Ndërlidhjet

Bush: Irani një ditë do të jetë i lirë

  • Parichehr Farzam

George Bush

George Bush

Irani një ditë do të jetë i lirë, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, presidenti i Shteteve të Bashkuara George Bush. Në pesë vjetorin e invazionit amerikan në Irak, Bush tha SHBA-të gjithmonë do ta mbështesin dëshirën e popullit iranian për liri, por asnjëherë nuk do t'i mbështesin përpjekjet e Qeverisë së Iranit për të zhvilluar armë bërthamore.


Presidenti Bush e filloi intervistën në Shtëpinë e Bardhë me një mesazh të ngrohtë për të gjithë iranianët, në nder të Nevruzit, Vitit të Ri Persian, por nuk mundi të shmanget nga politika.

"Shtetet e Bashkuara të Amerikës u dëshirojnë Gëzuar Vitin e Ri. Populli amerikan e respekton historinë dhe kulturën e madhe iraniane. Ne kemi respekt për popullin, por kemi problem me qeverinë, sepse ajo po kërcënohet dhe ka marrë vendime, të cilat vërtet e kanë izoluar popullin e Iranit", tha ai.

Presidenti Bush iu drejtua edhe rinisë dhe femrave në Iran.

"Mesazhi im për të rinjtë është se një ditë shoqëria juaj do të jetë e lirë. Kjo do të jetë një kohë e bekuar për ju. Mesazhi im për femrat në Iran është se femrat në Amerikë e ndajnë dëshirën tuaj të thellë për t'i rritur fëmijët në një shoqëri shpresëdhënëse dhe të jetojnë në paqe".

Bush gjithashtu tha se ai do të dëshironte që të shohë një Iran ku do të lejohen liria e shprehjes dhe e besimit dhe ku "vajzat e reja mund të rriten duke i realizuar ëndrrat e tyre me një sistem të mirë arsimor".

Ai premtoi se populli iranian gjithmonë do të mund të jetë në gjendje të llogarisë te Shtetet e Bashkuara për ta mbështetur dëshirën e tyre për liri.

"Ky është një regjim dhe një shoqëri që kanë edhe shumë rrugë për të bërë, por populli i Iranit mund të jetë i sigurt se derisa jam unë president, apo kur të vijë presidenti i ardhshëm, Shtetet e Bashkuara do t'i mbështesin fuqishëm dëshirat e tyre për të jetuar në një shoqëri të lirë".

Duke folur për 5-vjetorin e luftës në Irak, presidenti Bush tha se përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për t'i "sjellë lirinë" këtij vendi, po korrin sukses.

Por, ai tha se përfundimisht, paqja në rajon varet nga vullneti i Iranit për të ndërprerë armatimin e milicive irakiane, si dhe nga vullneti i irakianëve për të jetuar në paqe me njëri-tjetrin dhe me fqinjët e tyre në rajon.

Bush gjithashtu tha se "ka shanse" që Irani dhe Shtetet e Bashkuara t'i zbusin dallimet midis tyre, por shtoi se Qeveria iraniane duhet të bëjë "zgjedhje të ndryshme" që kjo të ndodhë.

"Njëra është që në mënyrë të verifikueshme të pezullojë pasurimin e uraniumit dhe atëherë do të mund të shkohet përpara. Populli i Iranit gjithashtu duhet të kuptojë se Shtetet e Bashkuara do të jenë të vendosura në dëshirën e tyre për të parandaluar vendin që të ndërtojë armë bërthamore", tha Bush.

Për këtë arsye, presidenti amerikan tha se e mbështet furnizimin që Rusia i bën Iranit me uranium të pasuruar për reaktorin civil bërthamor.

Bush tha se Irani është një nga "shtetet e dështuara" dhe për këtë qëllim, Shtetet e Bashkuara synojnë të instalojnë sistemin mbrojtës raketor në Poloni dhe Çeki.

"Sistemet raketore, sistemet e mbrojtjes nuk do të jenë të drejtuara kundër Rusisë, por drejt vendeve, të cilat do të përpiqen ta mbajnë peng botën me armë bërthamore", tha presidenti i Shteteve të Bashkuara, George Bush, në intervistën ekskluzive për Radion Evropa e Lirë.
XS
SM
MD
LG