Ndërlidhjet

Kush duhet t’i menaxhojë kufijtë e Kosovës?


Pamje nga djegia e pikës kufitare Kosovë-Serbi
Pamje nga djegia e pikës kufitare Kosovë-Serbi

Kufiri verior i Kosovës ende nuk menaxhohet nga Shërbimi Doganor i Kosovës. Ekspertë për çështje ekonomike pohojnë se në këtë fushë është krijuar një kaos i vërtetë, pasi është e paqartë se kush është përgjegjës për rivendosjen e administratës doganore, UNMIK-u, EULEX-i apo Qeveria e Kosovës. Në anën tjetër, udhëheqës të Shërbimit Doganor të Kosovës pohojnë se përgjegjëse për një gjë të tillë, ende është administrata ndërkombëtare.


Një muaj pas shpalljes së pavarësisë, kufiri verior mes Kosovës dhe Serbisë ende nuk menaxhohet nga Shërbimi Doganor i Kosovës. Por, kush është përgjegjës që kufijtë të vazhdojnë të funksionojnë në mënyrë të rregullt, UNMIK-u, EULEX-i apo Qeveria e Kosovës? Ekspertë për çështje ekonomike pohojnë se në Kosovë është krijuar një kaos i vërtetë, pasi është e paqartë se kujt i takojnë kompetencat në atë pjesë.

Safet Gërxhaliu, zyrtar për marrëdhënie me jashtë në Odën Ekonomike të Kosovës, pohon se përmasat e mungesës së përgjegjësisë tashmë kanë kaluar në instancat më të larta dhe vërtet, thotë ai, është diskutabile të mendohet se kujt i takojnë kompetencat. Por, sido që të jetë, ai pohon se një vakuum të tillë, Kosova po e paguan shtrenjtë, duke aluduar në rritjen e kontrabandës së mallit.

“Është UNMIK-u, EULEX-si, Qeveria e Kosovës apo KFOR-i? Vërtet që Kosova është duke e paguar një vakuum të tillë të përgjegjësisë. Është kjo një lojë, e cila i shkon në favor armiqve të Kosovës dhe kurrsesi progresit dhe zhvillimit. Por, në fund të fundit, llogarinë dhe çmimin më të shtrenjtë të një anarkie të tillë apo të një mungese të përgjegjësisë institucionale duhet të paguajë vetë Qeveria e Kosovës”, thotë Gërxhaliu.

Megjithatë, Gërxhaliu pohon se shpresa e vetme pas shpalljes së pavarësisë ka qenë se misioni i Bashkimit Evropian do të këtë kompetencat në pikat kufitare. Por, EULEX-i është tërhequr përkohësisht nga pjesa veriore në atë jugore për shkaqe sigurie.

“Duhet sa më parë të bëhet definimi i kompetencave. Mirëpo, nuk është kompetencë e popullit të merret me këtë punë, është kompetencë e të zgjedhurve nga populli që kësaj problematike t’i qasen me pragmatizëm më të madh dhe më në fund të dihet se ku janë kufijtë administrativë të Kosovës dhe kush i menaxhon. Nuk duhet harruar faktin se më tepër se 70 për qind e buxhetit është mbuluar nga menaxhimi i kufijve nga SHDK-ja. Prapë po them se nëse vazhdohet kështu, vështirësitë do të jenë më të mëdha”, tha Gërxhaliu.

Gërxhaliu për këtë fajëson edhe Qeverinë e Kosovës. Ai thotë se Qeveria duhet të kërkojë në mënyrë të prerë nga administrata ndërkombëtare dhe misioni i Bashkimit Evropian, që veprimtarinë e tyre ta shtrijnë edhe në pjesën veriore të Kosovës.

“Institucionet e Kosovës duhet, njëherë e përgjithmonë, të zgjohen nga agonia e muajit të mjaltit dhe vërtet të ballafaqohen me probleme. Të dinë çka duan dhe çka dëshirojnë nga UNMIK-u dhe EULEX-i. Në një mënyrë është krijuar një vetëkënaqësi, nuk e di në çka është e bazuar, por, arsye për diçka të tillë nuk ka”, shprehet Gërxhaliu.

Në anën tjetër, udhëheqës të Shërbimit Doganor të Kosovës pohojnë se përgjegjës për rivendosjen e administratës së doganave në pjesën veriore ende është UNMIK-u, por kjo është e lidhur ngushtë me situatën e sigurisë, thotë Naim Hurunglica, drejtor i këtij shërbimi.

“Faza e tranzicionit në dogana ende nuk ka përfunduar. Ne akoma mbesim me doganat e UNMIK-ut. Është përgjegjësi në këtë rast politike e kryeadministratorit. Por, kjo është e lidhur ngushtë me faktorin e sigurisë. Ne jemi duke pritur vlerësimin e sigurisë dhe KFOR-it, të cilët pritet të japin sinjalin se kushtet e sigurisë në veri mundësojnë një funksionim pa probleme të administratës doganore”, thotë Hurunglica.

Sidoqoftë, vetëm dy ditë pas shpalljes së pavarësisë, serbët e Mitrovicës kishin djegur pikat kufitare në Leposaviq dhe Zubin Potok, në shenjë zemërimi për pavarësinë e Kosovës. Prej atëherë, në ato pika janë vendosur pjesëtarët e KFOR-it. Mosfunksionimi efektiv i Shërbimit Doganor në atë pjesë të Kosovës ka ngritur edhe më shumë shqetësimet për të gjitha aktivitetet e paligjshme, që mund të depërtojnë brenda kufijve shtetërorë.

XS
SM
MD
LG