Ndërlidhjet

Pajaziti: S'ka kompromise me grupet e huliganëve në Mitrovicë


Zenun Pajaziti

Zenun Pajaziti

"Institucionet e Kosovës dhe mekanizmat e pranisë ndërkombëtare janë të vendosura që të mos bëjnë kompromise me askënd, kur është në pyetje siguria, zbatimi i ligjit dhe tërësia territoriale e Kosovës", thotë ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti ministër, fillimisht, si e vlerësoni gjendjen në pjesën veriore të Mitrovicës, ku dje ka humbur jetën një pjesëtar i Policisë së UNMIK-ut?

ZENUN PAJAZITI
Siç jeni në dijeni, dje ka pasur ngjarje që na kanë shqetësuar seriozisht, për shkak se grupe të caktuara ka ditë që po i cenojnë institucionet tona, ndërsa dje është përdorur dhuna nga një grup i caktuar huliganësh.

Po ashtu, kemi pasur një angazhim të shtuar të mekanizmave të KFOR-it dhe të Policisë së UNMIK-ut, për ta rikthyer gjendjen në normalitet dhe si rezultat i kësaj ka pasur disa të burgosur, të cilët kanë pasur qasje të uzurpimit të institucionit të gjykatës dhe si pasojë kemi pasur reagime të dhunshme të një pjese të qytetarëve, të cilët e kanë vënë në rrezik jetën e bashkëqytetarëve të tyre, si dhe sigurinë dhe jetën e përfaqësuesve të mekanizmave të sigurisë ndërkombëtare.

Si pasojë, kemi shumë të lënduar dhe kemi edhe një polic të vrarë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë, si paraqitet gjendja e atjeshme? A është kjo gjendje e menaxhueshme dhe sa mund t’i kthehet normalitetit Mitrovica dhe pjesa veriore e Kosovës?

ZENUN PAJAZITI
Gjendja duket më e qetë. Duhet thënë se ne jemi të përkushtuar për ta rikthyer gjendjen në normalitet. Duhet ta kenë të qartë të gjithë ata që vënë në pikëpyetje sundimin e ligjit, që nuk do t’u lejohet kjo gjë tutje. Është një përkushtim i madh i bashkësisë ndërkombëtare, në këtë drejtim i Policisë së UNMIK-ut dhe KFOR-it.

Ka mbështetje të mjaftueshme ndërkombëtare për ta realizuar një ambient të sundimit të ligjit dhe një ambient ku nuk duhet lejuar grupeve të huliganëve të manipulojnë me institucione, me pronën e qytetarëve dhe sidomos ta vënë në rrezik jetën e bashkëqytetarëve të tyre.

Institucionet tona me kujdes po e shikojnë këtë situatë. Reagimi jonë vazhdon të jetë i matur, duke pasur parasysh dhe duke kuptuar se një pjesë e qytetarëve serbë janë shumë të manipuluar, janë të kërcënuar dhe janë në pozitë të vështirë.

Ne u bëjmë thirrje të gjithë atyre që të paktën të kenë në konsideratë, të mos lejojnë të bien në aventura të tilla, ku rrezikohet jeta e qytetarëve dhe ku do të detyrohen institucionet përkatëse të sigurisë të marrin masa në këtë drejtim.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa kanë ndihmuar në përshkallëzimin e situatës deklaratat dhe vizitat e zyrtarëve dhe ministrave të ndryshëm nga Beogradi nëpër enklavat serbe?

ZENUN PAJAZITI
Kjo është fatkeqësi që përfaqësues politikë të Qeverisë së Beogradit e kanë në fjalorin e tyre gjuhën që është përdorur më herët, në kohën e Millosheviqit. Ata po ashtu nuk mund ta kuptojnë që ne vetëm se e kemi shpallur shtetin tonë të pavarur dhe kjo tashmë është punë e kryer.

Politikanë serbë të ndryshëm dhe përfaqësues aty-këtu religjiozë po mundohen ta paraqesin një pasqyrë tjetër për ne, për institucionet tona dhe ata po manipulojnë në një formë shumë të rrezikshme me një pjesë të qytetarëve dhe kjo po ndikon dukshëm në situatën e tillë, e sidomos në pozitën e qytetarëve serbë në Kosovë.

Ata po punojnë që ta izolojnë edhe më tutje komunitetin pakicë serb në Kosovë dhe nëse vazhdohet kështu, ata po marrin përgjegjësi shumë të rrezikshme mbi vete.

Ne nuk do të bëjmë kompromis për sa i përket çështjeve që tash janë të kryera dhe nuk do të bëjmë kompromis sidomos me njerëz që janë nga rruga dhe që janë thjesht grupe të caktuara huliganësh.

RADIO EVROPA E LIRË
Parashihet që pas kalimit të tranzicionit, shumë kompetenca që i ushtron UNMIK-u të kalojnë tek Qeveria e Kosovës. Në raste të tilla, sa është e gatshme Qeveria dhe sa janë të gatshme institucionet e Kosovës që të marrin përgjegjësi për zhvillimet e ngjashme, siç ishin ato dje në Mitrovicë?

ZENUN PAJAZITI
Institucionet tona janë të gatshme ta marrin mbi vete gjithë procesin. Këtë e kemi thënë disa herë. Po ashtu, ne jemi të gatshëm dhe kemi filluar të bashkëpunojmë ngushtë edhe me misionin e ardhshëm të BE-së në Kosovë.

Projekti ynë i ndërtimit të shtetit të ri të Kosovës është një projekt i koordinuar mirë me qytetarët, me institucionet ndërkombëtare, me shtetet e ndryshme perëndimore dhe ne do të vazhdojmë të jemi në bashkëpunim të ngushtë me ta.

Institucionet tona, në mbështetje të fuqishme nga misioni i ardhshëm i BE-së në Kosovë, do të jenë të gatshme të përballen me çdo sfidë. Në fakt, jemi të gatshëm të menaxhojmë jo vetëm me situatën në Kosovë, por me procesin tonë kah integrimet evropiane dhe procesin e konsolidimit edhe më tej të angazhimeve të tjera të bashkëpunimit në regjion dhe më gjerë.

RADIO EVROPA E LIRË
Cila do të jetë përgjigjja e vendorëve dhe e ndërkombëtarëve në përpjekje të vazhdueshme të Beogradit, qoftë për të krijuar rajone autonome serbe në Kosovë, apo edhe për ndarjen e Kosovës?

ZENUN PAJAZITI
Agjenda jonë është agjendë e qartë e ndërtimit dhe e avancimit të institucioneve tona, të shtetit tonë, të Republikës së Kosovës. Ato që tentohen të bëhen nga jashtë, sidomos nga Beogradi, janë plotësisht të parealizueshme. Pasqyra që po mundohen ta paraqesin ata si konfliktuoze, është një pasqyrë që tashmë e kanë kuptuar të gjithë.

Ne po përkujdesemi që ta rikthejmë sundimin e ligjit në të gjitha pjesët e Kosovës dhe, çka është me rëndësi, ne nuk do të lejojmë që nga veprimet e tilla të komprometohet procesi ynë. Jemi të sigurt në rrugën tonë, jemi të mbështetur fuqishëm dhe nuk ka asnjë dilemë që ne nuk do të kemi progres të theksuar.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG