Ndërlidhjet

logo-print

Prishtina s'ka informacion për marrëveshjen UNMIK-Serbi


Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës

Përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës thonë se nuk kanë asnjë informacion lidhur me propozim-marrëveshjen Serbi-UNMIK për bashkëqeverisje në Kosovë, për të cilën thuhet se tash është dërguar për shqyrtim në selinë e OKB-së në Nju Jork. Analistët politikë thonë se pavarësisht nga përmbajtja që mund të ketë marrëveshja, iniciativat e këtilla nuk kanë më rëndësi.


Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës thonë se nuk kanë informacione për propozim-marrëveshjen Serbi-UNMIK, për bashkëqeverisje në Kosovë, e cila i është dorëzuar zëvendës-kryeadministratorit të Kosovës, Larry Rosin, nga ministri i Qeverisë së Serbisë për Kosovën, Sllobodan Samarxhiq.

UNMIK-u ende nuk i ka kthyer përgjigje Qeverisë serbe rreth këtij dokumenti, meqë propozimin në fjalë e ka dërguar për shqyrtim në Zyrën Ligjore të OKB-së në Nju Jork.

Por, qeveritarët e Kosovës hedhin poshtë çdo mundësi të zbatimit të ndonjë marrëveshjeje të tillë. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, thotë se me Kosovën mund të qeverisë vetëm qeveria e saj, si dhe komuniteti ndërkombëtar.

“Ne nuk kemi informacione për një gjë të tillë. Me Kosovën do të qeverisë Qeveria e Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare; Serbia asnjëherë", tha zoti Kuçi.

Nga na tjetër, analisti politik, Driton Lajçi, thotë se në Kosovë tashmë ekziston një realitet i ri dhe se marrëveshjet e tilla nuk kanë kurrfarë efekti edhe nëse ato ndodhin. Ai konsideron se propozimet e tilla janë të vonuara dhe, sipas tij, Beogradi me veprime të tilla po synon që mos ta njohë realitetin e ri në Kosovë.

"Kjo bie ndesh me fazën e tranzicionit të kompetencave nga UNMIK-u në institucionet e Kosovës. UNMIK-u nuk ka nevojë të dakordohet ose të mos dakordohet, sepse ata tashmë janë duke hyrë në fazën e transferimit të kompetencave, për t'ua lënë kompetencat Qeverisë së Kosovës dhe EULEX-it", tha Lajçi.

Zoti Lajçi tha se me iniciativat e tilla, por edhe me ato të mëhershmet, të cilat i ka iniciuar Beogradi, është tentuar t'i bëhet dëm Kosovës dhe, sipas tij, ato tashmë nuk kanë kurrfarë rëndësie.

Qeveria e Serbisë, përmes kësaj marrëveshjeje, tenton të intensifikojë bashkëqeverisje me UNMIK-un në shumë fusha, ndër të cilat është ajo e sigurisë, gjyqësisë, si dhe e kontrollimit të kufirit.

Por, analisti Lajçi thotë se pavarësisht se çka përmban propozim-marrëveshja e Beogradit, ajo bie ndesh me pakon e Martti Ahtisaarit.

“Pavarësisht se çka përmban ajo, do të thotë sa i përket veriut të Mitrovicës dhe qytetit të Mitrovicës në tërësi, vlen ajo pika e pakos së Ahtisaarit, ku Mitrovica do të qeveriset prej bordit ku do të përfshihen përfaqësuesit legjitimë të veriut dhe jugut dhe tash për tash ky është propozimi dhe vendimi i fundit. Çdo iniciativë tjetër bie ndesh me këtë, bie ndesh me planin e Ahtisaarit dhe bie ndesh me shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës", tha Lajçi.

Sidoqoftë, zyrtarët e UNMIK-ut thonë se janë duke pritur ende instruksionet nga Zyra Ligjore e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, se si të veprohet pas këtij propozimi të Qeverisë serbe.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG