Ndërlidhjet

Kina pranoi se ka vrarë protestues tibetianë


Mediat shtetërore kineze njoftuan se policia e Kinës ka qëlluar për vdekje katër protestues "në vetëmbrojtje" të dielën në krahinën perëndimore Sichuan.

Kjo është e para herë që mediat zyrtare kineze pranojnë se protestat anti-qeveritare, të cilat filluan javën e kaluar në Tibet, janë përhapur edhe në Kinën perëndimore.

Ende nuk është e qartë se sa njerëz mund të jenë vrarë në protestat, për shkak se Kina u ka ndaluar mediave të huaja të hyjnë në rajon.

Zyrtarët thonë se numri i të vrarëve është 13, por aktivistët tibetianë thonë se në protestat janë vrarë rreth 100 njerëz.

Më herët, udhëheqësi tibetian në ekzil, Dalai Lama tha se është i gatshëm të takohet me udhëheqësit kinezë, nëse do të kishte sinjale se Kina është e gatshme për bisedime.

Kina e akuzon Dalai Lamën për orkestrimin e protestave, duke thënë se ai synon t'i minojë Lojërat Olimpike Verore në Pekin.

Dalai Lama i ka hedhur poshtë akuzat dhe u ka bërë thirrje të gjitha palëve që t'i japin fund dhunës.
XS
SM
MD
LG