Ndërlidhjet

Përfshirja e MPB serbe - ndërhyrje flagrante


Mitrovicë, 17 mars 2008
Mitrovicë, 17 mars 2008

Prania e pjesëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë në Kosovë paraqet shkeljen më flagrante dhe përzierjen në punët e brendshme të Kosovës, thonë ekspertë të sigurisë. Vetë UNMIK-u e ka pranuar se ka prova ta palëkundshme se punonjës të MPB-së së Serbisë kanë qenë të implikuar në uzurpimin e gjykatës në Mitrovicë.


Ekspertë për çështje të sigurisë thonë se prania në pjesën veriore të Kosovës e pjesëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, paraqet përzierjen më flagrante në punët e brendshme të një shteti. Praninë e tyre në gjykatën e uzurpuar nga serbët në veri të Kosovës, e ka ripohuar sot zëdhënësi i UNMIK-ut, Alexander Ivanko.

“Ne nuk i kemi lejuar ata që të hyjnë në Kosovë, por ata disi kanë hyrë. Unë mund t’ju them se kemi prova të palëkundshme, se zyrtarë nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë kanë qenë të pranishëm në gjykatë. Nuk është kjo diçka diskutabile. Ne kemi prova të padiskutueshme dhe këto prova do t’u ofrohen hetuesve. Natyrisht, ne do të provojmë që të sigurojmë se oficerët e Ministrisë së Brendshme të Serbisë nuk do të hyjnë në Kosovë. Do ta bëjmë maksimumin, ua premtoj këtë”, tha Ivanko.

Ky pohim i UNMIK-ut ka mobilizuar zyrtarët e institucioneve të Kosovës. Ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, ka biseduar për këtë çështje me zëvendësshefin e UNMIK-ut, Larry Rosin, ndërkohë që gjatë ditës ka pasur takime të mekanizmave të ndryshëm të sigurisë.

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Siguri, Rrustem Mustafa, thotë se janë duke u shqyrtuar masat kundër veprimit të strukturave paralele serbe të sigurisë në veri.

”Të gjithë ata që janë të involvuar nga jashtë, që nuk janë banorë të këtushëm, normalisht se do të largohen nga vendi dhe do të merren masa që vetëm ata, që janë përgjegjës të punojnë për sigurinë në vend, ata të punojnë”, tha Mustafa.

Rimarrja e kontrollit mbi Gjykatën e Qarkut në veri të Mitrovicës, e cila ishte uzurpuar nga serbët, ka çuar në dhunën e serbëve kundër forcave ndërkombëtare të sigurisë, me ç’rast një polic ukrainas ka vdekur, ndërsa 40 policë të UNMIK-ut e 22 ushtarë të KFOR-it janë plagosur.

Lideri i serbëve të Kosovës, Rangjel Nojkiq, thotë se nëse vërtetohet se në gjykatë ka pasur punonjës të Ministrisë së Punëve të Brendshme, atëherë kjo ministri duhet ta bartë përgjegjësinë.

”Konsideroj se nëse deklarata që ka dhënë Rosin është e vërtetë, në kuptimin që të gjithë ata që janë ndaluar e identifikuar dhe për aq sa këto të dhëna janë të sakta, atëherë Ministria e Punëve të Brendshme, ata që kanë siguruar objektin e gjykatës në veri të Mitrovicës, të bartin përgjegjësinë. Cilat janë pasojat dhe çka do të ndodhë para së gjithash, varet nga vërtetësia e deklaratës. Nëse vërtetohet se kjo deklaratë është e vërtetë, atëherë njerëzit e MPB-së serbe dhe ata që kanë organizuar, duhet të bartin pasojat”, tha Nojkiq.

Ish-këshilltari në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Nuredin Ibishi, thotë se edhe më parë ka qenë e ditur prania e strukturave paralele serbe të sigurisë në veri, por fakt pozitiv, sipas tij, është se vetëm tani kjo gjë pohohet nga administrata ndërkombëtare.
Ibishi thotë se veprimet e zyrtarëve serbë janë shkelje të rënda të integritetit territorial.

“Tani, në situatën kur Kosova është shtet i pavarur, kjo paraqet përzierjen më flagrante në punët e brendshme të një shteti dhe ajo që është më e keqja, po vazhdon loja e vjetër e ardhjes së zyrtarëve serbë, pa respektuar anën protokollare të paralajmërimit apo lejes nga Qeveria e Kosovës, apo nganjëherë edhe pa lejen e UNMIK-ut”, thotë Ibishi.

Në anën tjetër, anëtari i Komisionit Parlamentar për Siguri, Naim Maloku, thotë se hapësira për veprim në Kosovë e punonjësve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, është duke u ngushtuar.

“Unë mendoj se është kaluar vija e kuqe, të cilën faktikisht e kanë kaluar ata pjesëtarë dhe ato segmente në veri. Janë marrë masa adekuate ndaj tyre nga KFOR-i dhe UNMIK-u dhe mendoj se tani ata i kanë të gjitha faktet në duar; të dhënat i kanë. Pra, nuk ka shumë çka të hulumtohet se kush qëndron pas tyre, se janë të njohur për shërbimet e UNMIK-ut dhe të KFOR-it. Mendoj se nuk do të ketë hapësirë për të vepruar për ta dhe pres që situata të vijë kah qetësimi”, tha Maloku.

Ekspertët për çështje të sigurisë thonë se në një shtet funksional, punonjës të një ministrie të huaj të brendshme nuk do të duhej të lejoheshin të hynin brenda territorit të atij shteti, e kurrsesi të veprojnë në atë shtet.

Ndryshe, UNMIK-u dhe KFOR-i kanë pohuar se dhuna e 17 marsit ka qenë e orkestruar dhe se tërthorazi kanë lënë të nënkuptohet se ndikim të madh në të ka pasur Qeveria e Beogradit.
XS
SM
MD
LG