e rajonit.

“...për të vlerësuar vlerën e mallit për të cilin duhet të paguhet dogana, por për të vlerësuar edhe kualitetin, sepse në Kosovë, shpeshherë, në rrethana të caktuara, është futur mall që ka dëmtuar jo vetëm shëndetin e konsumatorit, por edhe ekonominë e mirëfilltë”, thotë Rexhepi.

Për këtë, Bedri Selmani pohon se institucionet e Republikës së Kosovës duhet të hartojnë dhe zbatojnë plane konkrete për eliminimin e tregut të zi.

“Nuk ka mundësi të qëndrojë as prodhimtaria, as shërbimet dhe në asnjë mënyrë ne nuk mund të qëndrojmë në këtë pozitë, që një pjesë e qytetarëve të paguajnë dhe një pjesë jo. Pra, duhet t’i nënshtrohemi të gjithë. Para ligjit duhet të jemi të barabartë; vetëm funksionimi i shtetit ligjor e mundëson këtë”, shprehet Selmani.

Dëshmitë më të fuqishme për mallin e paligjshëm që hyn në Kosovë, ekspertët thonë se gjenden tek çmimet e lira që këto mallra kanë në raport me çmimet e artikujve që hyjnë ligjshëm.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG