Ndërlidhjet

Fried: Nuk do të lejojmë ndarjen e Kosovës

  • Brian Whitmore

Daniel Fried

Daniel Fried

"Ky nuk është vetëm mendim i Shteteve të Bashkuara, por edhe i partnerëve tanë evropianë. Madje, edhe Rusia formalisht e ka hedhur poshtë ndarjen e Kosovës", thotë Daniel Fried në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.


RADIO EVROPA E LIRË
Duket se Serbia po e shtyn çështjen e ndarjes së Kosovës. Çfarë pasojash kjo mund të ketë për rajonin e gjerë të Ballkanit dhe çka mund të bëjnë Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimi për ta parandaluar këtë?

DANIEL FRIED
Ne e hedhim poshtë ndarjen e Kosovës. Ne e kemi njohur pavarësinë e Kosovës dhe atë në gjithë territorin e saj dhe njëherësh, ne kemi insistuar - dhe Qeveria e Kosovës është pajtuar - që të drejtat e komunitetit serb në Kosovë duhet të respektohen.

Ka pasur dhunë prej se Kosova është e pavarur. Më vjen keq të them, por kjo dhunë ishte e nxitur nga radikalët brenda komunitetit serb të Kosovës dhe frikësohem se po ashtu ka qenë e nxitur nga disa radikalë nga Beogradi, që, për fat të keq, ishte papërgjegjësi shumë e madhe.

Ka ndodhur incidenti kryesor në Mitrovicë, në Kosovën veriore, këtë javë, që ishte për keqardhje. Paqeruajtësit e Kombeve të Bashkuara, forca e OKB-së dhe KFOR-i, pra forca e NATO-s, ishin sulmuar me granata dhe nga armatimi automatik. Kjo ka ardhur nga radikalët serbë. Kjo ishte gjë e keqe.

Ne nuk do të lejojmë ndarjen e Kosovës. Ky nuk është vetëm qëndrim i Shteteve të Bashkuara, por edhe i partnerëve tanë evropianë. Bile, edhe Rusia formalisht e ka hedhur poshtë ndarjen e Kosovës.

Serbia duhet të shikojë kah ardhmëria evropiane. Shpresoj se do ta bëjë këtë.

RADIO EVROPA E LIRË
A mund ta qartësoni, kur i përmendët radikalët, a keni menduar në radikalët e "vegjël", e jo në Partinë Radikale?

DANIEL FRIED
Kjo është e drejtë. Mendova në radikalët "e vegjël", megjithëqë disa nga retorikat që kanë dalë nga politikanët në Beograd, nuk janë shumë të përgjegjshme.

Shikoni, Serbia ka të drejtë në të ardhmen e saj evropiane. Populli i Serbisë nuk duhet të detyrohet në izolim. Të vetmet barriera ndërmjet Serbisë dhe Evropës tash janë ato që serbët do t'i vendosin në rrugën e tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
Si i vlerësoni marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Rusinë? A jeni më tepër optimist se gjërat po lëvizin përpara, sesa që ishit para takimit të zyrtarëve të lartë amerikanë në Moskë?

DANIEL FRIED
Sigurisht më tepër, sesa që isha më parë. Ne nuk e dinim se si Rusia do të reagojë ndaj propozimeve tona dhe ne jemi të kënaqur se ata i morën ato me seriozitet dhe ne i paraqitëm ato me seriozitet.

Ne dëshirojmë t'i shqyrtojmë shqetësimet ruse. Ka fusha ku ne kemi mospajtime me Rusinë: Kosova është njëra prej tyre dhe ka të tjera. Por, kjo nuk do të thotë se ne nuk duhet të punojmë si partnerë, kur ne kemi interesa që përputhen.

Në mbrojtjen raketore, sipas pikëpamjes amerikane, kemi qartas interesa të përbashkëta. Nëse Irani ia arrin në përpjekjet aktuale për të zhvilluar raketa balistike dhe armatim bërthamor, ne kemi problem gjigant të qartë, të përbashkët. Ne dëshirojmë të punojmë me Rusinë. Ne dëshirojmë të ndërtojmë në atë që shpresojmë se do të jetë një besim i ri dhe intensiv dhe pastaj të bashkëpunojmë realisht si partnerë të barabartë – NATO-ja, Rusia, Shtetet e Bashkuara, në mbrojtjen raketore, që do të na ndihmojë të gjithë neve. Pra, ne patëm një hap të mirë përpara në Moskë, këtë javë.
XS
SM
MD
LG