Ndërlidhjet

Preteni: Gjyqësori, Qeveria - ndër më të korruptuarit


Hasan Preteni
Hasan Preteni

"Në mesin e institucioneve që ka pasur më së shumti korrupsion, është gjyqësori, më saktësisht 14 informata për korrupsion, 13 për Qeveri, pushteti lokal 11 raste dhe ndërmarrjet publike 9 raste", thotë Hasan Preteni, drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsionit.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Preteni, cilat janë problemet më të mëdha me të cilat po përballet Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit në luftën ndaj kësaj dukurie?

HASAN PRETENI
Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit, më 3 mars, ka dorëzuar raportin e punës njëvjeçare në Kuvendin e Kosovës. Ky është një obligim ligjor, të cilin ne e kemi realizuar në afat dhe pjesë të këtij raporti janë edhe problemet me të cilat është ndeshur agjencia gjatë vitit të kaluar.

Problem kryesor ka qenë mbështetja jo adekuate e institucioneve qendrore, që ka të bejë me buxhetin dhe numrin e zyrtarëve. Është e drejtë ligjore e drejtorit të agjencisë që të përcaktojë organogramin e agjencisë dhe t'i përcaktojë kërkesat për mbështetje buxhetore. Dhe, këto, fatkeqësisht, nuk i kemi pasur as në vitin 2006, e as në vitin 2007. Definitivisht, kjo mangësi është evituar me buxhetin e vitit 2008.

Problem për vitin 2007 ka qenë numri i vogël i zyrtarëve. Kemi kërkuar 35, i kemi pasur 15 zyrtarë. Më pasataj, është motivimi ose pagat e ulëta të shërbyesve në agjenci, që është pengesë jo për t'u plotësuar numri, por është pengesë për t'i pasur njerëzit e motivuar; domethënë, njerëz ekspertë, njerëz me kualitetet, moral, me një të kaluar të pasur dhe me përgatitje profesionale.

Një element tjetër, i cili kohëve të fundit po na krijon mangësi, është edhe hapësira e punës. Fillimisht kemi kërkuar që të kemi objekt që është afër institucioneve, mirëpo me kalimin e kohës, me zhvillimin e agjencisë, me rritjen e numrit të personave që po e kontaktojnë agjencinë, shohim që jemi në një objekt, i cili nuk i plotëson kushtet dhe mendoj se këtë do ta evitojmë në fazen e ardhshme ose deri në fund të këtij viti.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa është numri i rasteve që i keni paraqitur në prokurori dhe sa prej tyre janë zgjidhur deri më sot?

HASAN PRETENI
Derisa po flasim, mora një informatë jozyrtare, një informatë që ne e kemi përcjellë në prokurori dhe që është ngritur aktakuza; është një rast që është përcjellë nga agjencia në Prokurorinë Publike të Qarkut në Prishtinë.

Mirëpo, në aspektin zyrtar, këto informata nuk i marrim. Ky është një indikacion, i cili e ka përcjellë edhe fatin e informatave të tjera. Ne, gjatë vitit të kaluar, kemi përcjellë 47 informata për korrupsion në Prokurorinë Publike të Kosovës; informata kthyese i kemi për gjashtë raste dhe të gjitha këto gjashtë i kanë refuzuar dhe pesë i përkasin gjyqësorit.

Rikujtoj se në mesin e institucioneve që ka pasur më së shumti korrupsion, janë kryer veprime korruptive, është gjyqësori; më saktësisht, 14 informata për korrupsion, 13 për Qeveri, pushteti lokal 11 raste dhe ndërmarrjet publike 9. Për të gjitha këto të tjerat, nuk kemi informata kthyese. Kur gjyqësori duhet të vendosë për gjyqësorin, ata janë shumë efikas, e them këtë në thonjëza, dhe informojnë që 5 raste prej tyre i kanë hedhur. Domethënë, komunikimi jo i mirë, jo profesional mes agjencisë dhe prokurorive.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Preteni, buxheti, të cilin e keni kërkuar për vitin 2008, është aprovuar nga Qeveria e Kosovës. A do të thotë kjo se tashmë keni një përkrahje më të madhe nga institucionet e Kosovës për luftën kundër korrupsionit?

HASAN PRETENI
Definitivisht po. Ne veç kemi vendimin për buxhet dhe këtë vit e kemi edhe buxhetin sipas kërkesës që na gëzon më shumë; e kemi të lejuar që të kemi zyrtarë sipas kërkesës.

Saktësisht, buxheti i agjencisë është 456 mijë euro. Unë e them që vetem ato 47 informata që i kemi përcjellë në prokuroritë e Kosovës, i kemi vlerësuar secilën; ia kemi vlerësuar secilit rast edhe peshën monetare, se sa mendojmë se po i krijohet dëm buxhetit të Kosovës. 47 raste, vlera e përgjithshme është diku rreth 30 milionë.

Rikujtoj se agjencia ka qenë e ngarkuar në ekzekutim me Ligjin kundër korrupsionit, kurse shumë shpejt do të jenë edhe dy ligje të tjera, të cilat në ekzekutim do të ngarkojnë agjencinë. Ky është ligji për parandalimin e konfliktit të interesit dhe ligji për deklarimin dhe kontrollin e pasurië. Në përpilimin e këtyre ligjeve kemi marrë pjesë edhe ne.

Sinjalet e para janë konkrete, janë pozitive, shpresëdhënëse dhe mendoj se me fuqizimin edhe të gjyqësorit, korrupsioni dhe veprimet korruptive, personat që kryejnë veprime të tilla, personat që e keqpërdorin buxhetin e Kosoëvs, personat që paranë publike e vendosin në xhepa privatë, definitivisht do të marrin përgjigjen që e meritojnë.

RADIO EVROPA E LIRË
A varet vetëm nga gatishmëria e qytetarëve për paraqitjen e rasteve të korrupsionit, apo duhet të ketë edhe faktorë të tjerë?

HASAN PRETENI
Kemi potencuar vazhdimisht, të them kushtimisht, që tre faktorë kanë qenë dominues. Së pari, nomenklatura ligjore të plotësohet me ligjet e lëmisë - kjo është vetëm në fazën përfundimtare.

Nën dy, fuqizimi i institucioneve që kanë për mision luftën kundër korrupsionit; nuk mendoj së vetëm agjencia duhet të fuqizohet, por duhet edhe institucionet tjera, sepse nuk është e vetmja; është kryesorja agjencia, por ka edhe institucione tjera. Në rend të parë, mendoj për SHPK-në dhe departamentin me të cilin ne kemi raporte shumë të ngushta - është departamenti për krime të rënda ekonomike dhe anti-korrupsion.

Dhe, si elemet i tretë, them se është ngritja e vetëdijes qytetare, që të bashkëpunojnë me institucionet, ta luftojnë korrupsionin, ta informojnë institucionin që ka veprime korruptive; nuk është vepër e ligë, vepër spiuni, por është vepër e lartë patriotike.

Në këtë fazë, Kosova definitivisht i ka institucionet e veta, jo të nivelit sa dëshirojmë ne, por janë tonat. Ato duhet të ngritën, duhet të fuqizohen, por edhe qytetari duhet të ketë besim te këto institucione.

Nga praktika e them, po të fillojë gjyqësori ta gjykojë korrupsionin, informatat do të jenë edhe më të shumta. Në qoftë se qytetari sheh që veprimet korruptive nuk po gjykohen, ai heziton të vijë në agjenci, ose të shkojë në prokurori të informojë për korrupsionin, sepse dyshon në fatin e fundit të asaj informate.

Nuk mund të ankohem, sepse qytetari me agjencinë po bashkëpunon. Ne, gjatë vitit të kaluar, i kemi pasur saktësisht 124 informata të bazuara dhe raste që i kemi trajtuar; disa prej tyre i kemi hedhur, disa jemi duke i hetuar ende, 47 i kemi përcjellë.

Por, edhe këtë vit, në këtë tremujor të parë, intensiteti i informatave që vijnë në agjenci është në rritje e sipër. Vazhdimisht qytetari ka krijuar një besim, po i afrohet agjencisë, edhe në agjenci po vijnë informatat, ku pesha materiale dhe financiare pretendohet për çdo ditë të jetë më e madhe, por ka raste më të fuqishme, më të forta, më të rënda, ku janë përfshirë persona, që janë udhëheqës të institucioneve shumë të larta.
XS
SM
MD
LG