Ndërlidhjet

logo-print

Prishtina nuk beson në opsionin e ndarjes dhe konfliktit të ngrirë


Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës

Në raportin e fundit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave tërhiqet vërejtja për rrezikun që i kanoset Kosovës nga përpjekjet e Beogradit për ndarjen e saj. Andaj, u bëhet thirrje vendeve perëndimore që kanë njohur shtetin e Kosovës, që të vendosin bashkëpunim bilateral dhe ta ndihmojnë atë të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare.


Ndarja e Kosovës dhe shndërrimi i saj në një konflikt të ngrirë nuk mund të ndodhë, thonë përfaqësues politikë kosovarë, duke analizuar raportin e fundit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave.

Ndërsa në këtë raport thuhet se vetëm një muaj pas shpalljes së pavarësisë, Kosova është në rrezik të ndahet dhe i bëhet thirrje BE-së dhe NATO-s të veprojnë para se të jetë tepër vonë, përfaqësues qeveritarë dhe ata të opozitës, në Prishtinë, besojnë se përkushtimi i bashkësisë ndërkombëtare dhe institucioneve të Kosovës, është i mjaftueshëm që t’i parandalojë këto tendenca, që, sipas tyre, vijnë nga Beogradi.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se koha e konflikteve dhe konfrontimeve si në Kosovë, ashtu edhe në rajon, ka kaluar dhe se tani, sipas tij, është koha e integrimeve evropiane.

“Mendoj se përkushtimi i institucioneve të Kosovës dhe atyre ndërkombëtare është që Kosova ta ruajë tërësinë territoriale të saj, t’i ruaj kufijtë e saj dhe të sundojë rendi e ligji. Në këtë drejtim, kompromis nuk ka dhe ka gatishmëri të plotë. Mendoj se këto parashikime tani më nuk mund të jenë reale dhe aq më pak edhe nëse parashikohen, nuk mund të implementohen”, thotë Kuçi.

Në anën tjetër, nënkryetari i partisë më të madhe opozitare, AKR-së, Ibrahim Makolli, thotë se problemi i veriut të Kosovës rrjedh nga pafuqia e UNMIK-ut që të shtrijë administrimin atje që nga viti 1999. Por, çdo përpjekje për ndarje apo ridefinim kufijsh në Ballkan, sipas Makollit, do të hasë në rezistencë dhe do të nxiste reagime edhe në vendet tjera përreth.

“Duhet të kuptohet që çdo përpjekje për të ndarë pjesë të territorit të Kosovës, do të hasë në rezistencë, sikurse që do të hapë ‘kutinë e Pandorës’ në Ballkan dhe do të krijojë kërkesa dhe terren të mirë për ridefinim të territoreve në Ballkan. Konsideroj se një çështje e tillë nuk është në favor të askujt, në kohën kur të gjithë ne popujt e rajonit po pretendojmë që të jemi pjesë e përbashkët e Evropës së pa kufij..., sepse në asnjë rast nuk do të lejohet që nga kjo të pësojë vetëm Kosova apo ndonjë pjesë e saj”, tha Makolli.

Ndërkohë, Nebojsha Joviq, nga Këshilli Nacional Serb, thotë se serbët nuk e mbështesin ndarjen e Kosovës. Por, ajo që Joviq angazhohet, është që statusi i Kosovës të definohet ndryshe dhe jo si shtet i pavarur. Kështu që Joviq ende mendon se ka vend për një zgjidhje që, sipas tij, kënaq si serbët, ashtu edhe shqiptarët.

“Mendoj se ndarja e Kosovës nuk është zgjidhja më e mirë, edhe pse në terren ashtu duket”, thekson Joviq.

Ai rikujton se ndarjet do të thellohen edhe më shumë pas shtrirjes së EULEX-it, i cili, sipas tij, nuk do të pranohet nga serbët. Mirëpo, sipas Joviqit, ende ka vend që palët të ulen, të bisedojnë dhe të gjejnë një zgjidhje që përmbush interesat e shqiptarëve e serbëve në Kosovë.

Në raportin e fundit, Grupi Ndërkombëtar i Krizave thotë se ka rrezik real që ndarja të forcohet në veri të lumit Ibër dhe Kosova të bëhet edhe një konflikt i ngrirë, duke e krahasuar Kosovën me Abkhazinë apo Osetinë Jugore. Andaj, GNK u bën thirrje vendeve perëndimore që tash, pas njohjes së Kosovës, të nxitojnë me vënien e bashkëpunimit bilateral dhe ta mbështesin atë që të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare, si përpjekje për të shmangur tentativat për ndarjen e Kosovës.

Sidoqoftë, përfaqësuesit kosovarë besojnë se Kosova shihet nga bashkësia ndërkombëtare si një rast unik dhe i veçantë, që nuk mund të krahasohet me vendet tjera, si dhe nuk presin që pas njohjes së saj nga vendet më të fuqishme botërore, do të mund të ketë kthim prapa.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG