Ndërlidhjet

S’ka rritje pensionesh



Pensionistët kosovarë edhe gjatë këtij viti nuk do të gëzojnë rritje të pensioneve. Kështu bëjnë të ditur zyrtarë të qeverisë, duke shtuar se përpjekjet për përmirësimin e pozitës së pensionistëve në mandatin e tyre qeverisës, nuk do të mungojnë.

Në anën tjetër, gjatë fushatës parazgjedhore të partive në pushtet, nuk kanë munguar premtimet se në mandatin e tyre qeverisës, gjendja materiale e pensionistëve do të ndryshojë.

Gergj Dedaj, zëvendësministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, thotë se buxheti i konsoliduar i Kosovës nuk lejon rritje të pensioneve, kështu që, sipas tij, pensionistët kosovarë, mbi moshën 65 vjeçare, do të vazhdojnë të marrin nga 40 euro në muaj.

“Kjo nuk është çështje e mosdëshirës së institucioneve, qeverisë dhe ministrisë sonë, por është çështje e buxhetit të limituar të Kosovës, i cili nuk mundëson rritje as të pagave, e tash për tash as të pensioneve. Këtë duhet ta kuptojnë të gjithë qytetarët e Kosovës, këtë duhet të kuptojnë edhe pensionistët. Do të thotë, nuk është çështje e dëshirës, por çështje e mundësive. Mundësia dhe dëshira janë dy çështje që shpeshherë nuk përputhen”, thotë Dedaj.

Megjithatë, Dedaj pohon se Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale është duke hulumtuar mundësitë edhe me organizata ndërkombëtare që të gjejë mënyra për përmirësimin e pozitës së pensionistëve kosovarë.

“Ne, që dy muaj, jemi në krye të kësaj ministrie. Jemi duke i hulumtuar mundësitë; tash kemi pasur kontakte edhe në Gjeneve me Organizatën Ndërkombëtare të Punës, por edhe në Paris me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Do të kemi takime tjera edhe me homologët dhe ministritë e vendeve të Bashkimit Evropian, në mënyrë që të kontribuohet, t’i gjejmë mundësitë, burimet, qoftë edhe donacione, që t’i dalim në ndihmë kësaj kategorie tepër të ndjeshme”, thotë Dedaj.

Me një menaxhim më të mirë të buxhetit të Kosovës, mundësitë ekzistojnë edhe për rritje të pensioneve, thotë Fatmir Fehmiu, kryetar i Sindikatës së Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës.

“Deri tash, nuk e kemi parë programin e qeverisë në lidhje me politikat e ardhshme në përgjithësi, e as në sferën sociale në veçanti. Unë jam i bindur se me një menaxhim më të mirë, çdo gjë mund të zgjidhet dhe të zbatohet në frymën e asaj që quhet mirëqenie sociale dhe realizim i të drejtave sociale të njerëzve”, thekson Fehmiu.

Gjergj Dedaj, megjithatë, thotë se një përmirësim në këtë drejtim, gjatë këtij viti, tashmë ka ndodhur. Ai thotë se nga buxheti i këtij viti janë ndarë 16 milionë euro për pensionistët që kanë kontribuar në sistemin e vjetër pensional, çka do të thotë se 35 mijë pensionistë kontribut-dhënës do të marrin nga 75 euro në muaj.

Ndryshe, këtë shumë të mjeteve, në fund të vitit të kaluar e ka ndarë qeveria e kaluar, ndërkaq qeverisë aktuale i ka mbetur vetëm ta zbatojë.

“Kjo rritje është bërë për buxhetin e vitit 2008 dhe është qëndrim politik që të bëhet kjo rritje. Ne i kemi marrë përgjegjësitë që kjo rritje të zbatohet, do të thotë Qeveria e Kosovës, respektivisht Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, stafi i ri politik. Është kompetencë dhe përgjegjësi e Qeverisë së re të Kosovës”, pohon Dedaj.

Ndryshe, zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale thotë se nga 162 milionë euro sa ka buxhet kjo ministri, rreth 155 milionë euro shfrytëzohen për pensione.
XS
SM
MD
LG