Ndërlidhjet

logo-print

Times: Ura në Mitrovicë shndërrohet në mur midis dy botërave



"Times"

Ura kryesore në Mitrovicë që lidh komunitetin shqiptar dhe atë serb në qytetin më jostabil në Kosovë, tani duket e zbrazët, përballë vërejtjeve të një grupi ndërkombëtar se ky vend mund të shndërrohet në një konflikt të ngrirë afatgjatë.

Në një kafiteri që gjendet përballë urës së barrikaduar, aktivistët serbë nuk ishin të gatshëm të tërhiqen. Dhe, pikërisht në këtë vend, ndarja midis komuniteteve kryesore në Kosovë është në rrezik të shndërrohet në një vijë ndarëse të shtetit të ri, me shumicën shqiptare që jeton në jug dhe atë serbe në veri.

"Nëse ata duan pavarësinë, në rregull atëherë, por jo në territorin serb", thotë Nikola Kabashiq, i cili dikur ka punuar si gjykatës në Mitrovicë. Ai ka thënë se protestat do të vazhdojnë, përderisa ndërtesa e gjykatës të mos jetë e hapur për të gjithë njerëzit që jetojnë në Mitrovicë.

Episodi rreth gjykatës shihet si hapi i fundit i një fushate serbe për të rivendosur autoritetin në veri, pas përpjekjeve për të marrë kontrollin mbi linjat hekurudhore dhe pas sulmeve në vendkalimet kufitare që pasuan shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt.

Kombet e Bashkuara kanë tërhequr policinë dhe stafin e gjyqësisë nga veriu i Mitrovicës, duke e lënë qytetin në një gjendje të jashtëzakonshme, me ushtarët francezë dhe spanjollë, që patrullojnë rrugët e qytetit dhe ruajnë ndërtesën e zbrazur të gjykatës.

Policia e Kombeve të Bashkuara pritet të rikthehet atëherë kur edhe qetësia rikthehet, por shpërthimi i dhunës flet për atmosferën e ndezur që e pret Bashkimin Evropian, pasi të ketë marrë përsipër përgjegjësitë mbi policinë dhe gjyqësinë nga Kombet e Bashkuara.

Një serb 28 vjeçar thotë se "serbët definitivisht nuk do ta pranojnë Bashkimin Evropian, sepse do të ketë një sërë problemesh të reja". Kjo, sipas tij, "do të thoshte që Qeveria kosovare ta kontrollojë veriun e Kosovës, ku serbët jetojnë. Gjëja më e mirë për Kosovën është që mbetet pjesë e Serbisë, por duket qartë se Bashkimi Evropian dhe amerikanët nuk e duan një gjë të këtillë", ka thënë ky qytetar serb.

Ish-gjykatësi Kabashiq, ndërkaq, thotë: "Në tashmë kemi një ndarje efektive të Kosovës. Kemi një ndarje mbi baza kombëtare, mbi baza politike dhe fetare. Tash, pra, ekzistojnë dy botëra", ka thënë Kabashiq.

Grupi Ndërkombëtar i Krizave ka tërhequr vërejtjen mbi rrezikun real, që synimet për ndarjen të sforcohen edhe më shumë në pjesën veriore të lumit Ibër, duke e shndërruar Kosovën në një konflikt të ngrirë.
XS
SM
MD
LG