Ndërlidhjet

“Gallucci trazon UNMIK-un”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

KOHA DITORE
Gerard Gallucci është zënë keq me Larry Rossinin. Burime brenda UNMIK-ut pohojnë se aq keq janë zënë punët, saqë është arritur një ultimatum: ose njëri ose tjetri të ikin nga administrata e OKB-së në Kosovë. Gallucci është administratori rajonal i UNMIK-ut për Mitrovicën, kurse Larry Rossin zëvendësshef kryesor i UNMIK-ut. E gjitha ka filluar kur Gallucci është ankuar për “konceptin e gabuar” të Larry Rossinit dhe ndërhyrjen që ky ka urdhëruar për të kthyer autoritetin e humbur të UNMIK-ut në veri të Kosovës, detyrë kjo e cila ishte e Galluccit, por që ky i fundit s’ka qenë i zoti ta bënte. Për t’u hakmarrë, Gallucci u ankohet mbi 30 vetave në selinë e OKB-së dhe NATO-s, ku përveç Larry Rossinit, sulmon edhe kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi...

EXPRESS
Pa përjashtim, thuajse të gjitha zgjedhjet politike në Ballkanin e pas viteve ’90 të shekullit të kaluar kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë rëndësi përtej të zakonshmes. Arsyeja qëndron tek procesi i transformimeve rrënjësore që po përjetojnë shoqëritë e gadishullit. E si për ta superkonfirmuar këtë tezë, në bankën e provës këtë radhë është vendosur Serbia, e cila ballafaqohet me një realitet të ri sa kompleks, aq edhe përcaktues. Ky vend po i drejtohet sërish zgjedhjeve të përgjithshme në betejën politike më të rëndësishme, që pas përfundimit të epokës së ish-presidentit autokrat, Sllobodan Millosheviq. Dy mbeten shkaqet thelbësore, që njëkohësisht janë edhe ato që e shkatërruan qeverinë që u ngrit me aq vështirësi vetëm 10 muaj më parë, të drejtuar nga kryeministri Vojisllav Koshtunica: qëndrimi ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe përcaktimi i ecurisë strategjike të vendit...

EPOKA E RE
Misioni më i madh civil në histori ndodhet në këmbë të dobëta, ka bërë të ditur gazeta vjeneze, duke u thirrur në qarqe të Këshillit të BE-së në Bruksel. Ky hap varet nga fuqia e angazhimit të KFOR-it, i cili duhet që me të gjitha forcat ta evitojë ndarjen e Kosovës, ka shkruar Prese, duke shtuar se nëse forcat e sigurisë nuk ia dalin që së shpejti të vendosin rendin, rrezikon që në tërësi të ndryshojë gjendja për EULEX-in. “Me mandatin aktual, gjendja e krizës në Kosovë nuk mund të zgjidhet. Ndaj mundësisë së ndarjes së veriut, misioni nuk është i përgatitur”, kanë theksuar burimet në Bruksel...

LAJM
Gjykata e Hagës mund ta marrë vendimin e fundit për ish-kryeministrin Ramush Haradinaj dhe dy bashkëluftëtarët e tij më 3 prill. Megjithatë, sipas avokatit të tij mbrojtës, Michael O’Reilly, kjo datë ende nuk është definitive. “Problemi është se ky është një rast shumë i madh me shumë dëshmi dhe gjykatësit dëshirojnë të jenë të sigurt se të gjitha dëshmitë janë realizuar me kujdes”, tha O’Reilly për Lajm, të mërkurën. Sipas tij, të njëjtit gjykatës tash janë duke punuar në rastin e kroatit Ante Gotovinës, i cili akuzohet për krime lufte...

NACIONAL
Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndarë 50 mijë euro për sanimin e gjendjes në Gërdec, pas tragjedisë të së shtunës. Kryeministri Hashim Thaçi tha se edhe qeveria që ai drejton do të veprojë ashtu sikur qeveritë tjera në tetë vjetët e kaluar, në rast të ndonjë tragjedie që ka ndodhur. Thaçi tha se të gjitha qeveritë kanë qenë të përkushtuara të japin kontributin e tyre të solidarizimit, të tejkalimit dhe të sanimit të pasojave që janë shfaqur... “Kemi shprehur gatishmëri që si qeveri të jemi pranë tyre dhe t’u ndihmojmë për sanimin e këtyre pasojave. Ne kemi vendosur ta ndajmë këtë shumë për Gërdecin, por do të ndihmohet edhe me mjete të tjera logjistike të nevojshme”, ka thënë Thaçi...

BOTA SOT
Kuvendi i Republikës së Kosovës, për dy javë që lamë pas, ka miratuar shumicën e ligjeve që dalin nga pakoja e Ahtisaarit. Kështu ka dëshmuar se është në hap me përmbushjen e detyrimeve, është ky një intensitet në kryerjen e obligimeve që janë marrë para faktorit ndërkombëtar. Derisa UNMIK-u ende nuk nis procesin e bartjes së kompetencave në institucionet e Kosovës, si dhe veprimi i EULEX-it në Kosovë, ligjvënësit dhe qeveritarët e Kosovës nuk presin. Përveç detyrimeve që dalin nga Pakoja, kanë edhe obligime të tjera për plotësimin e infrastrukturës legjislative të shtetit të ri të Kosovës. Një prej këtyre obligimeve është edhe hartimi dhe miratimi i një ligji për përdorimin e fotografisë së Presidentit të Kosovës në të gjitha hapësirat zyrtare shtetërore...

INFOPRESS
Pas më shumë se një muaji bojkotimi të punës së Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës, një pjesë e deputetëve serbë kanë vendosur t’i kthehen punës së legjislativit, sikurse edhe ministrat serbë të Qeverisë së Kosovës që i janë kthyer punës së ekzekutivit. Në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit që është mbajtur të enjten, ka marrë pjesë edhe anëtari nga radhët e Partisë së Pavarur Liberale (SLS), Sllobodan Petroviq, i cili ndër të tjera ka njoftuar për rikthimin e deputetëve të SLS-së në punën e legjislativit të Kosovës. Gjithashtu edhe ministrat serbë, Nenad Rashiq e Boban Stankoviq, të enjten kanë marrë pjesë në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës...

KOSOVA SOT
Vendimi i presidentit amerikan për të siguruar armatimin për Republikën e Kosovës është një sinjal tjetër i fortë që vjen nga Uashingtoni, në këto ditë, kur çdo mbështetje nga vendet perëndimore pritet me padurim. Ndërtimi i shtetit nënkupton edhe vendosjen e një sistemi të qëndrueshëm, modern, të sigurisë, gjë që s’mund të bëhet pa ndihmën e partnerëve tanë. Amerikanët, të cilët kanë në qendër të Kosovës kampin më të madh në kontinent, “Bondstillin”, duket se janë të interesuar që bashkëpunimi të thellohet, ndërsa paralelisht me forcimin e partneritetit do të krijohet infrastruktura e nevojshme ushtarake me sigurimin e armatimit dhe pajisjeve ushtarake. Pas shpalljes së pavarësisë. Republika e Kosovës së shpejti nuk do të shihet më si një pikë e zezë në rajon, por po krijon formatin e një shteti që prodhon stabilitet në rajon e më gjerë...

ZËRI

Me këtë konstatoj se furnizimi i Kosovës me pajisje dhe shërbime të mbrojtjes, do ta forcojë sigurinë e SHBA-ve dhe do të promovojë paqen botërore. Ky vlerësim i presidentit të SHBA-ve, George Bush, në justifikim të vendimit të tij për të ndihmuar ushtarakisht shtetin e ri të Kosovës, është qind për qind i saktë. Tash e 16 vjet në rastin e Kosovës dhe të Maqedonisë, e tash e 14 vjet, kur bëhej fjalë për luftën në Bosnjë e Hercegovinë, Uashingtoni zyrtar, me të drejtë, pati vlerësuar që paqja dhe stabiliteti afatgjatë i kësaj pjese të Ballkanit, është interes jetik i SHBA-ve. Amerika doli fituese jo vetëm në Luftën e Ftohtë, duke ruajtur kështu Evropën Perëndimore prej Bashkimit Sovjetik, por edhe në sprovën më të madhe të Evropës pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë...
XS
SM
MD
LG