Ndërlidhjet

logo-print

“Partitë në pushtet në Maqedoni injorojnë ftesën e kosovarëve”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

ZËRI
Njohja më e re e shtetit të Kosovës, që erdhi prej shteteve fqinje të Serbisë, këtë të mërkurë, më 19 mars, siç edhe është paramenduar, ka një rëndësi shumë të veçantë për Kosovën dhe për stabilitetin në rajon. S’do mend që konteksti evropian i njohjes përmes shteteve të BE-së ka qenë caku kryesor i të gjitha përpjekjeve të shteteve të mëdha perëndimore (pesëshes së madhe), të cilat qëmoti patën ndarë mendjen që zgjidhja e vetme e qëndrueshme për Kosovën është pavarësia e saj. Ky kontekst evropian, zaten, shkaktoi shtyrjen e epilogut të çështjes së Kosovës dhe angazhimin e ambasadorit Ischinger në kuadër të Treshes së ambasadorëve të Grupit të Kontaktit, në mënyrë që të binden euro-skeptikët...

KOHA DITORE
Lideri i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, ka gjasa të mos udhëtojë të enjten për Prishtinë, për t’u takuar me presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe kryeministrin kosovar, Hashim Thaçi, pasi tha se “është shumë i zënë me punët e tij politike në Maqedoni"... “Hashim Thaçi është kryeministër në Kosovë dhe jo në Maqedoni. Ato janë budallallëqe që flasin ata prej andej", ka potencuar Thaçi, duke nënvizuar se turbulencat që janë duke ndodhur momentalisht në Qeverinë e Maqedonisë kanë përshpejtuar procesin e njohjes së pavarësisë, ngase atë askush nga Maqedonia nuk e ka pasur ndërmend që ta bënte si të tillë...

EXPRESS
Tribunali i Hagës pritet që shumë shpejt të marrë një vendim për fatin e Ramush Haradinajt. Shumë pyetje shtrohen në adresë të tij për të kaluarën politike, por në çfarëdo rrethane kthimi i tij do të shënojë riparaqitjen e një faktori të rëndësishëm në spektrin e lidershipit të vendit. Në fillim të këtij viti, Hashim Thaçi dhe Fatmir Sejdiu hynë në një koalicion të gjerë të qeverisjes, duke krijuar një qeveri të fortë politike përballë një opozite të dobët, të përçarë dhe të ngarkuar po ashtu me afera korrupsioni nga e kaluara e afërt. Është një skenë e varfëruar në të cilën Ramush Haradinaj, ish-kryeministri i Kosovës, mund të gjejë një terren të përshtatshëm dhe për të krijuar më pas qoftë opsione të reja, qoftë kontroll më të madh ndaj Qeverisë aktuale...

EPOKA E RE
Ministri i Punëve të Brendshme i Ukrainës, Juri Lucenko, në ditën e dytë të qëndrimit në Kosovë, ka fajësuar UNMIK-un për vrasjen e policit Ihor Kynal nga serbët në veri të Mitrovicës. “UNMIK-u ka dështuar në planifikim për kthimin e kontrollit në gjykatën në veri të Mitrovicës”, ka thënë Lucenko, pas takimit me zëvendësshefin e UNMIK-ut, Larry Rosin, për të shtuar se ka munguar komunikimi ndërmjet trupave të përfshira në aksionin e policisë... Pas vrasjes së policit ukrainas, Lucenko ka thënë se vendi i tij ende nuk ka marrë ndonjë vendim për tërheqjen eventuale të trupave që veprojnë në kuadër të Policisë së UNMIK-ut, por ka paralajmëruar se çështja di të jetë problematike gjatë diskutimeve në Parlamentin e Ukrainës...

LAJM
Kryeministri Hashim Thaçi ka filluar spastrimin politik në Qeverinë e Kosovës. “Viktimat” e para të fshesës së Zyrës së Kryeministrit janë Bedri Gashi, drejtor i Zyrës për Informim Publik në Kryeministri, dhe Zahir Bunjaku, drejtor i Zyrës së Prokurimit në Kryeministri. Këtë informacion e ka konfirmuar një burim i Lajmit brenda Zyrës së Kryeministrit. Sipas këtij burimi, vendimi ndaj këtyre dy drejtorëve është marrë për shkak se ata nuk janë të PDK-së. “Kryeministri i ka thënë sekretarit të Qeverisë se duhet të largohen këta dy njerëz, jo pse nuk kanë punuar ose diçka, por sepse nuk janë njerëz të tij. Ata nuk janë paralajmëruar për shkarkim, edhe pse kanë kontrata deri në qershor, ndërsa brenda ditës janë zëvendësuar me njerëz të PDK-së...

NACIONAL
Është folur e përfolur me vite të tëra. Nuk mund të thuhet se aty ka enigma apo gënjeshtër. Edhe për veriun e Kosovës është folur e përfolur me qindra e mijëra herë nga analistë, diplomatë vendorë dhe ndërkombëtarë, për ndarjen e mundshme të veriut të Mitrovicës, të cilën pas luftës e kemi pasur shansin ta kishim në dorë. Por, shkurtpamësia dhe mosmenaxhimi i mirë politik dhe ushtarak i pasluftës dhe lakmia për pushtet, e kanë lënë atë pjesë të veriut të Mitrovicës nën mëshirën e “zhupave dhe zhupanëve”, që po i udhëheqin protestat brutale dhe të egërsuara edhe sot e kësaj dite... Prandaj, nuk mund të fajësohet bashkësia ndërkombëtare për gjendjen ekzistuese në veri të Mitrovicës...

BOTA SOT
Dy ngjarje vendosur pranë e pranë: Shqipëria nën hijen e tragjedisë së Gërdecit dhe në pritje të ftesës për në Samitin e NATO-s në Bukuresht. Kjo pranëvënie e të kundërtave, njëra fatkeqësi dhe tjetra e mezipritur, ka nxitur pyetjen e përsëritur nëpër çdo konferencë shtypi: Shpërthimi në Gërdec, a do ta vonojë Shqipërinë për në NATO? Shqipëria, ndër gjithë shtetet e ish-lindjes komuniste të Evropës, e ka ndjerë e para domosdoshmërinë e futjes në NATO, për dy arsye të mëdha: sepse Shqipëria në NATO bëhet e sigurt; sepse, NATO në Shqipëri e bën rajonin më të qëndrueshëm...Shumë mendje e në mënyra të ndryshme pyesin e përgjigjja rri pezull: A do të ftohet Shqipëria në Samitin e Bukureshtit? Duke qenë se nuk ka më kohë për prova të tjera deri atëherë, Shqipëria pret përgjigje nga Aleanca Veriatlantike...

INFOPRESS
Paul Acda, kryetar i Bordit të Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit, më në fund, ka lëshuar pe. Edhe pse pati deklaruar se mbledhjet e bordit të AKM-së do të mbaheshin edhe në mungesë të përfaqësuesve të Qeverisë, ai më në fund ka lëshuar pe dhe ka rënë në ujdi me kryeministrin Hashim Thaçi dhe zëvendësin e shefit të UNMIK-ut, Larry Rosin, që mbledhjet të mos mbahen derisa Qeveria e Kosovës t’i përzgjedhë ekspertët që do ta përfaqësojnë atë në AKM. “Arsyeja për shtyrjen e takimit të Bordit të AKM-së është një vendim i përbashkët i arritur midis kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, zv/KSSP-së, Larry Rosin dhe zv/PSSP-së, Paul Acda”, ka thënë Mechthild Henneke, zëdhënëse e Shtyllës së IV të UNMIK-ut...

KOSOVA SOT
Largimi i UNMIK-ut, si duket, s’do të jetë aq i lehtë sa ishte paramenduar me rastin e shpalljes së pavarësisë. Fakti se jemi shtet, që na njohin vende të fuqishme në botë, nuk përbën ndonjë pengesë për misionin e Kombeve të Bashkuara, i cili, në përputhje me Rezolutën 1244, vazhdon funksionimin e tij si një polic mbi kokën e institucioneve legjitime kosovare. Ligjet kalojnë varg në parlamentin tonë, ku ligjvënësit si robotë ngrenë duart pa hezituar shumë. Legjislacioni i shtetësisë, i ndërlidhur me pakon e Ahtisaarit, si rregull, pas miratimit në Kuvend, duhet të marrë nënshkrimin e Përfaqësuesit Special. Procedura, e dimë të gjithë, zvarritet historikisht, që nga vendosja e misionit të OKB-së në Kosovë. As kësaj radhe s’pritet të ketë ndonjë përjashtim...
XS
SM
MD
LG