Ndërlidhjet

Përpjekjet e dështuara të Beogradit për bashkëqeverisje


Protestuesit serbë duke hyrë në gjykatën e Mitrovicës, 14 mars 2008
Protestuesit serbë duke hyrë në gjykatën e Mitrovicës, 14 mars 2008

Beogradi, me veprimet e tilla, si ato të 17 marsit, po synon t’i ruajë edhe më tej strukturat paralele në veri të Mitrovicës. Sipas analistëve politikë kosovarë, ato veprime janë një bumerang për Qeverinë e Serbisë.


Të gjitha veprimet e Beogradit, përmes të cilave synohet që të ruhen edhe më tej strukturat paralele në veri të Mitrovicës, janë një bumerang për Qeverinë e Serbisë, thonë analistët politikë në Kosovë.

Analisti Lulzim Peci thotë se me veprimet e djeshme të serbëve në veri të Mitrovicës, i është dhënë fund të gjitha synimeve të Beogradit që të jetë faktor qeverisës në veri të Kosovës.

“Qëllimi i Beogradit është që të bëhet faktor bashkëqeverisës në Kosovë, që të jetë drejtpërdrejt si patron i këtyre strukturave. Nuk kemi të bëjmë me intensifikim të strukturave paralele, por me një tentim të Beogradit që të jetë bashkëqeverisës edhe në mënyrë faktuale juridike në një formë”, thotë Peci.

Kurse, analisti tjetër, Baton Haxhiu, mendon se gjatë operacionit të përbashkët të policisë së Kombeve të Bashkuara dhe paqeruajtësve të KFOR-it në ndërtesën e Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë, është dashur të merret parasysh koncepti psikologjik dhe jo ai i vendosjes së drejtësisë.

”Nuk na duhet drejtësia për ata njerëz. Neve na duhet përçmimi i atyre njerëzve për gjërat që i bëjnë. Nuk na duhet ballafaqimi me rrahje, neve na duhet përçmimi i atyre njerëzve që bëjnë veprime të tilla. Unë po them, këtu është momenti psikologjik më i rëndësishëm, sesa vendosja e drejtësisë”, tha Haxhiu.

Sipas zotit Haxhiu, pavarësia e Kosovës nuk ka qenë asnjëherë çështje problematike, por ka qenë dhe është zbatimi i shtetit ligjor në veriun e Kosovës.

“Aty do të hasim ne në problem. Nëse institucionet e UNMIK-ut, institucionet e Kosovës ndërtojnë strategji që shteti juridik të funksionojë mbi këto kushte që ata i kanë aprovuar, unë mendoj se është strategji e gabuar, definitivisht e gabuar, sepse mund të ndodhë që tani e tutje rezistenca e popullit serb të kalojë në atë që quhet ndikim nga Beogradi”, tha Haxhiu.

Ai shtoi se problemi në veri të Kosovës nuk është i ri dhe i takon Prishtinës, që me çdo kusht, ta bindë popullin serb se është i manipuluar për të vrarë frikën që ky popull ndjen.

Ndërsa, Lulzim Peci konsideron se Beogradi gjendet në një situatë të rëndësishme parazgjedhore. Sipas tij, lufta parazgjedhore do të zhvillohet edhe në Kosovë. Peci thotë se Beogradi tashmë i ka marrë mesazhet e qarta, se nuk do të ketë mundësi të bëjë më politikë në Kosovë.

“Ata do të vazhdojnë me tentime edhe më tutje. Tani, Serbia është në një fazë interesante parazgjedhore dhe lufta parazgjedhore do të shprehet shumë edhe në terren, këtu tek ne në Kosovë. Vetë vizitat e shpeshta të Samarxhiqit, i cili është njëri prej eksponentëve të krahut të Koshtunicës, tregojnë që kjo nuk ka të bëjë vetëm me veprimin e shtetit serb në Kosovë, por është e lidhur në një formë ose në formën tjetër edhe me fushatën zgjedhore në Serbi. Tani në kufijtë e Kosovës nuk ka probleme, sepse Serbia e ka marrë mesazhin e qartë, se nuk mund ta bëjë një politikë të tillë në Kosovë”, tha Peci.

Zyrtarët e Republikës së Kosovës në rastin e veriut të Mitrovicës nuk mund të kenë ndonjë ndikim të madh, pasi që ajo pjesë e Kosovës administrohet nga bashkësia ndërkombëtare, thotë analisti Lulzim Peci. Por, sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet të jetë më afër qytetarëve serbë në pjesën veriore dhe të krijojnë një klimë më të mirë të bashkëpunimit në të ardhmen.

XS
SM
MD
LG