Ndërlidhjet

Rica: Palët në Kosovë të përmbahen nga dhuna


Sekretarja e shtetit, Condoleezza Rice u bëri thirrje palëve në Kosovë të përmbahen nga dhuna, ndërsa lidershipit në Serbi i kërkoi të bëjë presion te serbët e Kosovës që të shmangin "aktet provokuese".

"Mendoj se jemi dakord se të gjitha palët duhet të përmbahen nga dhuna dhe nga çdo provokim. Ne po ua dërgojmë këtë mesazh të gjitha palëve në mënyrë të duhur", tha Rice pas takimit me zyrtarët e lartë rusë në Moskë.

Më herët, Sekretarja e Shtetit tha se ishte shumë e shqetësuar me ngjarjet në Mitrovicë.

"Lidershipi serb duhet t'u thotë serbëve në Kosovë se tash nuk është koha për provokime. Unë besoj se kosovarët po bëjnë çmos për të ruajtur qetësinë" tha Rice.

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov i ripërsëriti qëndrimet e Moskës se pavarësia e Kosovës do të shkaktonte pasoja.

"Ne kemi paralajmëruar se hapat e tillë në mënyrë të pashmangshme do të kishin pasoja, dhe për fat të keq kjo është ajo që po ndodh, sepse përfundimisht nuk është e lehtë t'i detyrosh njerëzit të jetojnë në një shtet, i cili është shpallur ilegalisht në një shtet tjetër", tha Lavrov.
XS
SM
MD
LG