Ndërlidhjet

logo-print

Themelimi i FSK - pas tranzicionit


Trupat Mbrojtëse të Kosovës

Trupat Mbrojtëse të Kosovës

Kosovarët kanë mirëpritur ndihmën ushtarake të SHBA-ve, por Forcat e Sigurisë së Kosovës, që do ta marrin këtë ndihmë, ende nuk janë themeluar. Faza e tranzicionit dhe miratimi i kushtetutës janë dy çështje që duhet të përfundohen para themelimit të FSK-së. Funksionalizimi i FSK-së pritet të bëhet pas 4 ose 5 vjetësh.


Presidenti amerikan, George Bush, ka autorizuar furnizimin e Kosovës me armatim, por në Kosovë ende nuk janë themeluar forcat që do të pajisen me këtë armatim dhe artikuj tjerë mbrojtës. Qeveria e Kosovës thotë se nga ana e infrastrukturës ligjore, çdo gjë është gati për themelimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe forcave të sigurisë, ashtu siç parashihet me pakon e presidentit Martti Ahtisaari.

Por, për funksionalizimin e kësaj force, sipas ekspertit për çështje ushtarake, Ramadan Qehaja, do të duhen 4 deri në 5 vjet.

“Kjo forcë duhet të ngritët me faza. Në fazën e parë, sipas mendimit tim, duhet të shkohet me formësimin e Ministrisë së Forcës së Sigurisë, të ngritjes së shtabit të përgjithshëm të kësaj force dhe njëkohësisht me formësimin e njësiteve për gatishmëri civile, për mbrojtje civile, gatishmëri emergjente, dominim dhe njësiteve që kanë të bëjnë me pjesëmarrjen në operacionet paqësore në botë. Kjo është faza e parë”, tha Qehaja.

Aktualisht, përgjegjëse për sigurinë e përgjithshme në Kosovë janë forcat paqeruajtëse të NATO-s. Me pakon e Ahtisaarit një pjesë të përgjegjësisë për sigurinë do ta marrin në të ardhmen Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK). Një pjesë e Trupave Mbrojtëse të Kosovës pritet që të përfshihet në këto forca, të cilat priten të themelohen në fund të fazës së tranzicionit.

Drejtori i Institutit Kosovar për Kërkim dhe Zhvillim të Politikave, Lulzim Peci, që në këtë institut ka bërë një sërë hulumtimesh mbi sektorin e sigurisë në Kosovë, konsideron se ngritja e forcës së sigurisë do të jetë e lehtë, meqë, sipas tij, ka më shumë se një vit që kanë filluar përgatitjet për këtë çështje.

“TMK-ja deri më tani ka punuar shumë me ekipet e NATO-s drejt shpërbërjes së saj dhe ndërtimit të FSK-së. Është bërë punë e madhe që një vit e më tepër dhe sa i përket pjesës operacionale, që është bërë mes TMK-së dhe ekspertëve të NATO-s, puna është në përfundim. Ne këtu qëndrojmë në aspekt operacional të përgatitjes, strukturës ideore, konceptuale rreth FSK-së; çështjet janë gati të përfunduara, por nevojitet pjesa ligjore”, tha Peci.

Sipas planit të Ahtisaarit, Forcat e Sigurisë së Kosovës do të jenë profesionale dhe shumetnike. Kjo forcë do të ketë 2500 pjesëtarë aktivë dhe 800 rezervë, të armatosur me armë të lehta.

Ramadan Qehaja thotë se kjo forcë nuk do të ketë armë të kalibrit të madh, meqë edhe ashtu, ushtritë e shteteve të vogla që janë nën ombrellën e NATO-s, tashmë kanë filluar të lirohen nga armatimet e rënda.

“Kjo forcë e sigurisë nuk mund të ketë armatim të rëndë. Nuk mund të ketë topa të kalibrave të mëdhenj, nuk mund të ketë aviacione ofensive, raketa. Kjo forcë mund të jetë e pajisur dhe e armatosur me armë të lehta, efektive, të cilat do të shërbejnë për kryerjen e detyrave të çdoditshme të njësiteve edhe komandave të kësaj force”, tha Qehaja.

Analistët për çështje të sigurisë vlerësojnë se ndihma në armatimin e FSK-së nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të jetë shumë dobiprurëse, meqë ngritja e kësaj force do t’i kushtojë shumë shtrenjtë buxhetit të Kosovës.

Lulzim Peci thotë se sot, për të pajisur një ushtar me të gjitha pajisjet ushtarake, duhen të paktën 8 mijë euro. Në rastin e FSK-së, sipas Pecit, do të duheshin diku 20 milionë euro, pa llogaritur shpenzimet tjera.

“Rreth 20 milionë euro do të duhen vetëm për pajisjet personale të pjesëtareve të FSK-së, plus që vijnë edhe pajisjet tjera, luftarake, logjistike, trajnimet, mirëmbajtja, kazermat. Të gjitha këto kushtojnë me siguri sa dyfishi i buxhetit të tashëm i TMK-së; me siguri 30 milionë euro në vit, për fazën fillestare po flasim, pa i llogaritur rrogat dhe çështjet tjera”, tha Peci.

Ndryshe, vendimi i presidenti Bush për të furnizuar Kosovën me armë është mirëpritur në Kosovë, por ka ngjallur reagime të ashpra në Serbi dhe Rusi.

Presidenti Bush ka thënë se furnizimi me artikuj mbrojtës dhe shërbime mbrojtëse për Kosovën do ta forcojë sigurinë e Shteteve të Bashkuara dhe do të promovojë paqen botërore.
XS
SM
MD
LG