Ndërlidhjet

Dhuna në Mitrovicë ishte e orkestruar


Mitrovicë, 17 mars 2008
Mitrovicë, 17 mars 2008

Dhuna e 17 marsit, nga e cila vdiq polici ukrainas, Ihor Kynal, dhe dhjetëra policë tjerë dhe ushtarë të KFOR-it u plagosën, ka qenë e orkestruar, thanë autoritetet ndërkombëtare në Kosovë. Përfaqësues të UNMIK-ut dhe të KFOR-it thanë se kanë pasur informacione se okupatorët e Gjykatës së Qarkut do të përpiqeshin të okuponin edhe objekte tjera të UNMIK-ut. Në mesin e 40 okupatorëve ka pasur punonjës të MPB-së së Serbisë.


Autoritetet ndërkombëtare në Kosovë kanë deklaruar, sot, se dhuna e 17 marsit në veri të Mitrovicës ka qenë e orkestruar.

Nga plagët e marra në dhunën e ushtruar nga serbët kundër forcave ndërkombëtare të sigurisë, ka vdekur polici 25 vjeçar nga Ukraina, Ihor Kynal. Mbi 60 policë të UNMIK-ut dhe ushtarë të KFOR-it janë të plagosur.

Zëvendësshefi i UNMIK-ut, Larry Rosin, tha sot se dhuna e djeshme ka qenë e orkestruar.

“Është e qartë për ne se së pari djegia e pikave doganore, okupimi i gjykatës të premten e kaluar dhe ajo që ndodhi dje, sulmet mbi policët dhe ushtarët, që ishin në pozitë mbrojtëse - të gjitha janë të orkestruara. Ka shumë dyshime, ide. Ne mendojmë se e dimë se kush është përgjegjës për këtë. Por, unë nuk do ta bëj të ditur në këtë fazë, për shkak të hetimeve. Sa i përket rolit të Qeverisë serbe, ne mendojmë se Qeveria e Serbisë, ministri Samarxhiq dhe ministrat tjerë kanë ushtruar ndikim vendimtar mbi të gjithë liderët politikë në Kosovën veriore. Ne u kemi thënë që ta përdorin atë ndikim, që ne të mos kemi nevoje t’i largojmë ata njerëz nga gjykata pa vullnetin e tyre, por asgjë nuk ndodhi dhe ne kemi ndërmarrë hapat e duhur”, tha zëvendësshefi i UNMIK-ut, Larry Rosin, gjatë një konference të përbashkët për gazetarë me komandantin e KFOR-it, gjeneralin Xavier de Marnhac, dhe komisionarin e policisë, Larry Wilson.

Zoti Rosin ka thënë se ka qenë vetë ai që ka dhënë urdhër për rimarrjen e kontrollit mbi Gjykatën e Qarkut në veri të Mitrovicës, gjykatë kjo e cila që nga e premtja ishte okupuar nga mbi 40 serbë.

“Ne kemi pasur informacion, të dielën pasdite, se ata që e kanë uzurpuar këtë gjykatë, kanë pasur qëllim që të kryejnë edhe okupime tjera të objekteve të UNMIK-ut në veri të Mitrovicës. Duke pasur parasysh këtë rast dhe në konsultim me komandantin e KFOR-it dhe komisionarin e policisë, unë e kam autorizuar operacionin e mëngjesit të së hënës për të rimarrë kontrollin në gjykatë dhe të rivendosim sundimin e ligjit në veri të Mitrovicës”, tha Rosin, duke shtuar se çdo përpjekje që kjo situatë të zgjidhej përmes dialogut, kishte dështuar.

Ai ka thënë se në mesin e okupuesve të gjykatës ka pasur punonjës të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.
Ndërkaq, komandanti i KFOR-it, gjenerali Xavier de Marnhac, ka thënë se përgjigja e ushtarëve ndaj dhunës së ushtruar në veri, ka qenë e moderuar.

“Dje, në mëngjes, u kalua vija e kuqe, me qëllimin e përcaktuar që të vriten njerëzit. Kokteje molotovësh, granata dore janë drejtuar kundër policëve dhe ushtareve të KFOR-it. Ne nuk do ta tolerojmë këtë. Dua të përmend se KFOR-i, në reagimet e tij, ka përdorur një përgjigje të moderuar. Ne kemi shfaqur reagimin tonë dje, por mos na vini në pozitë që ta shfaqim këtë edhe nesër”, ka porositur Marnhac.

Ai po ashtu ka thënë se ka indikacione se në dhunën e djeshme ka pasur një zinxhir komandues, pas të cilit gjenerali Marnhac ka thënë se e di se kush qëndron, por për hir të hetimeve nuk e ka zbuluar atë.

Ndryshe, në veri, sot situata është e qetë, por e tensionuar. Policia e UNMIK-ut do të vendoset atje pasi që të konfirmohet se janë përmbushur kushtet për t’u bërë një gjë e tillë. Por, policët e UNMIK-ut gjenden në pjesë të tjera veriore të Kosovës.

Komisionari i policisë, Larry Wilson, ka thënë se tashmë kanë filluar hetimet për t’i sjellë para drejtësisë kryesit e dhunës së 17 marsit.
XS
SM
MD
LG